Duke u ngarkuar...
2023-04-20

PROCEDURAT E SHKURORËZIMIT

Shkurorëzimi është njëra nga mënyrat e shuarjes së martesës, respektivisht shuarjes së martesës së vlefshme. Me anë të shkurorëzimit bëhet zgjidhja e martesës me procedurë gjyqësore para gjykatës themelore kompetente dhe përfundon me një vendim gjyqësor pas inicimit të procedurës gjyqësore nga njëri bashkëshortë apo të dy së bashku.

Për të iniciuar procedurën e shkurorëzimit, njëri nga bashkëshortët apo të dy së bashku me marrëveshje mund të paraqesin padi për shkurorëzim në Gjykatën Themelore kompetente.

Për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim kompetente është Gjykata Themelore në të cilën bashkëshorti i paditur e ka vendbanimin apo Gjykata Themelore ku bashkëshortët kanë pasur vendbanimin e fundit të përbashkët.

Shkaqet për të kërkuar shkurorëzim

Shkurorëzimi mund të kërkohet vetëm për shkaqet e caktuara me ligj. Prandaj, padia ose propozimi përbashkët për shkurorëzim duhet ti referohet njërës ndër shkaqet e parapara në nenin 69 të LFK, ndërsa vendimi i gjykatës i cili lejon shkurorëzimin duhet të jetë i bazuar po në këto shkaqe.

Shkaqet për shkurorëzim sipas Ligjit për familjen neni 69 janë:

1.  Bashkëshorti mund të kërkoj shkurorëzim kur marrëdhëniet martesore janë çrregulluar seriozisht ose në mënyrë të vazhdueshme, ose për shkaqe të tjera është zgjidhur në mënyrë të pakthyeshme.

2.   Shkaqet e shkurorëzimit janë në mes tjerash:

  • jeta e padurueshme e bashkëshortëve,
  • shkelja e besnikërisë bashkëshortore,
  • veprat penale kundër jetës së bashkëshortit, keqtrajtimi serioz, lënia qëllimkeqe dhe e paarsyeshme,
  • sëmundja psikike e pashërueshme dhe pa aftësia e vazhdueshme për të vepruar,-
  • ndërprerja e paarsyeshme e jetës faktike për më shumë se një vit dhe shkurorëzimi me marrëveshje të dyanshme.

Për arsye të mbrojtjes së fëmijës dhe nënës, bashkëshortët nuk kanë të drejtë të parashtrojnë padi për shkurorëzim gjatë shtatzënisë së gruas dhe derisa fëmija i tyre i përbashkët ti mbush një (1) vit.

Çështje tjera të ndërlidhura me shkurorëzimin

Së bashku me propozimin për shkurorëzim, bashkëshortët janë të detyruar të parashtrojnë marrëveshjen me shkrim për përkujdesjen, edukimin dhe ushqimin e fëmijëve të tyre të përbashkët si dhe për mënyren se si do të garantohet kontakti mes fëmijëve dhe prindërve në të ardhmen.

Në padinë për shkurorëzim palët mund të parashtrojnë kërkesë edhe për mbajtjen financiare, pagimin e alimentacionit për fëmijët, apo të ja paraqesin gjykatës së bashku me padinë edhe marrëveshjen e përbashkët për mbajtjen financiare të fëmijëve,

Mbiemri

Bashkëshorti i cili ka ndryshuar mbiemrin në rastin e martesës, pas zgjidhjes së saj mund të marrë mbiemrin e mëparshëm, duke kërkuar në padinë për shkurorëzim që gjykata të merr vendim edhe për ndryshimin e mbiemrit.

Deklarata për marrjen e mbiemrit të mëparshëm duhet të jepet brenda afatit prej gjashtë muajve pas zgjidhjes së martesës dhe duhet t’i paraqitet ofiqarit i cili mban regjistrin amë të të martuarve.

 

Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut