
Njohuri të përgjithshme në lidhje me sistemin gjyqësor të Kosovës
Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat të cilat janë të themeluara me ligj dhe që ushtrojnë funksionin e ndarjes së drejtësisë. Ato janë janë unike, të pavarura, të drejta, jopolitike, të paanshme, barabartë dhe të qasshme për cdo person fizik apo juridik. Gjykatat lëndët e tyre i gjykojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në bazë të legjislacionit në fuqi. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit dhe marrjes së vendimeve janë të pavarur, të paanshëm, të pandikuar në çfarëdo mënyre nga asnjë person fizik apo juridik, përfshirë edhe organet publike.
Në Kosovë sistemi i gjykatave përbëhet nga:
- Gjykatat Themelore
- Gjykata e Apelit
- Gjykata Supreme
Gjykata Themelore
Gjykatat Themelore janë gjykata të shkallës së parë në territorin e Republikës së Kosovës, të cilat kanë juridiksion të përgjithshëm në territorin ku ato veprojnë. Gjykatat themelore bëjnë shqyrtimin e çështjes bazuar në padinë që pala e ka bërë inicimin e procedures kontestimore si dhe më pastaj duke shqyrtuar lëndën, faktet dhe duke u bazuar në legjislacionin përkatës.
Gjykatat Themelore si gjykata të shkallës së parë janë të ndara në 7 qytetet e Kosovës dhe me degët e tyre në qytet e tjera. Bazuar në nenin 9 të Ligjit për gjykatat Gjykatat Themelore kanë juridiksion në (shiqo këtu)
2.1. Gjykata Themelore e Prishtinës është me seli në Prishtinë dhe e cila vepron për territorin e Komunës së Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Gllogovcit dhe të Graçanicës;
2.2. Gjykata Themelore e Gjilanit është me seli në Gjilan dhe vepron për territorin e Komunës së Gjilanit, Kamenices, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, Vitisë, Kllokotit dhe Vërbocit;
2.3. Gjykata Themelore e Prizrenit është me seli në Prizren dhe vepron për territorin e Komunës së Prizrenit, Dragashit, Suharekës dhe Mamushës;
2.4.Gjykata Themelore në Gjakovë është me seli në Gjakovë dhe vepron për territorin e Komunës së Gjakovës, Malishevës, dhe Rahovecit;
2.5. Gjykata Themelore e Pejës është me seli në Pejë dhe vepron për territorin e Komunës së Pejës, Deçanit, Junikut, Istogut dhe Klinës;
2.6. Gjykata Themelore e Ferizajit është me seli në Ferizaj dhe vepron për territorin e Komunës së Ferizajit, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit;
2.7. Gjykata Themelore e Mitrovicës është me seli në Mitrovicë dhe vepron për territorin e Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajit dhe Vushtrrisë.
Organizimi i brendshëm i gjykatave themelore
Në kuadër të gjykatave themelore, veprojnë edhe departamentet dhe divizionet përkatëse.
- Departamenti për Krimet e Rënda
- Departamenti i Përgjithshëm,
- Departamenti për të Mitur.
GJYKATA E APELIT
Gjykata e Apelit është gjykatë e shkallës së dytë që ka juridiksion për gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ka selinë në Prishtinë.
Si gjykatë e instancës së dytë ajo është kompetente që të shqyrtojë në bazë të ankesave të ushtruara nga palët që janë të pakënaqura në lidhje me vendimet gjyqësore të gjykatës themelore.
Organizimi i Brendshëm i Gjykatës së Apelit
Gjykata e Apelit shqyrton dhe gjykon lëndët në kolegj prej tre gjyqtarëve dhe në kuadër të kësaj gjykate vepron:
1. Departamenti i Përgjithshëm;
2. Departamenti për Krime të Rënda;
3. Departamenti special për lëndët në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
4. Departamenti për Çështje Ekonomike;
5. Departamenti për Çështje Administrative;
6. Departamenti për të Mitur.
GJYKATA SUPREME
Gjykata supreme është institucioni dhe instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë, me seli në Prishtinë por që ka juridiksion territorial në tërë Republikën e Kosovës.
Gjykata Supreme në bazë të ligjit Nr. 06/L - 054 PËR GJYKATAT neni 25 është kompetente të vendosë lidhur me:
1.kërkesën për mjetet e jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të Republikës së Kosovës, siç është paraparë me ligj;
2. revizionin kundër vendimeve të shkallës së dytë të gjykatave në çështjet kontestimore, siç është paraparë me ligj;
3. gjykata Supreme vendos në shkallë të tretë për ankesat e lejuara me ligj;
4. çështje të tjera të parapara me ligj.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.