Duke u ngarkuar...
2020-11-04

Më 30 tetor 2020 INJECT është takuar me Kryesuesen e Grupit të Grave Deputete, zj. Vlora Limani Hajnuni dhe ekspertin ligjor nga OSCE.

Të premtën, më 30.10.2020, INJECT është takuar me Kryesuesen e Grupit të Grave Deputete, znj. Vlora Limani Hajnuni, për çështjen e Projekt-Kodit Civil dhe me ekspertin ligjor të angazhuar nga OSCE. Jemi të gëzuar që me iniciativen e INJECT, Grupi i grave Deputete dhe grupet parlamentare kanë filluar diskutimin publik për Kodin Civil. Propozimet e INJECT, janë përcjellur me shkrim pranë Grupit të Grave Deputete dhe Komisionit për Legjislacion.Në këtë takim u diskutuan propozimet që INJECT i kishte dërguar me shkrim tek Grupi i Grave Deputete dhe komisionet parlamentare përkatëse me qellim të rregullimit të dispozitave ligjore në Projekt-Kodin Civil.Propozimet e INJECT për ndryshim/plotësim të Projekt-Kodit Civil para se ai të votohet në Kuvend janë si më poshtë:

Propozimet e INJECT për ndryshim/plotësim të Projekt-Kodit Civil para se ai të votohet në Kuvend !

Neni 1169, Vendbanimi, ekonomia familjare, profesioni, par. 4.

4.   Bashkëshortët martesorë bashkërisht kontribuojnë në mirëmbajtjen e familjes në përpjestim me aftësitë e tyre individuale. Kontribut i përbashkët i bashkëshortëve konsiderohet si udhëheqja e ekonomisë familjare ashtu edhe fitimet tjera të nevojshme për jetën e familjes dhe prezumohet             se ata janë pjesmarrës të barabartë me kontributet e tyre në shpenzimet familjare.

Propozimi i INJECT për nenin 1169

4. Bashkëshortët bashkarisht kontribuojnë në mirëmbajtjen e familjes. Vlera e punës me kujdesin për fëmijët dhe udhëheqjen e punëve të shtëpisë konsiderohet e barasvlefshme me punën e paguar me të ardhura personale dhe të hyra të tjera të bashkëshortit të punësuar. Bashkëshortët konsiderohen pjesëmarrës të barabartë në mirëmbajtjen e familjes.

Neni 1170Regjimi pasuror në martesë

3. Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve martesorë është pasuria e fituar me punën e tyre të përbashkët ose të ndarë, gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë nëse me kontratë paramartesore bashkëshortët martesorë nuk kanë përcaktuar regjimin pasuror të pasurisë së fituar gjatë martesës.

4. Bashkëshortët martesorë me kontratë të veçantë në çdo kohë gjatë jetës së tyre të përbashkët martesore mund t’i rregullojnë çështjet pasurore dhe të vendosin për regjimin dhe administrimin e tyre pasuror.

5. Pa një marrëveshje të tillë dhe për aq sa nuk ka marrëveshje të bërë sipas nenit 1183, atëherë zbatohen nenet vijuese.

Propozimi i INJECT për nenin nenin 1170

3. Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve është pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.

4. paragrafi 4 largohet i tëri.

 

Neni 1172, Pasuria e përbashkët

1. Pasuri e përbashkët e bashkëshortëve është pasuria e fituar me punë të përbashkët ose të ndarë gjatë kohëzgjatjes së martesës, si edhe të hyrat që rrjedhin nga çfarëdo mënyre tjetër nga pasuria e përbashkët;

2. Pasuria e përbashkët mund të përfshijë gjithashtu të drejtat sendore dhe të drejtat e detyrimeve (kërkesave);

3. Pasuria e fituar me lojërat e fatit, nga dhuratat e përbashkëta, nga pronësia intelektuale, dhe format tjera të ngjashme, gjatë kohëzgjatjes së martesës konsiderohet pasuri e përbashkët.

4. Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët nëse nuk kanë marrëveshje paramartesore apo martesore.

Propozimi i INJECT për nenin 1172

  1. Pasuri e përbashkët e bashkëshortëve është pasuria e fituar me punë të përbashkët gjatë

vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.

  • Si punë e përbashkët e bashkëshortëve gjatë vazhdimit të martesës konsiderohet:
  • të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort;
    • ndihma e bashkëshortit e afruar bashkëshortit tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, udhëheqja e punëve të shtëpisë, përkujdesja dhe mirëmbajtja e pasurisë, si dhe çfarëdo forme tjetër e punës dhe e bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët.
  • Puna e përbashkët e bashkëshortëve gjatë vazhdimit të martesës për fitimin e pasurisë së përbashkët konsiderohet i barasvlershëm.
  • Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët, nëse nuk janë marrë vesh ndryshe.
  • Pasuria e bashkëshortëve e fituar bashkërisht përmes lojërave të fatit konsiderohet pasuri e përbashkët.
  • Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve të përfshin kontributet pensionale, të drejtat sendore dhe të detyrimeve.

Propozimi i INJECT për nenin 1183

Të largohet Neni 1183 (Marrëveshja paramartesore ose martesore lidhur me pasurinë e fituar gjatë martesës)

 

Propozimi i INJECT për nenin për nenin 54

KODI CIVIL TA PËRMBAJË EDHE NENIN 54 TË LIGJIT PËR FAMILJEN !

