INJECT - Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi është krijuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë në fuqizimin e grave dhe avokimin e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave sociale, ekonomike dhe kulturore të grave.
Vizioni ynë është të kemi një shoqëri, e cila drejtësinë dhe barazinë i ka parime themelore. Për të arritur këtë, institucionet e rendit dhe sundimit të ligjit duhet të rrisin ndjeshmërinë gjinore, profesionalizmin dhe etikën. Ne jemi të përkushtuar për një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, ku parimi i respektimit të dinjitetit njerëzor nuk lejon diskriminim.
Misioni ynë është të kontribuojmë në fushat e sundimit të ligjit, llogaridhënies, transparencës, ngritjes së kapaciteteve të institucioneve të rendit dhe ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut, fuqizimit të grupeve të margjinalizuara dhe rritjes së ndërgjegjësimit.
Historiku:
INJECT – “Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi” u themelua në mars të vitit 2018 nga Luljeta Aliu, vetë e mbijetuar e dhunës në familje. Për shkak të diskriminimit institucional që ka përjetuar, ajo ka vendosur të ndjekë procedurat gjyqësore në Kosovë, ndonëse ka pasur mundësi t'i procedojë në Zvicër, shteti ku është rritur dhe ku ajo ka nënshtetësi. Vendimi për të qëndruar përkundër të gjitha sfidave, bazohej në idenë se duke luftuar për të drejtat e saj, ajo do ta luftonte këtë fenomen dhe do të ishte zëri i gruas së Kosovës. Ajo ishte gruaja e parë që foli publikisht për përvojën e saj me dhunën në familje dhe diskriminimin institucional, gjë që ka bërë që të dalin në publik edhe disa gra të tjera, madje edhe artiste të famshme.
Vepra dhe historia e Luljeta Aliut kanë marrë edhe vëmendje ndërkombëtare. Më 19 shkurt 2020 ajo u ftua nga Parlamenti Evropian për të raportuar mbi sundimin e ligjit dhe të drejtat e grave. Në Mars 2020, puna dhe historia e saj ishte pjesë e një ekspozite publike në Selinë e OKB -së, Nju Jork. Shtypi ndërkombëtar ka shkruar disa herë për të. Gjithashtu në vitin 2020, padia e saj kundër Policisë së Kosovës u përmend në raportin e organizatës më të rëndësishme në botë për të drejtat e njeriut, Amnesty International.
PROGRAMET:
1. Sundimi i ligjit: INJECT ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në përmirësimin e legjislacionit përmes iniciativave të avokimit për ndryshimet në ligjet që prekin të drejtat e grave dhe mbrojtjen e tyre. Nëpërmjet avokimit të INJECT, Ligji për Familjen është ndryshuar në vitin 2019 për të garantuar qasjen në gjysmën e pasurisë martesore për gratë. Për momentin, bazuar në kërkesën tonë dhe propozime konkrete amendamentimi, Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje është duke u ndryshuar për të specifikuar dhunën ekonomike dhe psikologjike në martesë. Vitin e kaluar kemi avokuar që Kodi Civil i Kosovës të mos miratohet për shkak të mosrregullimit të fushave që kanë të bëjnë me çështjet që prekin jetën e grave dhe Kodi Civil tani është duke u ndryshuar me propozimet që i kemi dërguar në Ministrinë e Drejtësisë.
INJECT kontribuon në rritjen e kapaciteteve të institucioneve gjyqësore përmes hulumtimeve ligjore, trajnimeve për gjyqtarë, prokurorë dhe policë. Bashkëpunimi ynë me këto institucione bazohet me memorandumet e bashkëpunimit që kemi me to.
2. Fuqizimi i grave: Në kuadër të programit tonë të fuqizimit të grave, puna jonë është e fokusuar në ofrimin e ndihmës juridike falas (kryesisht në rastet e bazuara në dhunën me bazë gjinore, divorcin, ndarjen e pronës dhe mirëmbajtjen financiare, monitorimin gjyqësor dhe trajtimin psikosocial për gratë që kanë përjetuar dhunë në familje.
3. Ngritja e vetëdijes: Shoqëria kosovare ende karakterizohet me norma patriarkale dhe diskriminim gjinor. Fatkeqësisht, diskriminimi ndodhë edhe brenda institucioneve. Për këtë arsye, INJECT synon të informojë dhe ndërtojë kapacitetet e shoqërisë përmes programit të saj të ndërgjegjësimit. INJECT organizon takime me qytetarët dhe OJQ, zhvillon kampanja, merr pjesë në debate televizive, shkruan artikuj dhe i shpërndan ato përmes mediave dhe faqeve të mediave sociale.
Drejtore ekzekutive
Menaxhere e financave
Zyrtare për marrëdhënie me publikun