Sipas Policisë së Kosovës «një fustan tejet i shkurtër dhe një maice me rripa» është arsye e mjaftueshme për ta refuzuar regjistrimin e një rasti të dhunës në familje dhe shkeljes së urdhrit mbrojtës të caktuar nga Gjykata. Për palë të dëmtuara, viktima të dhunës në familje që kërkojnë mbrojtje nga Policia nuk ekziston një kod i veshjes mirëpo, kjo nuk e ka penguar Policinë që ankesën e Luljeta Aliut ndaj zyrtarit policor për refuzim të regjistrimit të rastit të saj, ta refuzojë si të paargumentuar duke u bazuar në një kod të veshjes inekzistent.
Më 23 qershor 2020, Luljeta Aliu ka ngritur padi për diskriminim gjinor ndaj Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarëve policorë.
Më 31 mars 2017, zyrtari policor A.H. kishte refuzuar ta regjistrojë denoncimin e Luljeta Aliut ndaj bashkëshortit të saj për shkelje të urdhrit mbrojtës dhe dhunë në familje. Në fillim të intervistës, Aliu ia kishte dërguar zyrtarëve policorë përmes emailit Aktvendimin për lëshim të urdhrit mbrojtës të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kishte treguar për dhunën që po i shkaktohej. Pavarësisht kësaj, zyrtari policor A.H. e kishte urdhruar atë të largohet nga stacioni policor, pa e regjistruar rastin e pa përpiluar raport për të.
Kundër zyrtarit policor A.H., Luljeta Aliu kishte inicuar procedurë disiplinore, me ç’rast ankesa e saj ishte refuzuar si «e paargumentuar» nga zyrtari hetues F.H. në kuadër të Drejtorisë Rajonale e Policisë në Prishtinë dhe më pas, nga Komisioni për Ankesa i Policisë, në përbërje të zyrtarëve policorë V.B., T.M. dhe A.Xh.
Shkas për refuzimin e ankesës, kishte qenë arsyetimi i zyrtarit policor A.H., se ka refuzuar të përpilojë raport për denoncimin e Luljeta Aliut, pasi që ajo kishte pasur të veshur «një fustan tejet të shkurtër dhe maice me rripa». Veshja e Luljeta Aliut, sipas tij, ka qenë në kundërshtim me Kodin e Etikës për Zyrtarë dhe Palë të Treta në Institucione. Këtë arsyetim e kishin përligjur të gjithë zyrtarët policorë që kanë marrë vendime për refuzim të ankesës së Luljeta Aliut për shkeljet disiplinore të zyrtarit policor A.H.
Kodi i Etikës për Zyrtarë dhe Palë të Treta në Institucione nuk ekziston. Këtë e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës pas disa kërkesave të përsëritura për qasje në dokumente publike të parashtruar nga Avokatja Rina Kika, që e përfaqëson Luljeta Aliun në këtë proces. Sipas Kikës, zyrtarët policorë kanë detyrim ligjor t’i regjistrojnë dhe të përgatisin raport për të gjitha rastet e dhunës në familje, e posaçërisht duhet të veprojnë me urgjencë në raste të shkeljes së urdhrave mbrojtës të caktuar nga Gjykata. Shkelja disiplinore e zyrtarit policor A.H. është dashur të vërtetohet nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë në momentin kur ai e ka pranuar se ka refuzuar ta regjistrojë denoncimin e Luljeta Aliut për shkelje të urdhrit mbrojtës.
