Fenomeni i diskriminimit gjinor në jetën publike është më se evidente, një nga diskriminimet në baza gjinore që hasim më së shpeshti padyshim është edhe diskriminimi në punë. Diskriminimi gjinor në sferën e punësimit është një rrezik i madh për zhvillimin progresiv të shoqërisë.
Diskriminimi gjinor në vendin e punës vjen në shumë forma të ndryshme, por në përgjithësi do të thotë që një punonjës ose një kandidat për punë trajtohet ndryshe ose më pak në mënyrë të favorshme për shkak të seksit, identitetit gjinor ose orientimit seksual.
Sipas Ligjit të punës neni 3.1.17, përkufizon diskriminimin si çdo dallim që përfshin përjashtim ose dhënie të përparësisë në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, fesë, moshës, gjendjes familjare, mendimit politik, prejardhjes kombëtare ose sociale, gjuhës ose anëtarësisë sindikale, që e ka fuqinë e anulimit ose mosdhënies së mundësive të barabarta për punësim apo profesion apo ngritje profesionale
Diskriminimi gjinor përfshinë dështimin për të promovuar, trajtimin e padrejtë, fitimin e pagave më të ulëta, marrjen e detyrave më pak kërkuese dhe marrjen më pak mbështetje nga mbikëqyrësit apo menaxhmenti në bazë të gjinisë, të gjitha këto praktika të paligjshme të cilat kanë rrënjë në praktikën tonë, kur është në pyetje punësimi.
Diskriminimi gjinor është i ndaluar pothuajse në çdo traktat të të drejtave të njeriut. Kjo përfshin ligjet ndërkombëtare që parashikojnë të drejta të barabarta gjinore midis burrave dhe grave, si dhe ato që i dedikohen posaçërisht realizimit të të drejtave të grave, siç është Konventa për Eliminimin e Diskriminimit Kundër Grave. Diskriminimi gjinor është e parashikuar dhe e rregulluar edhe me kornizën e brendshme ligjore të Republikës së Kosovës dhe me Kushtetutë me anë të së cilës thuhet se Barazia gjinore parashihet “si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore”, neni 7.2 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe e drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit, neni 49.
Kushtetuta e Kosovës në nenin 24, e ka të rregulluar Barazinë para Ligjit, në të cilën sipas saj:
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Ligji i Punës gjithashtu e rregullon çështjen e barazisë gjinore, Neni i 5 i Ligjit të Punës e ndalon diskriminimin në punësim. Kjo ka të bëjë me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës.
Sipas Udhëzimit administrativ nr. 07/2012 për përcaktimin e gjobave dhe shumave specifike për cenimin e dispozitave të Ligjit të Punës, neni 5.2. Për çdo shkelje të dispozitës për ndalim të diskriminimit, aplikohet një gjobë në vlerë midis 100 dhe 10,000 euro. Megjithatë, më vonë në ligj thuhet: “Kur punëdhënësi apo personi përgjegjës bën diskriminim ndaj personave të cilët kërkojnë pune apo punonjësve do të gjobiten në lartësinë e shumës së trefishtë të përcaktuar me dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ”.
Gjithashtu ndalimi i diskriminimit në baza gjinore është e parashikuar edhe me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Neni 1 i këtij ligji përcakton qëllimin e ligjit, ku parashihet se qëllimi i këtij ligji është “përcaktimi i një kornize të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet, origjinës sociale apo kombëtare, racës, etnisë, ngjyrës, lindjes, origjinës, seksit, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, shtetësisë, besimit fetar dhe besimit, përkatësisë politike, mendimit politik apo mendimeve të tjera, gjendjes sociale ose personale, moshës, gjendjes familjare ose martesore, shtatzënisë, lehonisë, gjendjes pasurore, gjendjes shëndetësore, aftësisë së kufizuar, trashëgimisë gjenetike ose ndonjë baze tjetër, me qëllim të zbatimit të parimit të trajtimit të barabartë.”
Edhe pse kemi një kornizë ligjore e cila e ndalon diskriminimin gjinor dhe e rregullon Barazinë gjinore, ende në shoqërinë tonë, kemi diskriminim gjinor, kur kemi të bëjmë me punësimin e grave. Sipas Statistikave të fundit nga Agjencia e Punësimit në Republikën e Kosovës, shkalla e punësimit e grave është vetëm 14.1% në krahasim me atë të burrave që është 42.8 %, ndërsa shkalla e papunësisë tek gratë është 32.3% në krahasim me atë të burrave që është 23.5%.
Andaj nëse hasni në diskriminim gjinor në vendin e punës, apo si kandidat/e për një vend të punës atëherë ju duhet të dini se jeni të mbrojtur me ligj dhe duhet të kërkoni të drejtën tuaj përmes ankesës në vendin e punës apo edhe në instancat gjyqësore.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut