Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur kompetent dhe përgjegjës për ndjekjen e personave të akuzuar për kryerjen e veprave penale dhe veprave të tjera si dhe ushtrimin e mjeteve juridike.
Prokurori i Shtetit dhe secili prokuror para ligjit siguron trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, shoqatave apo lidhjeve politike, besimeve fetare, gjendjes apo të metave shëndetësore, apo pozitës shoqërore.
Prokurorinë e Shtetit e përbëjnë:
- Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, është instanca më e lartë e Prokurorisë së Shtetit me kompetencë në tërë territorin e Republikës së Kosovës e cila është me seli në Prishtinë.
- Prokuroria Speciale është organ prokurorial i specializuar dhe ka juridiksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
- Prokuroria e Apelit, e cila përfaqëson lëndët në Gjykatën e Apelit dhe përbëhet nga Departamenti i Përgjithshëm, Departamenti për të Mitur dhe Departamenti për Krime të Rënda;
- Prokuroritë Themelore janë instanca e parë që ka juridiksion mbi të gjitha mbi të gjitha lëndët e shkallës së parë dhe është e përbërë nga Departamenti i Përgjithshëm,Departamenti për të Mitur dhe Departamenti për Krime të Rënda.
Prokuroritë themelore janë të themeluara me juridiksion në 7 (shtatë) territore të Republikës së Kosovës.
Prokurori i shtetit dhe prokurorët e tjerë detyrën e tyre e ushtrojnë në mënyrë të pavarur, të drejtë, objektive dhe të paanshme dhe sigurohen që të gjithë personat të trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit.
Ata kanë për detyrë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme juridike për zbulimin e veprave penale dhe të autorëve të krimit si dhe hetimin dhe ndjekjen me kohë të veprave penale. Marrjen e vendimeve mbi inicimin, vazhdimin apo ndërprerjen e procedurës penale ndaj personave të dyshuar apo të akuzuar për kryerjen e veprave penale, pastaj ngritjen e aktakuzës dhe përfaqësimin e tyre pranë gjykatave, ushtrimin e mjeteve të rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve gjyqësore. Prokurori I shtetit ka për detyrë mbrojtjen e të drejtave ligjore të viktimave, dëshmitarëve, të dyshimtëve, të akuzuarve dhe personave të dënuar, si dhe detyrat dhe kompetencat e tjera të përcaktuara me ligjin për Prokurorin e Shtetit.
Në bazë të ligjit për prokurorë, puna e prokurorit të shtetit bazohet në bazë të disa parimeve themelore siç janë:
1.Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur që ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme.
2. Prokurori i Shtetit dhe secili prokuror para ligjit siguron trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, shoqatave apo lidhjeve politike, besimeve fetare, gjendjes apo të metave shëndetësore, apo pozitës shoqërore.
3. Është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën për cilindo person fizik apo juridik që të ndërhyjë, pengojë, ndikojë apo të përpiqet të ndërhyjë, pengojë apo ndikojë te Prokurori i Shtetit gjatë kryerjes së funksioneve prokuroriale lidhur me cilindo hetim, procedurë apo lëndë individuale.
Po ashtu, prokurorët e shtetit duhet të sillen në bazë të parimeve dhe etikës profesionale të përcaktuara në bazë të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale Për Prokurorë, me qëllim që të përcaktojë standardet e sjelljes dhe etikën e prokurorëve, duke u bazuar në vlerat dhe parimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit, siç janë: pavarësia, paanshmëria, integriteti, llogaridhënia, transparenca dhe profesionalizmi.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.