“E drejta e bashkëshortëve në ushqimi është një e drejtë e cila ekziston midis bashkëshortëve deri sa janë në martesë apo bashkëjetesë, por edhe pas zgjidhjes së martesës nën kushtet e përcaktuara me ligj.[1] Mbajtja financiare apo „ushqimia” i referohet detyrimit financiar ndaj bashkëshortit/es. Dallimi mës alimentacionit dhe ushqimisë është se ushqimia është obligim apo mbajtje financiare ndaj bashkëshortes/it, ndërsa alimentacioni është obligim apo mbajtje financiare për fëmijet. Udhqimia është përkrahje financiare për ish-bashkëshorten/in. Mbajtja financiare pas divorcit, saktësisht ushqimia, do të thotë që ish-bashkëshorti/ja paguan një shumë që caktohet nga gjykata, e cila paguhet në baza mujore dhe vazhdon ose për një periudhë të përcaktuar (afat vjetësh) ose për pjesën e mbetur të jetës së palëve. Përfundon në rastet kur ish bashkëshorti tjetër hynë në lidhje tjetër martesore ose gjendja financiare ju përmirësohet dhe mbajtja financiare nuk është më e nevojshme.
Edhe pse termin e ka “ushqimi”, që për bazë ka fjalën ushqim, kjo dispozitë nuk kufizohet vetem tek financimi i ushqimit, por përfshinë edhe të drejtën për financim të banimit, veshmbathjes, sigurimit shëndetësor dhe financimit të shkollimit. Kjo vlen kur ish-bashkeshorti/ja nuk është në marrëdhenje pune, që do të thotë; nuk punon, nuk merr pagë. Vlen edhe kur të divorcuarit nuk kanë fëmijë.
“Bashkëshorti që kujdeset për fëmijët e mitur ka të drejtën të kërkojë ushqiminë edhe në rastet kur do të ishte në gjendje të punojë, por vendosë që të kujdeset për fëmijët.[2] Përqindja e punësimit të grave vazhdon të jetë disproporcionalisht më e ulet sesa e burrave. Pas divorcit, gratë gjenden në krizë financiare dhe janë të varura financiarisht. Shumë prej tyre, të cilat gjatë bashkëjetesës apo martesës kanë qëndruar në shtëpi duke i udhëhequr punët e shtëpisë, kujdesin dhe edukimin e fëmijeve, e kanë të vështirë që mënjëherë pas divorcit të gjejnë punë. Në rastet tjera, e kanë të pamundur që të punësohen sepse duhet vazhduar kujdesin për fëmijet 24/7 kur ata janë të mitur. Për dallim nga gratë, burrat qëndrojnë më mire financiarisht, prandaj gratë janë ato që në numer më të madh kanë nevojë për mbajtje financiare pas divorcit, e burrat kanë detyrim financiar ndaj ish-bashkëshortes.
Arsyet e shkëputjes së kontratës martesore dallojnë nga njëri rast në tjetrin. Vendimi për divorc nga të dyja palët, deri në një pikë, mund të kosiderohet si hap i thjeshtë, sidomos kur të dy palët janë dakord se martesa duhet të përfundohet. Vështirësitë paraqitën në procesin e ndarjes se pasurisë së përbashkët, realizimin e mbajtjes financiare, pra alimentacionit dhe ushqimisë. Përkundër që ushqimia është e drejtë që takon me ligj edhe pas përfundimit të bashkëjetesës, sipas një hulumtimi të INJECT, del “se 78% të grave nuk marrin ushqimi.” [3]
Edhe atëherë kur gjykata përcakton shumën e ushqimisë, ka raste kur shuma e përcaktuar nuk mbulon shpenzimet për të kaluar muajin denjësisht. Për shumën apo shtrirjen e ushqimisë, në dispozitën e nenit 305 të Ligjit të Familjes të Kosovës “përcaktohet shtrirja e ushqimisë dhe si kriter për vëllimin merret standardi jetësor, duke përcaktuar njëkohësisht se brenda shtrirjes së ushqimisë përfshihen edhe shpenzimet për sigurim të përshtatshëm shëndetësor dhe shpenzimet për arsimim të mëtejmë. Në këtë kontekst nga interpretimi i dispozitës nënkuptohet se me rastin e caktimit të ushqimisë duhet të merren në konsideratë standardi jetësor, por brenda këtij koncepti për vëllimin duhet të merren parasysh edhe çështja e sigurimit të përshtatshëm shëndetësor dhe arsimimi i mëtejmë.”[4]
Për shkak të “neglizhencës se gjykatave që të përmbarojnë shumën”[5] apo mos fuksionimi i mirë i mekanizmave që detyrojnë personin përgjegjës që ta realizojë pagesën e ushqimisë kur i obliguari ka mundësi financiare, gratë nuk mund ta realizojnë këtë të drejtë. Tjetra është që gratë nuk janë të vetëdijshme që ushqimia u takon me ligj dhe se e drejtë e tyre është që të ju mundësohet mbajtja financiare që synon të ndihmojë një bashkëshort që nuk ka punuar gjatë martesës ose fiton shumë më pak se bashkëshorti tjetër në sigurimin e nevojave të tyre financiare pas divorcit. Për bashkëshortët që kanë punuar në shtëpi, ata/ato mund të mos kenë aftësitë, arsimin ose përvojën për të gjetur një punë që i mbështet ose ruan standardin e jetesës, dhe për ketë ju duhet mbeshtetje derisa të arrijnë që vet’ të sigurojnë të ardhura përmes burimeve tjera.
-----------------------
[1] Hulumtim ligjor rreth ndarjes së pasurisë përbashkët dhe mbajtjes financiare: ligji dhe praktika gjyqësore në Kosovë; fq. 46. Qershor 2021.
[2] Hulumtim ligjor rreth ndarjes së pasurisë përbashkët dhe mbajtjes financiare: ligji dhe praktika gjyqësore në Kosovë; fq. 48. Qershor 2021.
[3] Pasurija e përbashkët dhe mbajtja financiare; fq. 61. 2019.
[4] Pjesëtimi i pasurisë së përbashkët dhe mbajtja financiare; Ligji dhe praktika gjyqësore në Shqipëri, Kosovë. Qershor 2021. fq. 35.
[5] Pasurija e përbashkët dhe mbajtja financiare; fq. 61. 2019.
-----------------------
Ky shkrim u realizua në kuader të projektit “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Mbroni ato!” përkrahur nga Ministrija e Jashtme Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci dhe Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara.
Opinionet e shprehura në këtë botim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Jashtme Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.