Neni 54. Vlerësimi i pasurisë së përbashkët në rast të mosmarrëveshjes

  1. Nëse nuk arrihet marrëveshja në kohën kur pjesa e secilit prej bashkëshortëve i takon pasurisë së përbashkët, ajo duhet të vendoset nga gjykata. Vendimi duhet të bazohet në kontributin e bashkëshortëve, përmes vlerësimit të të gjitha rrethanave dhe jo duke marrë parasysh vetëm të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort, por edhe ndihmën e njërit prej bashkëshortëve të ofruar bashkëshortit tjetër, si kujdesin për fëmijët, udhëheqjen e punëve të shtëpisë, përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e pasurisë si dhe çfarëdo forme tjetër të punës dhe të bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët.
  • Gjykata kompetente vendos po ashtu në rast të mosmarrëveshjes lidhur me pjesët e pasurisë së bashkëshortëve të paraparë sipas këtij neni.

 

Neni 1431, Shtrirja e alimentacionit

Vëllimi i alimentacionit varet nga standardi jetësor në martesë. Mbajtja e gjendjes së jetesës kërkon gjithashtu shpenzime për sigurim të përshtatshëm shëndetësor dhe shpenzimet për arsimim të mëtejmë apo rikualifikim në përputhje me nenin 1432, paragrafin 3, të këtij libri.

Propozimi i INJECT për nenin 1431

  1. Vëllimi i alimentacionit varet nga standardi jetësor në martesë para inicimit të kërkesës për mbajtje financiare dhe alimentacion. Mbajtja e gjendjes së jetesës kërkon gjithashtu shpenzime për sigurim të përshtatshëm shëndetësor, shpenzimet për arsimim të mëtejmë apo rikualifikim në përputhje me nenin 1432.
  2. Shtrirja e alimentacionit duhet bëhet në përputhje me nenin 1456 (Parimet e përcaktimit të mbajtjes financiare dhe alimentacionit). Në rast të zvogëlimit të të ardhurave të të paditurit, gjykata duhet të kërkojë vërtetim të ekspertizës mjeko-ligjore për arsyet e zvogëlimit të të ardhurave.

 

 

Neni 1266, Ushtrimi i kujdesit në rastin e ndarjes së prindërve

1. Nëse prindërit jetojnë ndaras, kujdesin prindëror e ushtron prindi me të cilin jeton fëmija nëse me këtë pajtohet prindi tjetër.

2. Nëse në rastin e jetës së ndarë prindërit nuk merren vesh se me cilin prej tyre do të jetojë fëmija, vendimin lidhur me këtë gjë e merr gjykata kompetente, nëse me këtë libër nuk është caktuar ndryshe.

3. Në rastet kur prindërit jetojnë të ndarë, janë të shkurorëzuar ose martesa e tyre është e anuluar me vendim të gjykatës ose të organit tjetër kompetent, dhe fëmija i është besuar për ruajtje dhe edukim njërit prind, kujdesin prindëror e ushtron prindi të cilit i është besuar fëmija.

4. Gjatë kohës së ekzekutimit të masës gjyqësore, kujdesin prindëror e ushtron prindi të cilit me aktvendim i është urdhëruar të zbatojë masën.

Propozimi i INJECT për nenin 1266

[këtij neni i shtohet edhe një paragrafi 5 si në vijim]

5. Në rastet kur prindërit jetojnë të ndarë, janë të shkurorëzuar ose martesa e tyre është e anuluar me vendim të gjykatës, prindi i cili e ushtron kujdesin prindëror sipas vendimit të gjykatës, mund të udhëtojë me fëmijë jashtë vendit pa autorizimin e prindit tjetër.

 

 

Neni 1453, Masat e përkohshme ex-officio për mbajtjen e fëmijës

  1. Në kontestet për mbajtje financiare të fëmijëve, në kontestet për kujdestarinë dhe në kontestet ku mbajtja financiare e fëmijës vendoset ex officio, gjykata përcakton ex officio masa të përkohshme për mbajtje financiare nëse të dy prindërit nuk kontribuojnë efektivisht ne mbajtjen financiare të fëmijës.
  2. Nëse prindi i cili mbi bazë të vendimit të gjykatës është i detyruar të ofrojë shumën e përcaktuar për mbajtje financiare, nuk i kryen detyrimet e tij rregullisht, Organi i Kujdestarisë në bazë të kërkesës së prindit tjetër apo si pjesë e detyrës së tij zyrtare ndërmerr të gjitha masat e domosdoshme për t’i ofruar fëmijës mbajtje financiare të përkohshme në përputhje me dispozitat mbi mbrojtjen sociale të fëmijëve.
  • Masa duhet të zgjasë për aq sa prindi i nuk i përmbush detyrimet e tij.

4. Ndaj këtij prindi do të inicohet zbatimi i masave nëse kjo është e domosdoshme.

Propozimi i INJECT për nenin 1453

  1. Në kontestet për mbajtje financiare, për kujdestarinë dhe në kontestet ku mbajtja financiare vendoset ex officio, gjykata mund të përcaktojë ex officio masën e përkohshme të paradhënies për mbajtje financiare për ish-bashkëshortin/en apo alimentacion.
  2. Paradhënia përcaktohet nga gjykata në rastet kur prindi, i cili mbi bazë të vendimit të gjykatës është i detyruar të ofrojë shumën e përcaktuar për mbajtje financiare, nuk i kryen apo nuk ka mundësi t’i kryej obligimet e tij.
  3. Paradhënia për mbajtje financiare të përkohshme të bëhet sipas standardit jetësor në martesë.
  4. Paradhënia për fëmijën duhet të ofrohet nga shteti pa marrë parasysh të ardhurat e prindit kujdestar.