Disa ndër parashikuesit më të fortë të qëndrimeve për rolet dhe barazinë gjinore konsiderohet arsimimi, edukimi për të drejtat e njëriut, mendësija e rajonit se ku jetojmë apo zakonet e tij. Tradita në të cilën jemi rritur është një element i rëndësishëm që afekton qëndrimet ndaj barazisë mes njerëzve, sdomos nëse jemi pjesë e një shoqërije përbrenda një shteti, të cilit i mungojnë mekanizmat për mbrojtje të mirëfilltë të të drejtave të njeriut. Kur sistemi edukativ dhe institucionet që mbrojnë të drejtat e njeriut janë të dobëta, atëherë disa nga zakonet e dhunshme gjejnë hapësirë për të funksionuar.
Megjithëse të drejtat ligjore dhe kulturore të grave kanë avancuar, disa nga pikëpamjet tradicionale shpesh bijnë ndesh me të drejtat e njeriut apo me ligjin. Gjeneratat e vjetra, saktësisht zakonet e vjetra por që gjeneratat më në moshë këto shprehi i kanë më të freskëta, shpesh i rezistojnë këtij ndryshimi dhe e kanë të vështirë që t’i pranojnë apo t’i shohin gratë të barabarta me burrat. Të qenurit i ri në moshë, nuk do të thotë që krejtësisht mendon dhe vepron duke u bazuar në pikëpamje moderne. Njerëzit me pikëpamje tradicionale, e kanë të vështirë ta përballojnë një grua e cila shpreh opinionin e vet apo lufton për të drejtat e veta.
Vlerat tradicionale kryesisht kanë praktikë patriarkale. Kufizojnë lirinë e vajzave dhe grave për të realizuar potencialin e vet dhe për t‘u përmbushur përmes vlerave bashkëkohore, si dhe pengojnë realizimin e të drejtave pasurore të tyre. Nga prizmi i traditës, vajza është “derë e huej” e gratë që janë në lidhje bashkëshortore janë “rob i huej“. Pra, sipas traditës, gratë dhe vajzat janë të huaja brenda celulës se familjes. E huaj ka kuptimin e diçkaje të largët, jo e afert, që nuk është e mesit tonë, që është jashtë rrethit tonë. Si e huaj, nuk duhet, nuk mundët dhe nuk i takon të marrë asgjë ”nga e jona“. Rrjedhimisht, vajzat dhe gratë diskriminohen në trashegimin e pasurisë, dhe në rastet e prishjes se kontratës martesore, ato rrallë herë marrin pasurinë e krijuar gjatë martesës. Në të dyja rastet, ligji i sheh si të barabarta në të drejtën pasurore, si në raport me vëllaun ashtu edhe me bashkëshortin. Por kjo nuk vlen gjithmonë edhe për praktikën gjyqësore dhe për institucionet e drejtësisë.
Kur gruaja është viktimë e dhunës në familje, dhunë e ushtruar nga bashkëshorti që shpesh përligjet nga tradita, ajo detyrohet që të dal nga shtëpija, pikërisht sepse shtëpija dhe e terë pasurija e krijuar gjatë marteses, tradicionalisht i takon bashkëshortit, ashtu sikurse pasuria e trasheguar ju takon vëllezerve. Çka e vështirëson shuarjen e relikteve të dhunshme tradicionale, janë edhe vet zyrtarët institucional.
Zyrtaret e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, jo rrallë veprojnë e punojnë duke ju referuar kodeve tradicionale. Shumë gra në rastet e raportimit të dhunës në familje, tregojnë se si zyrtarët policorë e marrin guximin që të këshillojnë duke u bazuar në praktikën tradicionale. Këshilla përmes se cilave, gratë mohohen si qenje unike, të afta për të vendosur për vetën e tyre dhe me të drejta të barabarta. Kjo ndodh edhe në rastet kur bëhët ndarja e pasurisë bashkëshortore dhe në rastet e pasurisë se trasheguar. Gratë dekurajohen që të pranojnë pasurinë e trasheguar dhe të luftojnë për pasurinë e krijuar gjatë kohëzgjatjes se martesës. Pasurinë e trasheguar shpesh e dhurojnë tek vëllezërit e tyre, për dy arsye; disa e shohin apo e kuptojnë vetën nga prizmi tradicional, kjo ndodh në mungesë të vetëdijes për të drejtat e tyre. Të tjerat, hezitojnë ta marrin pasurinë që u takon nga frika e presionit, stigmatizimit dhe atakimit nga rrethi familjar dhe shoqëror. Kjo praktikë vlen edhe për ndarjen e pasurisë së përbashkët, si pasojë e besimit tradicional, ka gra që fare nuk e kërkojnë pasurinë bashkëshortore që u takon me ligj, duke e menduar si pasuri që i takon vetëm burrit, e të tjerat demotivohen nga presioni i shoqërisë dhe ai familjar.
Eleminimi i zakoneve të dhunshme që rrjedhin nga tradita, konsiderohet si rrugë e gjatë dhe e vështirë. Ka shumë organizata që i kundervihen pikërisht praktikave të dëmshme tradicionale nga të cilat më së shumti pësojnë vajzat dhe gratë. Qeveria nga ana e saj do duhej ta ngris cilësinë e arsimit, veçanërisht në nivele të ciklit të ulët dhe me përkushtim të veçantë në zonat rurale. Një popullatë e arsimuar do të shmangte zakone dhe besime të tilla të dëmshme dhe të vjetruara që, le që nuk shton kurfarë vlerë në shoqëri, por pengon zhvillimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut.
-------------------
Ky shkrim u realizua në kuader të projektit “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Mbroni ato!” përkrahur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Trustit Ballkanik për Demokraci dhe Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara.
Opinionet e shprehura në këtë botim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.