Institucionet shëndetësore ofrojnë ndihmë për viktimat e dhunës në familje përmes trajtimit shëndetësor e psikologjik falas. Zakonisht, janë akterët e parë që kanë kontakt me viktimën andaj kanë rol të rëndësishëm në identifikimin e rasteve të dhunës në familje. Rastet e identifikuara këto institucione duhet t’i raportojnë në Polici pavarësisht pëlqimit të viktimës. Institucionet shëndetësore japin kontribut edhe duke i njoftuar dhe referuar viktimat tek ofruesit e shërbimeve.
Sipas procedurave standarde të veprimit dhe në përputhje me ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, është Policia ajo që duhet të informojë viktimën lidhur me të drejtën e saj për të kërkuar ndihmë psikologjike si dhe të drejtat tjera që i takojnë sipas ligjit. Këto informacione Policia mund t’ia ofrojë edhe përfaqësuesist të viktimës, nëse ka përfaqësues, apo mbrojtësit të viktimave.
Nevoja për ndihmë psikologjike rrjedh nga pasojat që shkakton dhuna në familje përfshirë uljen e vetëbesimit, stresin post traumatik (PTSD), dhe depresionin. Andaj viktimat duhet t’u referohen institucioneve shëndetësore për kujdesin psikiatrik apo organizatave të tjera joqeveritare për shërbimet e këshillimit. Kjo është edhe kërkesë e Konventës së Stambollit (Neni 20) e cila zbatohet drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës.
Pasojat e dhunës në familje i vuajnë edhe fëmijët. Ata kanë vështirësi në të mësuar, bëhen më agresiv, pastaj disa izolohen dhe vështirë shoqërohen me të tjerët, madje mund të bien edhe në depresion. Sipas një studimi në Australi, të publikuar nga UNICEF, “Behind Closed Doors” -Ndikimi i dhunës në familje tek fëmijët, tregon se 40% e adoleshentëve që tregonin agresivitet kishin qenë dëshmitar të dhunës në familje.
Marrë parasysh të lartëcekurat edhe për fëmijët nevoja për këshillime psikologjike është evidente. Lidhur me këtë cështje Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje kanë përcaktuar se nëse është e nevojshme, fëmijët viktima të dhunës në familje duhet të referohen tek psikologu i fëmijëve apo psikiatëri në qendrat e mjekësisë familjare, qendrat e shëndetit mental ose Qendrën e Shëndetit Mendor për Fëmijë dhe Adoleshentë në kuadër të QKUK në Prishtinë. Referimi i fëmijëve në këto institucione duhet të bëhet në prani të menaxherit të rastit nga QPS.
Pra, përpjekjet për rehabilitim dhe reintegrim të viktimave në shoqëri duhet t’i adresojnë në të njëjtën kohë çështjet në aspektin fizik, psikologjik, social, ekonomik dhe të edukimit me të cilat ato ballafaqohen. Ky është një proces i vazhdueshëm duke filluar që nga identifikimi i viktimës, përkatësisht nga kontakti i parë me akterët institucional deri tek riintegrimi i plotë në shoqëri.
Për një trajtim adekuat të viktimave të dhunës në familje shtetet si Austria kanë obliguar institucionet shëndetësore qoftë publike apo private të kenë Njësi për Mbrojtjen e Viktimave që kanë detyrë identifikimin e viktimave, vecanërisht të dhunës në familje. Kjo është një praktikë e mirë që mund të merret si model.
Për më tepër shteti i Austrisë ofron ndihmë psiko-sociale dhe juridike falas gjatë hetimit dhe procedurës penale me qëllim të uljes së stresit që përjetojnë viktimat kur duhet të përballen me sistemin e drejtësisë. Ndihma e tillë për viktimat e dhunës në familje ofrohet edhe në procedurën civile, më konkretisht me rastin e parshtrimit të padisë për kompensim dëmi apo padisë për zgjidhje të martesës dhe besim të fëmijëve.
Ndihma psiko-sociale ofrohet nga organizatat joqeveritare që trajnohen specifikisht për këtë qëllim dhe ka rezultuar tejet e dobishme për viktimat, sidomos ato të dhunës në familje andaj GREVIO si grup ekspertësh që mbikqyr zbatimin e Konventës së Stambollit e ka konsideruar si praktikë të mirë.
Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi- INJECT të financuar nga European Endowment for Democracy- EED.