Agjencia për Barazi Gjinore është Agjenci Ekzekutive, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, puna e së cilës është e rregulluar me Ligjin për Barazi Gjinore dhe është organ i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike.
Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) ka përcaktuar që dokumentet udhëzuese/prioritare në Kosovë kanë qenë prioritetet përkatëse gjinore ndër të rëndësishme ato që rrjedhin nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) (2016-2020); Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit (SKMDHF) 2016-2020 e cila synon të sigurojë: 1) Parandalimin dhe ngritjen e vetëdijes duke ngritur kapacitetet e shërbimeve të kujdesit parësor, duke inkurajuar viktimat të raportojnë raste dhe duke rritur vetëdijen sociale. 2) Mbrojtjen e viktimave përmes mekanizmave më të mirë të koordinimit ndërmjet nivelit lokal, nivelit qendror dhe shoqërisë civile. 3) Legjislacion të përmirësuar për trajtim më efikas të çështjeve përmes trajnimit të hetuesve, punëtorëve socialë, prokurorëve ose gjyqtarëve. 4) Rehabilitim dhe riintegrim të viktimave.
Barazia gjinore është një e drejtë themelore dhe faktorë i rëndësishëm për rritje ekonomike, zhvillim dhe stabilitet. Autoritetet kanë për detyrë ligjore eliminimin e diskriminimit të paligjshëm, avancimin e mundësive të barabarta dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira në baza gjinore, racore etj. Barazia gjinore është një parim fondamental në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Përkushtimi për barazi gjinore thekson domosdoshmërinë për zhvillimin dhe zbatimin e politikave, përmes strategjive dhe programeve, kornizës ligjore, dhe ofrimin e të mirave dhe shërbimeve për të arritur qëllimin e përcaktuar për barazi gjinore. Në Kosovë, barazia gjinore është ende një standard i paarritur, ku gratë vazhdojnë të ballafaqohen me sfida dhe me diskriminime të shumta. Prandaj janë themeluar agjenci të cilat sigurojnë trajtim të barabartë pa kurrëfarë diskriminimi të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë në bazë të gjinisë.
Ligji për Barazi Gjinore garanton, mbron dhe promovon barazinë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Sipas këtij ligji, barazi gjinore do të thotë “pjesëmarrje e barabartë e femrave dhe meshkujve në të gjithat fushat e jetës, pozitë të barabartë, mundësi të barabarta për të gëzuar të gjithat të drejtat e tyre dhe për të vënë në shërbim potencialet e tyre individuale në zhvillimin e shoqërisë, si dhe të kenë përfitim të barabartë nga të arriturat e këtij zhvillimi”.
Disa nga përgjegjësitë e Agjencisë për Barazi Gjinore janë:
- promovon, mbështetë, koordinon dhe bënë zbatimin e dispozitave të Ligjit për Barazi Gjinore dhe akteve nënligjore të nxjerra në pajtim me këtë ligj;
- i propozon Qeverisë ndryshimet/plotësimet e ligjeve dhe akteve nënligjore.
- identifikon dhe harton politika që promovojnë barazinë gjinore dhe monitorojnë zbatimin e tyre;
- merr pjesë në përgatitjen e ligjeve, akteve nënligjore, strategjive dhe programeve për të siguruar përfshirjen e integrimit gjinor dhe buxhetimit gjinor;
- bashkëpunon me shoqërinë civile;
- merr masa me qëllim të ngritjes së vetëdijes mbi barazinë gjinore.
Nga e gjithë kjo punë e kësaj agjencie, mund të themi se ABGJ është organ i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe autoritet kryesor për promovimin, mbrojtjen dhe avancimin e pjesëmarrjes së barabartë të grave dhe burrave në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore në Kosovë, ku kjo barazi promovon kushte më të mira në vendin e punës dhe përmirëson produktivitetin.
Ky shkrim u realizua në kuadër të projektit të European Endowment for Democracy-EED.