Në disa raste bashkëshortët përkatësisht prindërit mundohen t’i shmangen pagesës së alimentacionit duke deklaruar rrejshëm dhe në mënyrë jo të saktë të dhënat financiare të cilat ata kanë dhe që i realizojnë, pastaj mbyllja e llogarive bankare, tjetërsimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, shmangia e pranimit të të hollave përmes llogarisë bankare, duke preferuar pranimin e pagave me para të gatshme,dhe rrethanat tjera.
- LFK i ka dhënë rol aktiv dhe shumë mundësi gjykatës që të zhvillojë hetime në rastet kur vendoset për besimin e fëmijëve dhe alimentacionin pasi që këto janë dispozita detyruese ius cogens. Në këtë kontekst, gjykata, bazuar në dispozitat respektive të procedurë civile gjyqësore në fuqi, janë të autorizuara që të kërkojnë nga Bankat dhe institucionet tjera financiare që të zbulohet realisht se sa janë mundësitë dhe cilat janë kushtet reale të bashkëshortëve, përkatësisht prindërve, andaj edhe mbi bazën e të dhënave të fituara nga këto hetime të gjykatës, ajo vendosë edhe mbi lartësinë e pagesës së alimentacionit. Këto hetime të gjykatës nuk janë të karakterit penal, pasi që sipas LFK-së, LPP dhe LPK-së e gjithë veprimtaria e gjykatave civile është në funksion të gjetjes së pasurisë me qëllim të përmbushjes së detyrimit civil, e në rastin konkret atë të alimentacionit.
Me qëllim të shmangies së mundësisë së keqpërdorimit që bashkëshortët, përkatësisht prindërit mundohen ta bëjnë për të mos paguar alimentacion gjatë zhvillimit të procedurës, gjykata me vendime të natyrës procedurale, në vazhdimësi i obligon të njëjtit që në vazhdimësi gjatë procedurës të ofrojnë të dhëna për gjendjen e tyre financiare dhe kushtet e jetesës.
- Në praktikën gjyqësore deri më tani nuk kemi arritur të identifikojmë ndonjë rast kur gjykata civile të ketë njoftuar Prokurorinë lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve lidhur me alimentacionin, përkatësisht për rastet e mospërmbushjes së vendimit gjyqësor të formës së prerë përsa i takon alimentacionit, e cila përbën vepër penale sipas dispozitave të Kodit Penal, por që sipas praktikës së deritanishme, një gjë e tillë i mbetet palës së dëmtuar, e cila në të shumtën e rasteve nuk ka njohuri të mjaftueshme të fushës juridike. Në këtë rast gjykata civile do duhej të iniconte procedurën penale duke njoftuar prokurorin e shtetit lidhur me këtë vepër penale, e cila do të ndikonte pozitivisht si preventivë dhe pastaj si masë ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që i shmangen detyrimit ligjor të pagesës së alimentacionit.
Këto trajnime u organizuan në kuadër të projektit: Sigurimi i qasjes se grave në drejtësi përmes ngritjes së përgjegjësisë institucionale financuar nga UNMIK