Në përputhje me praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, viktimat e dhunës në familje konsiderohen si viktima veçanërisht të ndjeshme, prandaj shtetet duhet të përfshihen aktivisht në mbrojtjen e tyre. Dhuna në familje ndaj grave konsiderohet dhunë në baza gjinore, sepse i shkaktohet grave për shkak se janë gra ose i ndikon ato joproporcionalisht. Dhuna në baza gjinore pengon seriozisht aftësinë e personave që t’i gëzojnë të drejtat dhe liritë e veta në mënyrë të barabartë me të tjerët, prandaj edhe cilësohet si formë e diskriminimit. Refuzimi i regjistrimit të denoncimit të Luljeta Aliut për shkelje të urdhrit mbrojtës dhe refuzimi i ankesës së saj ndaj zyrtarit policor A.H. për shkelje disiplinore, ia ka mohuar asaj të drejtën në mbrojtje institucionale dhe të drejtën për trajtim të barabartë. Përmes padisë, Aliu kërkon nga Gjykata të vërtetojë se Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarë policorë, ia kanë shkelur të drejtën për trajtim të barabartë dhe të drejtën në jetë private dhe familjare.
Për më tepër lexoni padinë e bashakngjitur poshtë.
Gjykata Themelore në Prishtinë
Departamenti për Çështje Administrative
Pallati i Drejtësisë – Hajvali
10000 Prishtinë
Paditësja Luljeta Aliu Krasniqi, me numër personal të identifikimit …, e përfaqësuar nga Avokatja Rina Kika, me numër të licencës …, me seli në Rr. Edith Durham B1, H.1, Nr.11, 10000 Prishtinë, Kosovë
E Paditur Policia e Kosovës, Rr. Luan Haradinaj p.n. 10000 Prishtinë, Kosovë
Të Paditur shtesë në bazë
të ndryshimit të padisë 1. Ministria e Punëve të Brendshme, Rr. Luan Haradinaj p.n., 10000 Prishtinë, Kosovë
2. Zyrtari policor A.H., Stacioni Policor Jugu, Rr. 28 nëntori Nr.173, 10000 Prishtinë, Kosovë
3. Zyrtari policor F.H., Stacioni Policor Jugu, Rr. 28 nëntori Nr.173, 10000 Prishtinë, Kosovë
4. Zyrtari policor V.B., Rr. Luan Haradinaj p.n., 10000 Prishtinë, Kosovë
5. Zyrtari policor T.M., Rr. Luan Haradinaj p.n., 10000 Prishtinë, Kosovë
6. Zyrtari policor A.Xh., Rr. Luan Haradinaj p.n., 10000 Prishtinë, Kosovë
Data 23 qershor 2020
Numri i lëndës …
Vlera e kontestit në bazë
të ndryshimit të padisë EUR100,000.00 (njëqind mijë euro)
Lënda Parashtresë për ndryshim të padisë për konfliktin administrativ
Padi për diskriminim dhe
kompensim të dëmit jomaterial
Kjo parashtresë për ndryshim të padisë për konflikt administrativ paraqitet në përputhje me: nenin 99 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore («LPK») që rregullon kushtet e përmbajtjes së parashtresave; nenin 255, paragrafi 1 LPK që parasheh përfshirjen në një padi të disa kërkesëpadive të lidhura për të njëjtën bazë faktike dhe juridike; nenin 257, paragrafi 1 LPK, që parasheh ndryshimin e padisë përmes ndryshimit të njëjtësisë së kërkesëpadisë, zmadhimit të kerkesëpadisë apo parashtrimit të një kërkese tjetër krahas asaj ekzistuese; nenin 258 paragrafi 1 LPK, që parasheh ndryshimin e padisë pa pëlqimin e të Paditurit deri në fillim të seancës për shqyrtim kryesor të çështjes; në përputhje me nenin 54 të Kushtetutës së Kosovës, që parasheh mbrojtjen gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të një të drejte të garantuar me Kushtetutë; nenin 13, paragrafi 1 dhe nenit 16 të Ligjit Nr.05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi («Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi»), që parashohin të drejtën e paraqitjes së padisë për diskriminim dhe të drejtën e kompensimit të dëmit jomaterial për diskriminim; në përputhje me nenin 26, paragrafi 2.3 të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative («LKA») dhe në përputhje me nenin 183 të Ligjit Nr.03/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve («LMD»), që parasheh bazën ligjore për kërkesën e kompensimit të dëmit jomaterial për shkelje të të drejtave dhe lirive të personalitetit.
Paditësja kërkon nga Gjykata që Padinë për konflikt administrativ A-1483/19 të datës 20 qershor 2019 ta ndryshojë ashtu që t’ia shtojë (1) kërkesën për konstatim të diskriminimit dhe shkeljes të së drejtës në jetë private; (2) kërkesën për kompensim të dëmit jomaterial për diskriminim dhe të drejtës në jetë private; si dhe (3) t’ia shtojë të paditurit të parë edhe gjashtë të paditur tjerë: Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pesë zyrtarët policorë përgjegjës për diskriminim. Kërkesat e parashtruara me këtë padi janë të precizuara në pjesën e Petitumit në faqe 28 të kësaj padie.
Kjo parashtresë për ndryshim të padisë është në përputhje me parimin e ekonomizimit të procedurës për shkak se kërkesat e paraqitura këtu ndërlidhen me të njëjtën bazë faktike dhe juridike si te Padia për konfliktin administrativ A-1483/19 e datës 20 qershor 2019. Për të mos inicuar dy procedura të ndara për çështjen e njëjtë, Paditësja parashtron këtë parashtresë për ndryshim të padisë para mbajtjes së shqyrtimit fillestar në përputhje me dispozitat ligjore të lartpërmendura.
Përmbajtja
Përmbledhje e fakteve dhe argumenteve kryesore. 3
Palët e Paditura. 8
Baza faktike. 9
a. Paraqitja në stacion policor për denoncim të shkeljes së urdhrit mbrojtës 9
b. Ankesa për shkelje disiplinore të zyrtarit policor 11
Baza juridike. 16
a. Diskriminimi gjinor lidhur me refuzimin e regjistrimit të rastit 17
b. Diskriminimi gjinor lidhur me refuzimin e ankesës së Paditëses 23
Kërkesë për kompensim të dëmit jomaterial 27
Petitum… 30
Përmbledhje e fakteve dhe argumenteve kryesore
- Në shkurt 2017, Paditësja ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje dhe ka kërkuar nga Gjykata lëshim të urdhrit mbrojtës. [1] Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar këtë kërkesë dhe ka lëshuar urdhrin mbrojtës me Aktvendimin C.nr.254/17, për kohëzgjatje prej 12 muajsh ndaj bashkëshortit të Paditëses, duke ia ndaluar atij kryerjen ose kërcënimin se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje, duke përfshirë shqetësimin, dhunën psiqike, kërcënimin, shkatërrimin e pronës personale si dhe ndalimin e bartjes së çdo lloj transaksioni apo pasurie.[2]
- Gjatë kohëzgjatjes së urdhrit mbrojtës, bashkëshorti ia ndërpren Paditëses të ardhurat për mbulimin e shpenzimeve të jetesës dhe për rritjen e dy fëmijëve të tyre të përbashkët. Prandaj, Paditësja paraqitet në stacion policor më 31 mars 2017, për ta raportuar bashkëshortin për dhunë në familje dhe shkelje të urdhrit mbrojtës. Gjatë intervistimit, Paditësja ia dërgon urdhrin mbrojtës në email [16:03] përmes telefonit të dorës, zyrtares policore L.N..[3] Në ndërkohë, në dhomën e intervistimit hyn zyrtari policor A.H. i cili pasi njoftohet me identitetin e bashkëshortit të Paditëses, refuzon ta regjistrojë denoncimin e shkeljes së urdhrit mbrojtës dhe e urdhron atë të largohet nga stacioni policor, duke i thënë se «nuk ka pasur dhunë as atëherë, e as tani». Përkundër insistimit të Paditëses, zyrtari policor A.H. refuzon ta regjistrojë rastin e të përpilojë deklaratë, duke e urdhruar Paditësen të largohet nga stacioni policor. Dhuna në familje dhe trajtimi diskriminues i Paditëses nga Policia kanë shkaktuar ankth, shqetësim, frikë, ndenjë të pasigurisë së vazhdueshme te Paditësja. Prandaj, në muajin prill 2017 ajo ka kryer tre vizita mjekësore tek Neuropsikiatri Dr. S.R.. Vizita e saj e parë te Neuropsikiatri ka qenë më 6 prill 2017, pra 6 ditë pas rastit kur zyrtari policor A.H. ka refuzuar ta regjistrojë denoncimin e saj. Ndërkaq dy vizitat tjera, Paditësja i ka zhvilluar më 12 prill dhe 24 prill 2017. Në Raportin Specialistik, Dr. S.R. konstaton se Paditësja ka «stres pas traumatik dhe çrregullim të gjeneralizuar të ankthit».[4]
- Rreth një vit më vonë, më 26 prill 2018, Paditësja shkon në stacion policor për ta raportuar një rast të kanosjes nga kunati i saj pasi që ai kishte shkuar në kopshtin e shtëpisë ku jeton Paditësja, dhe derisa ajo po qëndronte aty me disa mysafirë, iu kishte drejtuar me fjalët: «Largohuni nga këtu sa nuk është bërë më e madhe», i kishte fotografuar dhe i kishte thënë «tash keni me pa».[5] Zyrtarja policore R.B. nuk i kishte shkruar saktë deklarimet e Paditëses, andaj kjo e fundit kishte refuzuar ta nënshkruaj deklaratën që i ishte prezantuar për nënshkrim. Në konsultim me zyrtarin policor A.H., zyrtarja policore R.B. e kishte njoftuar Paditësen se pas konsultimit me Prokuroren e rastit, nuk do të hapin rast. Për rrjedhojë, Paditësja parashtron ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ndaj zyrtarit policor A.H. (1) për shkak se në vitin 2017 nuk e ka regjistruar denoncimin e saj ndaj bashkëshortit për dhunë në familje dhe shkelje të urdhrit mbrotjës dhe (2) ndaj zyrtarit policor A.H. dhe zyrtares policore R.B. për shkak të dyshimit se me 26 prill 2018 nuk ia kanë përcjellë të gjitha informatat prokurores për rastin e kanosjes nga kunati. Inspektorati Policor i Kosovës konstaton se nuk ka vepër penale, dhe e dërgon lëndën për trajtim administrativ në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë së Kosovës. Kjo drejtori konstaton se ankesa nuk është parashtruar për shkelje të rënda diskredituese dhe e procedon kërkesën për trajtim lokal në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
- Zyrtari policor F.H. në emër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë refuzon ankesën e Paditëses si të pabazuar. Në vendimin për ankesë zyrtari policor F.H. konstaton se zyrtari policor A.H. kishte refuzuar t’ia marrë deklaratën Paditëses, pasi që Paditësja kishte pasur të veshur «një fustan tejet të shkurtër dhe maice me rripa» dhe se rasti nuk ishte i natyrës urgjente, prandaj i kishte kërkuar Paditëses të shkojë të vishet ndryshe e të vijë pastaj «të bisedojë» me zyrtarët policor për rastin. Drejtoria Rajonale e Policisë e kishte pranuar këtë arsyetim për refuzim të regjistrimit të denoncimit si legjitim, duke iu referuar Kodit të Etikës për Veshjen për Zyrtar dhe për Palët në Institucionet Zyrtare. Ky dokument nuk ekziston! Këtë na e ka konfirmuar me shkrim Zyra për Informim e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.[6] Në rregulloret e brendshme të policisë, përcaktohen rregulla për veshjen e personelit policor por, asnjëra nga dokumentet të cilat e rregullojnë veshjen në institucionin e policisë nuk përcaktojnë rregulla për veshjen e palëve të dëmtuara – viktimave. Pra, zyrtari policor F.H., në vendimin e tij ka legjitimuar shpikjen e zyrtarit policor A.H., për një kod të veshjes që kinse përcakton se si duhet të vishet një viktimë kur vie në stacion policor për ta raportuar dhunën në familje.
