Duke u ngarkuar...
2021-07-21

Alimentacioni dhe Mbajtja Financiare

Detyrimi për ushqim është një detyrim ligjor, pa kundërshpërblim dhe me karakter personal, në bazë të të cilit një apo disa anëtarë të familjës detyrohen të sigurojnë mjete për jetesë për anëtarët e tjerë të familjës që janë të paaftë për punë dhe që nuk kanë mjete të mjaftueshme për të jetuar.

Duke pasur parasysh rëndësinë që e ka, mbajtja financiare është rregulluar me dispozitat ligjore imperative të Ligjit të Familjes së Kosovës. Sipas dispozitës së nenit 278 par.1 të LFK-së, mbajtja financiare nënkupton detyrimin financiar dhe material, dhënien e ushqimit dhe të mirave materiale të domosdoshme për plotësimin e nevojave për jetesë të personit të mbajtur, nën kushtet e përcakuara me ligj. Detyrimi financiar dhe material është detyrim reciprok jo vetëm midis prindërve dhe fëmijëve, por edhe midis anëtarëve të familjes në shkallë të caktuar.

Kështu sipas dispozitave të LFK-së, nenit 282, detyrimin për mbajtje financiare e kanë sipas radhës:

    • Bashkëshorti është fillimisht i detyruar t’i japë mbajtje financiare bashkëshortit tjetër;
    • Në rast se detyrimi për mbajtje financiare ekziston ndërmjet disa të afërmve, së pari kanë detyrim pasardhësit e pastaj të afërmit e vijës paraardhëse;
    • Detyrimi për dhënien e mbajtjes financiare për personat në gjini të gjakut caktohet sipas radhës me të cilën mund të thirren në trashëgimi;
    • Ndërmjet disa të afërmve, të cilët janë në marrëdhënie të natyrës së njëjtë, të gjithë këta kanë detyrime në proporcion me mundësitë e tyre financiare. Personi, i cili drejtpërdrejt përkujdeset për fëmijën në kujdesin e tij shtëpiak e përmbushë pjesën e tij duke siguruar kujdesin dhe shkollimin.

Kjo dispozitë ligjore, e në veçanti paragrafi i fundit duhet interpretuar në atë kuptim që në rastet kur personi që kujdeset për fëmijët, përfshirë edhe fëmijët e moshës së mitur, ka të drejtë për mbajtje finaciare për veten dhe fëmijët nga bashkëshorti/bashkëshortja.

E drejta e mbajtjes është personale, ndërsa ofrimi i mbajtjes është detyrim ligjor dhe jepet vetëm për kohën e ardhshme e jo edhe për kohën e kaluar dhe kjo e drejtë nuk parashkruhet.

Këto trajnime u organizuan në kuadër të projektit: Sigurimi i qasjes se grave në drejtësi përmes ngritjes së përgjegjësisë institucionale financuar nga UNMIK