Duke u ngarkuar...
2023-05-19

PROCEDURA GJYQËSORE PENALE

Në rast të dyshimit se është kryer ndonjë vepër penale, duhet të zhvillohet procedurë penale pranë organeve të caktuara shtetërore, qëllimi i të cilave është zbulimi se a është kryer vepra penale e pretenduar apo jo dhe nëse po, atëherë ndaj kryerësit të zbatohet dënimi apo masat e tjera sipas ligjit në Kosovë.

 Procedura penale ka katër faza të ndryshme: fazën e hetimit, fazën e ngritjes së aktakuzës dhe deklarimit, fazën e shqyrtimin gjyqësor dhe fazën e mjetit juridik.

  1. Faza e Hetimit

Pas pranimit të informatës për dyshimin e kryerjes së një vepre penale, policia heton nëse ka dyshim të arsyeshëm që është kryer një vepër penale. Policia ka për detyrim që të bëjë hetimin dhe t`i raportojë prokurorit shtetit, të cilët bashkërisht punojnë gjatë veprimeve fillestare. 

 Duke u bazuar në të dhënat dhe provat e mbledhura, policia përpilon kallëzim penal i cili është një akt me të cilën njoftohet prokurori i shtetit për veprën penale dhe kryerësin. Së bashku me të paraqiten provat të cilat ja dorëzon prokurorit të shtetit.

  1. Ngritja e Aktakuzës

Prokurori publik në bazë të provave dhe lëndës, ngrit aktakuzën e cila paraqitet ne Gjykatën Themelore kompetente dhe me këtë rast fillon edhe inicimi i procedures penale. Varësisht se për çfarë vepre penale është ngritur aktakuza, lëndën e vendos një gjyqtar i vetëm gjykues ose trupi gjykues i përbërë nga 3 gjyqtar.

  1. Shqyrtimi fillestar

Shqyrtimi fillestar është seanca e parë që mbahet 30 ditë pas ngritjes së aktakuzës, në këtë shqyrtim duhet të jenë të pranishëm prokurori i shtetit, i pandehuri i cili është personi që akuzohet dhe mbrojtësi i tyre.

Në këtë seancë gjyqtari i jep kopjen e aktakuzës të pandehurit-akuzuarit dhe e udhëzon të pandehurin për të drejtat e tij.

Prokurori në këtë fazë i lexon të akuzuarit aktakuzën dhe gjyqtari pyet se a e kupton aktakuzën dhe veprën penale për të cilen akuzohet dhe të pandehurit i ofrohet mundësia të pranojë fajësinë apo të deklarohet i pafajshëm. I pandehuri mund të pranojë fajësinë dhe të kërkojë gjykim të shkurtuar.

Gjatë këtij shqyrtimi fillestar asnjë dëshmitar apo ekspert nuk mund të merret në pyetje si dhe nuk mund të paraqitet asnjë provë.   

Për veprat penale të dënueshme me gjobë ose/dhe me burgim deri në 3 vjet, gjyqtari i vetëm gjykues ose prokurori i informojnë palët apo i propozojnë të dëmtuarit dhe të akuzuarit që rastin e tyre mund ta zgjidhin  përmes procedures së ndërmjetësimit.

  1. Kundërshtimi i provave

Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues njofton të pandehurin dhe mbrojtësin se para shqyrtimit të dytë, ata mund:

  • të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e cekura në aktakuzë;
  • të paraqesin kërkesat për hedhjen e aktakuzës nëse është e ndalur ligjërisht;
  • të paraqesin kërkesat për hedhjen e aktakuzës për shkak të mospërshkrimit të veprës penale sipas ligjit.
  1.  Shqyrtimi i dytë

Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues cakton shqyrtimin e dytë jo më herët se 30 ditë pas shqyrtimit fillestar dhe jo më vonë se 40 ditë pas shqyrtimit fillestar. Në shqyrtimin e dytë marrin pjesë prokurori i shtetit, i pandehuri- i akuzuari dhe mbrojtësi.

Gjatë shqyrtimit të dytë, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues shqyrton kundërshtimet e provave dhe propozimet që i paraqet i pandehuri për hedhje të aktakuzës.

