Garantimi i të drejtave pronësore të grave ende mbetet një sfidë për shumë gra, të cilat të drejtat e tyre pronësore ende nuk zbatohen dhe mohohen edhe pse është një e drejtë e garantuar me Ligj dhe me Kushtetutë, e drejtë e cila lidhet ngushtë me mirëqenien ekonomike të çdo gruaje.
Posedimi dhe zotërimi i pronësisë dhe e drejta për të qenë pronare e pronës mbetet faktor i rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të gruas, fuqi në pavarësi ekonomike, vendimmarrje të pavarur në shoqëri dhe në familje. Edhe pse e drejta e pronësisë është e drejtë e garantuar me ligj, në praktikë gratë hasin shumë vështirësi në realizimin e kësaj të drejte shpesh për shkak të mendësisë patriarkale që ekziston në shoqëri por edhe për shkak të mos vetëdijesimit dhe jo informimit të grave në lidhje me të drejtat e tyre për pronë. Në të kaluarën e shoqërisë tonë por që vazhdon edhe sot e kësaj dite, ekziston mendimi që gratë të mos trashëgojnë tek familja e saj e gjinisë pasi që ajo e njëjta do të krijojë familje të re dhe do të trashëgojë nga burri, e që gruaja has probleme të shumta edhe në marrjen e trashëgimisë tek familja e saj e më pastaj edhe tek ndarja e pasurisë së përbashkët me bashkëshortin, duke e lënë në një pozitë të vështirë për realizimin e të drejtave të saj në pronë.
Në nenin 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është deklaruar mbrojtja e pronës e cila pohon se “E drejta e pronës është e garantuar”, duke aluduar në barazinë dhe të drejtat e përbashkëta pa marrë parasysh gjininë. Legjislacioni jonë ka të rregulluar me Ligjin për Trashëgiminë, Ligjin për Familjen, Ligjin për të Drejtat Sendore dhe Pronësore si dhe me akte nënligjore të drejtat e grave në pronë.
Ligji për Trashëgiminë e Kosovës, definon qartë ndarjen e trashëgimisë në mënyrë të barabartë në mes trashëgimtarëve, kjo është e paraparë në paragrafin 1 i nenit 3 të Ligjin për Trashëgiminë i Kosovës që përcakton se, “Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”. Duke lënë të qartë se ndarja e trashëgimisë bëhet në mënyrë të barabartë ndërmjet trashëgimtarëve të gjinisë mashkullore dhe asaj femërore. Ligji për Trashëgiminë i Kosovës gjithashtu mbron edhe pozitën e gruas së trashëgimlënësit duke e rregulluar me dispozitë të veçantë pjesën të cilën e trashëgon bashkëshortja pas vdekjes së bashkëshortit. Bashkëshortja, në bazë të trashëgimisë me ligj, është trashëgimtar i radhës së parë, ndaj ajo thirret në radhë të parë, në trashëgim, së bashku me fëmijët. Të gjithë trashëgimtarët e radhës së parë trashëgojnë në pjesë të barabarta.
Në bazë të Ligjit të Familjes për ndryshim plotësimin, është rregulluar pjesa e ndarjes së pasurisë së përbashkët ne mes të dy bashkëshortëve pa marrë parasysh se a është martesë me kurorë apo bashkësi jashtë martesore, të drejtat dhe detyrimet konsiderohen të barabarta sipas ligjit. Në bazë të këtij ligji sipas nenit 47, paragrafi konsiderohet se “Pasuri e përbashkët e bashkëshortëve është pasuria e fituar me kontribut të përbashkët gjatë vazhdimit të martesës, si dhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë” , paragrafi i 2-të i këtij neni pohon se “Kontribut i përbashkët i bashkëshortëve gjatë vazhdimit të martesës konsiderohet: 2.1. të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort; 2.2. ndihma e bashkëshortit e afruar bashkëshortit tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, udhëheqja e punëve të shtëpisë, përkujdesja dhe mirëmbajtja e pasurisë, si dhe çfarëdo forme tjetër e punës dhe e bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët”. Ky paragraf mbron pozitën e gruas dhe të drejtat e saj në pronësi dhe në pasurinë e krijuar, duke u perfshirë përpos të ardhurave personale dhe të hyrat e bashkëshortit, është e përfshirë edhe ndihma e bashkëshortit/es në punët e shtëpisë, kujdesi, mirëmbajtja dhe cdo formë tjetër që ndikon në shtimin e pasurisë së përbashkët.
Një mbrojtje e të drejtës së gruas në pronësi gjatë martesës është edhe dispozita për pasurinë e përbashkët të bashkëshortëve LFK, me dispozita të veçanta nga neni 50, e ka përcaktuar çështjen e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Me dispozitën e nenit 50 paragrafi 2, është përcaktuar se: “Kur vetëm njëri prej bashkëshortëve regjistrohet si bartës i së drejtës pronësore për pasurinë e përbashkët në regjistrin e të drejtave në pasuri të patundshme, do të konsiderohet se regjistrimi është bërë në emër të dy bashkëshortëve. Pasuria nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e të dy bashkëshortëve, ashtu siç është përcaktuar me ligjin në fuqi”. Përmbajtja e këtyre dy dispozitave është jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se vendos garancionin e pamundësisë që të disponohet pasuria e përbashkët vetëm nga njëri prej bashkëshortëve, si dhe mbron të drejtat e grave në Kosovë, ngase për shkak edhe të traditës por edhe të rrethanave ekonomike e sociale për një periudhë relativisht të gjatë ka qenë zakon regjistrimi të drejtave në pasuri vetëm në emër të burrave.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut