Duke u ngarkuar...
2020-11-04

Roli i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në ofrimin e shërbimeve ndaj viktimave të dhunës në familje

Shteti ka për detyrë të ofrojë shërbime sociale dhe familjare për viktimat e dhunës në familje. Ofrimi i këtyre shërbimeve në nivel komunal bëhet përmes Qendrave për Punë Sociale si institucione publike profesionale, kompetente për mbrojtjen e qytetarëve në nevojë sociale.

Sipas Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare në momentin e paraqitjes së viktimës së dhunës në QPS për të kërkuar ndihmë, ky institucion është i obliguar të bëjë një vlerësim profesional të nevojave që ka viktima. Vlerësimi bëhet nga ana e menaxherit të rastit i cili caktohet nga QPS. Pas vlerësimit të nevojave bëhet ofrimi i shërbimeve adekuate që sipas Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje në Kosovë mund të jenë:

  1. Këshillim psiko-social,
  2. Sanim të dhunës në familje,
  3. Kujdestari,
  4. Strehim afatshkurtër vetëm kur vlerësohet nga akterët se është i nevojshëm për sigurinë e viktimës,
  5. Ndihmë/asistencë sociale nëse plotësohen kriteret sipas legjislacionit në fuqi,
  6. Ndihmë viktimës,
  7. Të implementojë masën e shqiptuar nga gjykata për trajtimin psikosocial,
  8. Ndihmë viktimës që të nxjerrin dokumente të ndryshme personale dhe shërbime të tjera administrative, të cilat kërkohen nga strehimorja apo edhe nga vet viktima.

Menaxheri i rastit po ashtu kordinon aktivitetet me akterët tjerë përfshirë strehimoret dhe zyrat e punësimit, për të ndihmuar dhe integruar viktimën, si dhe këshillon atë për disponueshmërinë e shërbimeve nga ana e institucioneve dhe OJQ-ve, të cilat ofrojnë programe të mbrojtjes dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës në familje.

Roli i QPS është i rëndësishëm edhe sa i përket paraqitjes së kërkesave për urdhërmbrojtje. Kështu në përputhje me Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje kërkesën për urdhërmbrojtje dhe urdhërmbrojtje emergjente mund ta paraqesë edhe përfaqësuesi i qendrës për punë sociale në komunën ku pala e mbrojtur e ka vendbanimin apo vendqëndrimin, në rastet kur viktimë është i mituri.

Ndërsa, kërkesën për urdhërmbrojtje të përkohshme emergjente mund ta paraqesë përfaqësuesi i QPS pavarësisht moshës së viktimës.

Po ashtu QPS-të, mbajnë një regjistër të njerëzve në nevojë që jetojnë në territorin e tyre, përfshirë edhe viktimat e dhunës në familje, të cilëve i’u mungon përkrahja nga familja ose komuniteti dhe kanë vështirësi për të mbajtur veten e tyre, ose janë në rrezik ngase lihen pasdore, shfrytëzohen apo abuzohen nga të tjerët. Për personat që gjenden në këtë regjistër QPS, cakton vizita të rregullta nga një person përgjegjës, në mënyrë që të monitorohet siguria dhe mirëqenia e tyre.

Dhe krejt në fund i gjithë komunikimi verbal, i shkruar ose elektronik lidhur me ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në mes viktimës dhe zyrtarit të QPS, trajtohet me mirëbesim, dhe informacionet mbeten konfidenciale.

Ky shkrim u realizua në kuadër të projektit të European Endowment for Democracy-EED.