Gjithashtu edhe në shqyrtimin e dytë sikurse në shqyrtimin fillestar, asnjë dëshmitar apo ekspert nuk merret në pyetje dhe nuk paraqiten prova.

  1. Shqyrtimi gjyqësor

Shqyrtimi gjyqësor nënkupton seancën gjyqësore në të cilen gjykata merr një vendim gjyqësor në lidhje me aktakuzën.

Në  këtë shqyrtim gjyqësor thirret i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, prokurori i shtetit, i dëmtuari dhe përfaqësuesit e tyre ligjor, përfaqësuesit e autorizuar, përkthyesi, dëshmitarët dhe ekspertët e propozuar nga prokurori i shtetit në aktakuzë dhe nga i akuzuari.

Të akuzuarit i dërgohet thirrja jo më vonë se 7 ditë para shqyrtimit gjyqësor që ai të ketë kohë të mjaftueshme ndërmjet dërgimit të thirrjes dhe ditës së shqyrtimit gjyqësor për përgatitjen e mbrojtjes.

Fillimisht në fjalën hyrëse prokurori i shtetit e merr fjalën, e lexon aktakuzën, ku gjyqtari duhet të vlerësojë se i akuzuari a e ka kuptuar akuzën ndaj tij, pastaj i dëmtuari e merr fjalën, e pas tij radhën e ka i akuzuari i cili deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë së tij.

Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues fton palët, të dëmtuarin, përfaqësuesit ligjor, përfaqësuesit e autorizuar, mbrojtësin dhe ekspertët për ti paraqitur provat e tyre dhe për të i`u parashtruar pyetje. 

Në rast se i akuzuari deklarohet i pafajshëm, atëherë procedura vazhdon me shtjellimin e provave, ku fillimisht prokurori i shtetit i paraqet provat e mbledhura, pastaj i dëmtuari nëse ka prova që dëshiron të i paraqesë dhe pas tij i akuzuari i paraqet provat apo kundër-provat përmes mbrojtësit të tij.

Pas administrimit të provave, prokurori dhe mbrojtësi i të akuzuarit parashtrojnë pretendimet e tyre në fjalën përfundimtare.

I dëmtuari ose përfaqësuesi i tyre në fjalën e vet përfundimtare mund të arsyetojë kërkesën pasurore juridike  dhe të i shfaq në dukje provat mbi përgjegjësinë penale të të akuzuarit.

Ndërsa i akuzuari në fjalën përfundimtare  mund të paraqesë argumentet në favor të mbrojtjes dhe mund të komentojë pretendimet e prokurorit dhe të dëmtuarit.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor gjykata merr vendim në afat 15 ditësh.

  1. Faza e marrjes, shpalljes së vendimit gjyqësor- Aktgjykimit

Aktgjykimi është vendim gjyqësor i cili merret dhe shpallet në emër të popullit, ku ndërmjet tij zbatohen masat kundër personave që është vërtetuar që kanë kryer vepër penale.

Gjykata mund të marr këto lloje vendimesh:

  • Aktgjykim refuzues, ku gjykata e refuzon akuzën dhe e liron të akuzuarin;
  • Aktgjykim lirues, ku gjykata e shpall të pafajshëm të akuzuarin dhe e liron nga akuza;
  • Aktgjykim dënues, me të cilën gjykata e shpall fajtor të akuzuarin dhe e dënon sipas ligjit;

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor gjykata, duhet të shpall aktgjykimin menjëherë apo duhet caktuar ditën dhe vendin, duhet ta bëjë shpalljen brenda 3 ditësh.

  1.  Faza e ankesës në Gjykatën e Apelit

Në lidhje me aktgjykimin e gjykatës themelore, palët në procedurë, prokurori i shtetit,  akuzuari dhe i dëmtuari, nëse janë të pakënaqur me vendimin e gjykatës, mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë brenda 15 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit.

Paraqitja e ankesës së personit të autorizuar e cila është paraqitur brenda afatit të caktuar e pezullon ekzekutimin e aktgjykimit.

Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut