Duke u ngarkuar...
2020-11-19

Roli i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje

Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), në Republikën e Kosovës, veprimtarinë e tij e ushtron si organ i pavarur, përgjegjës për sigurimin e ndihmës juridike falas, në lëmitë penale, civile, administrative dhe kundërvajtëse, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilëve ju mohohet qasja në drejtësi, dhe të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.

Ai është njëri prej institucioneve të përfshira drejtpërdrejtë në mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje. Kjo mbrojtje realizohet përmes ofrimit të ndihmës juridike falas. Në përputhje me Ligjin për Ndihmë Juridike Falas ndihma ofrohet jo vetëm për shtetasit kosovar me vendbanim në Republikën e Kosovës por edhe për personat me qëndrim të përkohshëm në shtetin tonë.

Ndihma e tillë përfshin:

1. Dhënien e informatave dhe këshillave juridike lidhur me procedurat ligjore,

2. Përpilimin e shkresave si paditë, ankesat, kërkesat e kështu me rradhë,

3. Përfaqësimin në procedurën civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse.

Si hap i parë, në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, viktimat mund të kërkojnë ndihmë edhe nga zyrat për ndihmë juridike falas për të parashtruar kërkesën për urdhërmbrojtje.

Pastaj viktima mund të drejtohet tek Agjencia për të kërkuar asistencë në inicimin e procedurave si:

  • paditë për shkurorëzim, besim të fëmijëve e alimentacion,
  • paditë për ndarjen e  pasurisë së përbashkët, që në përputhje me Ligjin e Familjes (neni 54) përfshin jo vetëm të ardhurat personale por edhe kujdesin për fëmijët, udhëheqjen e punëve të shtëpisë, si dhe mirëmbajtjen e pasurisë;
  • paditë për kompensimin e dëmit të pësuar nga kryerësi, e kështu me rradhë.

Sipas Ligjit për NJF për rastet të cilat duhet ti përfaqësojnë pranë gjykatave dhe organeve tjera, zyrat rajonale të Agjencisë caktojnë avokatin nga lista e azhurnuar prej Odës së Avokatëve. Me këtë rast viktimat lirohen nga të gjitha pagesat përfshirë taksën gjyqësore.

Sa i përket qasjes në ndihmë juridike falas në përputhje me Ligjin për NJF shërbimet ofrohen përmes zyrave rajonale të Agjencisë, që mbulojnë tërë territorin e Kosovës. Këto zyra ndodhen në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë e Ferizaj. Në disa komuna si Skenderaji e Kamenica janë themeluar edhe zyat mobile. Adresa e zyrave është dhënë në website-in e Agjencisë : https://anjf.rks-gov.net/.

Në përputhje me dispozitat e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas (neni 25) të gjitha informatat dhe diskutimet që zhvillohen mes viktimës dhe zyrtarëve mbesin konfidenciale, pra zyrtarët nuk shprehin në opinion mendimet e tyre lidhur me rastin dhe nuk bëjnë komente që cënojnë privatësinë e viktimës.

Ky shkrim u realizua në kuadër të projektit të European Endowment for Democracy-EED.