Departamenti i Mjekësisë Ligjore është organ publik kompetent, përgjegjës për të siguruar ekspertizë mjekoligjore. Ekzaminimi klinik mjekoligjor është procedurë që konsiston në ekzaminimin e viktimës për t’i studiuar lëndimet ose gjendjen e shëndetësore, me qëllim të sigurimit të provave të nevojshme për të vërtetuar se ndaj së njëjtës është ushtruar dhunë. Departamenti i Mjekësisë ligjore mund të bëjë ekzaminimin e një viktime vetëm me pëlqimin e viktimës. Idealisht ekzaminimi duhet të bëhet në kohën që do të mundësonte një përshkrim të saktë të lëndimeve të viktimës. Këto ekzaminime duhet të bëhen me kujdes dhe respekt ndaj gjendjes së viktimës.
Departamenti është themeluar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe funksionon bazuar në standardet e njohura ndërkombëtare dhe praktikat më të mira Europiane.
Në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës në Familje, viktimat kanë kontakt me personelin e këtij departamenti kur me urdhëresë të organeve të hetuesisë ose gjykatës dërgohen për të bërë ekzaminimin klinik mjekoligjor. Është obligim i strehimoreve të shoqërojnë viktimën deri në Departamentin e Mjekësisë Ligjore.
Përmes ekzaminimit mjekoligjor më konkretisht përcaktohet mjeti i kryerjes, shkalla e lëndimeve trupore, humbja e aftësisë për punë, si dhe gjendja shëndetësore e viktimës. Procedurat Standarde të Veprimit udhëzojnë kryerjen e ekzaminimit në kohën që do të mundësonte një përshkrim të saktë të lëndimeve të pësuara. Detyrat e Departamentit të Mjekësisë Ligjore përfshijnë, mirëpo nuk kufizohen në mbajtjen e të drejtës për të siguruar ekspertizë mjekoligjore për organet publike, për të udhëhequr hetimet mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, për të kryer zhvarrosje, për të kryer inspektime post-mortem (pas vdekjes) dhe autopsi, ekzaminimin e viktimave që kanë pësuar nga veprat penale kundër jetës dhe trupit, përcaktimin e seksit (gjinisë), racës, gjatësisë, moshës, dhe shkakun e vdekjes të mbetjeve mortore të një personi të pa identifikuar kurdoherë që është e mundur, kryerjen e autopsisë dhe/ose profilit antropologjiko biologjik dhe lëshon raport të autopsis në raste të zbulimit të mbetjeve mortore, mbajtjen e të drejtës eksluzive për koordiniminin dhe udhëheqjen e ekzaminimeve klinike për viktima, dëshmitar dhe autorët e mundshëm (të dyshuar) të krimit kundër integritetit seksual, kërkimin e dokumenteve mjekësore që kanë të bëjnë me viktimën dhe të pandehurin për krimet kundër jetës dhe trupit, mbledh ose ekzaminon dëshmitë e gjetura nga viktimat, dëshmitarët, apo të pandehurit e krimeve kundër integritetit seksual dhe veprave penale kundër jetës dhe trupit, bazuar në Kodin Penal të Kosovës.
Ky ekzaminim përpos që përdoret në procedurë penale si provë për vërtetimin e fajësisë së kryerësit, nevojitet njëashtu edhe me rastin e parashtrimit të kërkesës për kompensim, ku në përputhje me Ligjin 05/L -036 për Kompensimin e Viktimave të Krimit (neni 32) kërkesës së tillë i bashkangjiten edhe raportet mjekësore që dëshmojnë që viktima ka pësuar lëndim trupor, dëmtim të shëndetit apo vuajtje.
Ekzaminimi mjekoligjor realizohet vetëm me pëlqim të viktimës, gjithnjë duke respektuar dinjitetin e saj/tij. Për më tepër, ngjashëm me institucionet tjera përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje edhe në Departamentin e Mjekësisë Ligjore punonjësit ruajnë konfidencialitetin lidhur me ekspertizën e kryer. Personave të paautorizuar nuk u lejohet publikimi i raporteve apo dokumenteve lidhur me rastin si dhe dhënia e deklaratave në opinion publik pa lejen e autoriteteve kompetente.
Ky shkrim u realizua në kuadër të projektit të European Endowment for Democracy-EED.