- Sipas Nenit 24, paragrafi 1 dhe 4 të Ligjit Nr. 03/L-182 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje («Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje»), Policia e Kosovës: (1) duhet t’i përgjigjet secilit njoftim për veprat ose kërcënimet e dhunës në familje ose shkeljes së urdhrit për mbrojtje pa marrë parasysh se kush e bën njoftimin; dhe (2) duhet të përpilojë raport lidhur me rastin pavarësisht se a është kryer vepra apo jo, a është ndaluar dikush apo jo (…). Ndërkaq, sipas Procedurave Standarde të Veprimit për Hetim të Rasteve të Dhunës në Familje PK/ShH-PSO, sa i përket ekzekutimit të menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të urdhrave mbrojtës përcaktohet: «zyrtarët policor marrin të gjitha masat për ekzekutimin» dhe e kanë për obligim që në raste kur pengohet zbatimi i vendimit gjyqësor «të veprojnë me shpejtësi» sepse kjo kohë konsiderohet si tepër e rrezikshme për viktimat.[7] Ky detyrim vlen për të gjitha shkeljet e urdhrave mbrojtës pa dallim, qofshin ato për dhunë psiqike, fizike apo ekonomike.
*Zbërthimi i hollësishëm i argumenteve të përmbledhura këtu është përfshirë në faqe 16-19
- Refuzimi i regjistrimit të denoncimit të dhunës në familje nga zyrtari policor A.H. paraqet shkelje të detyrimeve të Policisë për veprimin dhe përgjigjjen institucionale në raste të raportimit të dhunës në familje dhe shkeljes së urdhrave mbrojtës. Asnjëri nga arsyetimet e dhëna nuk e arsyeton refuzimin e regjistrimit të denoncimit: (1) As që veshja e viktimës nuk ka qenë në përputhje me Kodin e Etikës për Veshjen për Zyrtar dhe për Palët në Institucionet Zyrtare, sepse ky kod nuk ekziston, e edhe po të ekzistonte do të ishte diskriminues në baza gjinore; (2) As që rasti nuk ka qenë urgjent, sepse regjistrimi i rastit është detyrim i Policisë dhe refuzimi i regjistrimit nuk mund të arsyetohet nën supozimin se rasti nuk është urgjent sepse Policia detyrohet të veprojë me shpejtësi në raste kur pengohet zbatimi i vendimit gjyqësor dhe ky detyrim vlen për të gjitha llojet e urdhrave mbrojtës; (3) As që zyrtari policor ka pasur të drejtë t’i kërkojë Paditëses të vijë më vonë me një veshje tjetër ta paraqesë rastin, sepse as Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, as Procedurat Standarde të Veprimit, nuk lejojnë as refuzim, e as vonesë në regjistrimin e denoncimeve për shkelje të urdhrave mbrojtës nga viktimat e dhunës në familje.
