Duke u ngarkuar...
2020-11-11

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave

Çdo institucion ka një përgjegjësi për të ndihmuar viktimat e dhunës në familje. Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave -ZMNV funksionon si e pavarur në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo Zyrë ka mandat që të institucionalizojë të drejtat e viktimave të krimit dhe t’iu ofrojë atyre këshillim, përfaqësim dhe përkrahje për të pasur qasje në sistemin e drejtësisë.

Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, mbrojtësi i viktimave është personi i autorizuar, zyrtar i cili ndihmon drejtpërdrejtë palën e dëmtuar që nga kontaktet e para me organet kompetente të mbrojtjes, këshillon, inicion procedurat për caktimin e masave të mbrojtjes, është i obliguar të marr pjesë në të gjitha seancat gjyqësore, të monitoroj mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.

Mbrojtësi i viktimave mund ta paraqesë kërkesën për urdhër mbrojtje, urdhërin për mbrojtjen e përkohshme emergjente për viktimën. Me rastin e shqyrtimit të kërkesës për urdhër mbrojtje emergjente, gjykata duhet të mbajë seancë në të cilën dëgjohen personat në vijim: pala e mbrojtur, përfaqësuesi i autorizuar, ose mbrojtësi i viktimave. Dy (2) ditë para skadimit të urdhrit për mbrojtje emergjente, pala e mbrojtur, përfaqësuesi i autorizuar ose mbrojtësi i viktimave mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e urdhrit për mbrojtje emergjente.

Mbrojtësit e Viktimave janë përfaqësues të autorizuar të cilit kanë kompetencë për ta njoftuar palën e dëmtuar për të drejtat e tij/saj, dhe përfaqësimin e interesave të viktimës në procedurën në prokurori dhe gjykatë, si dhe kur është e nevojshme, e referon viktimën tek ofruesit tjerë të shërbimeve.

Mbrojtësi vepron në emër të viktimës kur është e nevojshme dhe e duhur për ta ndaluar shkeljen e të drejtave të viktimës dhe për të kërkuar veprim për garantimin e mbrojtjes së tyre.

Zyra për mbrojtje dhe ndihmë viktimave është proaktive duke i ndihmuar vazhdimisht viktimat për parashtrimin e kërkesave për urdhër mbrojtje, ofron shërbime për viktimat e krimit gjatë procedurave ligjore dhe përfaqëson interesat e tyre në sistemin e drejtësisë penale në Kosovë, me  vëmendje të posaçme kushtuar trajtimit të rasteve kundër trafikimit me qenie njerëzore, rasteve të dhunës në familje, keqtrajtimeve, vrasjeve, grabitjeve dhe rasteve të reja siç janë ato të dhunimeve seksuale gjatë luftës etj, si dhe përfaqëson këto viktima në polici, prokurori dhe në gjykata.

ZMNV punon në raste të veçanta 24 (njëzet e katër) orë në ditë, e 7 (shtatë) ditë në javë duke e mbuluar tërë Kosovën, me Zyrën Qendrore në Prishtinë dhe ka 7 (shtatë) zyre të vendosura në prokuroritë themelore si zyre regjionale.

Nga kjo që u cek më lartë, mund të themi se Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave është njëra prej autoriteteve kompetente më të rëndësishme për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz si dhe ofrimin e ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave të dhunës.

Ky shkrim u realizua në kuadër të projektit të European Endowment for Democracy-EED.