Duke u ngarkuar...
2020-12-17

Institucioni i Avokatit të Popullit

Dhuna në familje nuk është vetëm çështje personale e një anëtarit të familjes, por është një çështje sociale dhe shtetërore, e cila duhet të trajtohet nga Institucionet e Republikës së Kosovës.

Të drejtat e viktimave të krimit, të dhunës, janë të drejta themelore të garantuara me Kushtetutë, me ligjet e Republikës së Kosovës, me konventat ndërkombëtare dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti. Prandaj Institucioni i Avokatit të Popullit, paraqet mekanizmin ligjor për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizikë dhe juridikë.

Avokati i Popullit zhvillon hetime, jep rekomandime, publikon raporte, si dhe avokon për të drejtat dhe liritë e njeriut.

IAP vazhdimisht ka rekomanduar dhe ka pasur një rol mjaft të rëndësishëm në përfshirjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me përfshirjen e kësaj Konvente, shteti në të ardhmen do të angazhohet për t’i marrë masat e nevojshme legjislative dhe masa të tjera për të krijuar një sistem efektiv, gjithëpërfshirës dhe të koordinuar të parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna në familje, e cila nënkupton mbrojtjen nga diskriminimi në bazë të gjinisë.

Dhuna në familje paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, është bazë e diskriminimit të grave dhe gjithashtu vazhdon të jetë problem i madh i të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Avokati i Popullit si institucion që mbron dhe promovon të drejtat dhe liritë e njeriut ka monitoruar edhe shumë procese gjyqësore për viktimat e dhunës në familje.

Rastet e dhunës në familje të cilat raportohen në institucione, përveç që tregojnë se aktet e dhunës janë në rritje, janë tregues që viktimat gjatë kalimit të kohës janë edukuar ligjërisht për të raportuar dhunën tek autoritetet kompetente. Fuqizimi i grave për të njohur dhe të kërkuar të drejtat e tyre është fakt thelbësor në luftimin e dhunës.

Në raportet e publikuara nga Avokati i Popullit theksohet se zvarritja e procedurave gjyqësore në rastet e trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me dhunën në familje është mjaft dekurajuese që raste e tilla të paraqiten, si dhe sanksionet të shqiptuara ndaj kryersve të cilat janë shumë të ulta. Për këto arsye gratë mbeten viktima jo vetëm të dhunës së ushtruar nga bashkëshortët, por edhe të mosveprimeve dhe neglizhencës së institucioneve përkatëse. Prandaj përkundër faktit se janë bërë shumë përparime në krijimin e mekanizmave reagues ndaj rasteve të dhunës në familje, ka ende aspekte që kërkojnë vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse.

Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi- INJECT të financuar nga European Endowment for Democracy- EED