Sipas LFK-së, nenit 297 ushqimia është mbajtje financiare e bashkëshortëve apo ish-bashkëshortëve. Pastaj në nenet 299 rregullohet ushqimi për kujdesin e fëmijës, neni 300 rregullon ushqiminë për shkak të moshës dhe neni 301 rregullon ushqiminë për shkak të sëmundjes apo paaftësisë përcaktohen rastet kur mbajtja është e detyrueshme.
Ndërsa neni 305 përcakton dhe rregullon shtrirjen e ushqimisë, ku decidivisht thuhet se “Vëllimi i ushqimisë varet nga standardi jetësor në martesë. Mbajtja e gjendjes së jetesës kërkon gjithashtu shpenzime për sigurim të përshtatshëm shëndetësor dhe shpenzimet për arsimim të mëtejmë apo rikualifikim në përputhje me nenin 306”.
Edhe neni 285 e përcakton poashtu shtrirjen e mbajtjes, e cila “duhet të jetë adekuate me kushtet nën të cilat ka jetuar personi që ka të drejtë në mbajtje. Në rast se personi ka jetuar në kushte të rënda, mbajtja duhet të sigurojë së paku minimumin që nevojitet për të mbajtur një jetë të rëndomtë
dinjitoze. (2) Mbajtja përfshinë të gjitha kërkesat e domosdoshme për jetë, duke përfshirë të gjitha shpenzimet e domosdoshme për trajnim dhe shkollim për të fituar profesion.”
Në praktikë, ka raste kur gjykatat thirren në standardin jetësor në Kosovë, duke anashkaluar caktimin e ushqimisë në bazë të standardit jetësor në martesë. Dispozitat ligjore e kanë përcaktuar drejtë dhe asisoji, meqë qytetarët kanë standarde të ndryshme dhe mundësi të ndryshme financiare, prandaj edhe kërkohet që mbajtja dhe ushqimia të jenë në proporcion me të gjitha mjetet e disponueshme, siç edhe kërkohet me nenin 330 (Parimet e përcaktimit të mbajtjes dhe alimentacionit) si në vijim:
- Detyrimi për të dhënë mbajtje financiare ose alimentacion përcaktohet në proporcion me të gjitha mjetet e të paditurit dhe brenda kufijve të nevojave të paditësit.
- Gjykata duhet të ketë parasysh gjendjen financiare të të paditurit, aftësinë për të punuar, mundësinë faktike për punësim, kushtet shëndetësore, nevojat personale, detyrimet ligjore dhe të gjitha kushtet tjera relevante.
- Kur alimentacioni kërkohet për fëmiun, gjykata merr parasysh moshën e fëmiut dhe të gjitha nevojat për edukim dhe arsimimin.
Shuarja e detyrimit të mbajtjes përcaktohet me dispozitat përkatëse në rastet e caktuara të paraqitura dhe bëhet me vendim gjyqësor.
Këto trajnime u organizuan në kuadër të projektit: Sigurimi i qasjes se grave në drejtësi përmes ngritjes së përgjegjësisë institucionale, financuar nga UNMIK