1. Sundimi i ligjit: INJECT ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në përmirësimin e legjislacionit përmes iniciativave të avokimit për ndryshimet në ligjet që prekin të drejtat e grave dhe mbrojtjen e tyre. Nëpërmjet avokimit të INJECT, Ligji për Familjen është ndryshuar në vitin 2019 për të garantuar qasjen në gjysmën e pasurisë martesore për gratë. Për momentin, bazuar në kërkesën tonë dhe propozime konkrete amendamentimi, Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje është duke u ndryshuar për të specifikuar dhunën ekonomike dhe psikologjike në martesë. Vitin e kaluar kemi avokuar që Kodi Civil i Kosovës të mos miratohet për shkak të mosrregullimit të fushave që kanë të bëjnë me çështjet që prekin jetën e grave dhe Kodi Civil tani është duke u ndryshuar me propozimet që i kemi dërguar në Ministrinë e Drejtësisë.
INJECT kontribuon në rritjen e kapaciteteve të institucioneve gjyqësore përmes hulumtimeve ligjore, trajnimeve për gjyqtarë, prokurorë dhe policë. Bashkëpunimi ynë me këto institucione bazohet me memorandumet e bashkëpunimit që kemi me to.
2. Fuqizimi i grave: Në kuadër të programit tonë të fuqizimit të grave, puna jonë është e fokusuar në ofrimin e ndihmës juridike falas (kryesisht në rastet e bazuara në dhunën me bazë gjinore, divorcin, ndarjen e pronës dhe mirëmbajtjen financiare, monitorimin gjyqësor dhe trajtimin psikosocial për gratë që kanë përjetuar dhunë në familje.
3. Ngritja e vetëdijes: Shoqëria kosovare ende karakterizohet me norma patriarkale dhe diskriminim gjinor. Fatkeqësisht, diskriminimi ndodhë edhe brenda institucioneve. Për këtë arsye, INJECT synon të informojë dhe ndërtojë kapacitetet e shoqërisë përmes programit të saj të ndërgjegjësimit. INJECT organizon takime me qytetarët dhe OJQ, zhvillon kampanja, merr pjesë në debate televizive, shkruan artikuj dhe i shpërndan ato përmes mediave dhe faqeve të mediave sociale.