Duke u ngarkuar...
2021-01-05

Roli i Institucioneve Arsimore në raport me viktimat e dhunës në familje

Drejtorit Komunale të Arsimit kanë një sërë përgjegjësish sa i përket parandalimit dhe luftimit të fenomenit të dhunës në familje, si dhe mbështetjes së viktimave të kësaj dhune. Në përputhje me legjislacionin në fuqi DKA kanë përgjegjësi edukimin e viktimave të dhunës. Për më tepër institucionet arsimore janë burim i rëndësishëm për identifikimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbështetjen e fëmijëve si viktimë apo dëshmitar të dhunës. Këto institucione kanë po ashtu rol të rëndësishëm në ngritjen e ndërgjegjësimit lidhur me dhunën në familje dhe njoftimin e akterëve të tjerë për rastet e fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje.

Pra në përputhje me legjilacionin në fuqi dhe Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, përgjegjësitë e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe punonjësve të Institucioneve arsimore në raport me viktimat janë:

  1. Vlerësimi i prezencës se dhunës në familje në jetën e fëmijës (nga mësuesi apo psikologu i shkollës) ,
  2. Plotësimi i formës bazike për identifikimin dhe referimin e fëmijëve viktima të dhunës në familje,
  3. Njoftimi i policisë apo Qendrës për Punë Sociale për rastin dhe dorëzimi i formës bazike për identifikimin dhe referimin e fëmijëve,
  4. Ofrimi i përkrahjes për fëmijën ( nga mësuesi ose psikologu i shkollës),
  5. Ofrimi i edukimit për fëmijët që qendrojnë në strehimore sipas ligjit në fuqi (përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë).

Institucionet arsimore kanë kontakt të shpeshtë dhe të rregullt me fëmijët në komunitet dhe si të tilla luajnë rol të rëndësishëm në identifikimin e rasteve të dhunës në familje, prandaj kanë mundësi të raportojnë raste të cilat përndryshe do të ngelnin pa u raportuar.

Nëse punonjësit e institucioneve arsimore dyshojnë se një fëmijë i është nënshtruar ndonjë forme të dhunës në familje, duhet ta njoftojnë organin e kujdestarisë ose policinë për rastin duke ia dorëzuar formën për identifikim dhe referim. Prezenca e dhunës në familje në jetën e një fëmije mund të reflektohet në shëndetin fizik, psikik osë në zhvillimin e fëmijës dhe raporteve të tij/saj me mësimdhënës dhe fëmijë tjerë. Prandaj gjatë vlerësimit të rastit punonjësit duhet kontrolluar gjendjen fizike, simptomet psikomatike, reagimet emocionale, sjelljet dhe aspektet njohëse të fëmijës.

Sa i përket përgjegjësisë për edukimin, kur fëmijët nuk mund të vijojnë shkollën si rezultat i qëndrimit në strehimore, Drejtorati Komunal i Arsimit është i obliguar të mbështesë vijueshmërinë e mësimit të këtyre fëmijëve duke i angazhuar edukatorët dhe mësimdhënësit mbështetës që i kanë për fëmijët me nevoja të veçanta. Sipas “Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje” dhe Planit të Veprimit 2016 – 2020, e cila ka shprehur angazhimin serioz dhe përgjegjësinë për trajtimin me prioritet të fenomenit të dhunës në familje.

Fëmijët që rriten në familje të dhunshme ka mundësi të vazhdojnë ciklin e dhunës si kryerës ose viktima, prandaj me qëllim të ndërprerjes së këtij cikli dhe parandalimit të dhunës Konventa e Stambollit (Neni 14) kërkon përfshirjen e materialeve mësimore në lidhje me barazinë gjinore, rolet gjinore, respektin e ndërsjëllë në të gjitha nivelet e arsimit. Për këtë qëllim në kuadër të lëndës Edukata Qytetare nxënësit  në shtetin tonë mësojnë për të drejtat e njeriut dhe fëmijëve qysh në klasën e IV, kurse për nxënësit e klasëve të IX –ta në teskte shkollore janë përfshirë tematika si raportet gjinore në familje, dhuna në familje e dhuna gjinore. Ministria e Arsimit për këtë qëllim ka publikuar edhe Manualin didaktik për parandalimin e dhunës.

Praktikë e mirë do të ishte edhe rregullimi ligjor i këtij neni  të Konventës. Kështu në Itali me “Ligjin 107/2015”, të gjitha institucionet arsimore janë obliguar të përfshijnë në kurrikulë promovimin e parimeve të barazisë gjinore, si dhe parandalimin e dhunës gjinore e diskriminimit. Implementimi i këtij ligji është mbështetur nga një plan nacional veprimi dhe një buxhet prej 8.9 milion euro. Ministria e Arsimit po ashtu ka krijuar një web aplikacion (www.noisiamopari.it) ku ndahen praktikat më të mira të institucioneve arsimore për parandalimin e dhunës gjinore.

Edhe Republika e Shqipërisë më 2018 ka zgjeruar pëgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit në kuadër të Ligjit për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare (neni 7). Kjo ministri ndër të tjera përgatit tekste shkollore dhe materiale plotësuese për edukimin e nxënësve dhe/ose studentëve me mendësitë e ndalimit të dhunës në familje si dhe parashikon programe për arsimimin parauniversitar e profesional të të miturve dhe të rinjve nga 18 deri në 21 vjeç, që janë dhunues, dhe të të miturve që janë viktima, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin dhe rishoqërizimin e tyre.[1]

Po ashtu me qëllim të parandalimit të dhunës Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknogjisë së Republikës së Shqipërisë, ka organizuar trajnim me psikologët e punonjësit social shkollor lidhur me edukimin feminist. “Edukimi feminist është edukim kundër patriarkalizmit – apo pabarazisë gjinore – që është edhe burimi kryesor i abuzimit, dhunës dhe diskriminimit ndaj vajzave dhe grave”.

Në të dy vendet theksohet se numri i psikologëve e punonjësve social nëpër shkolla do të dyfishohet.

Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi- INJECT të financuar nga European Endowment for Democracy- EED.

---------------

[1] http://differentandequal.org/wp-content/uploads/2019/09/Ligj-nr.9669-dt-18.12.2006.pdf