*Zbërthimi i hollësishëm i argumenteve të përmbledhura këtu është përfshirë në faqe 19-23
- Paditësja parashtron ankesë ndaj Vendimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, në Komisionin për Ankesa dhe Shpërblime të Policisë së Kosovës ku mes tjerash argumenton se: 1) Nuk është e vërtetë se zyrtari policor A.H. e ka larguar Paditësen nga stacioni policor për shkak të veshjes së saj, se përshkrimi i veshjes së saj nga zyrtari policor dhe deklarimi i tij se i kinse i ka thënë Paditëses të vijë më vonë është i pavërtetë; 2) se këto fakte mund t’i vërtetojë Komisioni i Ankesave nga videoinçizimet në stacion policor; 3) Zyrtari policor A.H. ka pasur për obligim ta marrë deklaratën e saj për shkelje të urdhrit mbrojtës nga bashkëshorti, pa marrë parasysh veshjen e saj; dhe 4) zyrtarja policore L.N. dhe zyrtari policor A.H. kanë qenë të njoftuar për aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit mbrojtës, pasi që Paditësja ia kishte dërguar këtë aktvendim përmes postës elektronike gjatë intervistimit. (Shih: Prova nr. 2 Email nga Luljeta Aliu Krasniqi për L.N., me Aktvendimin e Gjykatës Themelore të bashkëngjitur.)
- Komisioni për Ankesa dhe Shpërblime i Policisë së Kosovës, në përbërje prej zyrtarit policor V.B., zyrtari policor T.M. dhe zyrtari policor A.Xh., e refuzon ankesën e Paditëses dhe e vërteton Vendimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë, pa iu referuar askund Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Procedurave Standarde të Veprimit për Hetimin e Dhunës në Familje apo Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Vendimin për refuzim të ankesës, Komisioni për Ankesa dhe Shpërblime e nxjerrë duke u mbështetur në dokument inekzistent: Kodin e Etikës për Veshjen për Zyrtar dhe për Palët në Institucionet Zyrtare.
- Refuzimi i regjistrimit të denoncimit të Paditëses me arsyetimin se zyrtari policor i ka kërkuar të shkojë të vishet ndryshe pasi ka qenë e veshur me «një fustan tejet të shkurtër» dhe «maice me rripa» është diskriminues në bazë të gjinisë. Ky refuzim paraqet mosveprim të Policisë, me të cilin Paditëses i është zhvleftësuar dhe cenuar e drejta për të kërkuar mbrojtje në Policinë e Kosovës nga dhuna në familje. Komentimi i gjatësisë së fustanit dhe maicës së viktimës dhe paraqitja e këtij komentimi si arsyetim për refuzimin e regjistrimit të denoncimit të një rasti, është qartësisht gjinore në kontestin e rastit të Paditëses. Fustanet, zakonisht vishen nga gratë dhe vajzat, prandaj edhe paragjykimi i një zyrtari policor për atë se sa duhet të jetë i gjatë fustani është paragjykim gjinor. Legjitimimi i refuzimit të regjistrimit të rastit nga zyrtari policor A.H. prej zyrtarëve të tjerë policor të Paditur që kanë marrë pjesë në procedurë disiplinore dhe kanë shqyrtuar ankesën e Paditëses, paraqet diskriminim të sërishëm në baza gjinore të Paditëses dhe përveç tjerash, shkelje të nenit 5, paragrafit 1 të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW)[8], ku përcaktohet se shtetet e kanë për obligim të marrin masa për ndryshimin e karakteristikave të sjelljeve që të arrijnë t’i zhdukin paragjykimet dhe praktikat zakonore që mbështeten në idenë e inferioritetit ose të superioritetit të njërit apo të tjetrit seks. Kjo pasi që, paragjykimi i grave në bazë të veshjes së tyre dhe mohimi i qasjes në institucione të drejtësisë për shkak të gjatësisë së fustanit, e sforcon pikërisht idenë e inferioritetit të grave ndaj burrave.
Përpos kësaj, me refuzimin e regjistrimit të denoncimit të Paditëses, zyrtarët policorë kanë shkelur edhe të drejtën e saj në jetë private dhe familjare. Dhuna në familje e cënon integritetin fizik dhe psiqik të personave dhe mbrohet brenda të drejtës në jetë private dhe familjare. Nga kjo e drejtë buron obligimi pozitiv i shtetit për mbrojtjen e integritetit fizik dhe moral të individit nga persona të tjerë, duke përfshirë mbrojtjen dhe zbatimin adekuat të ligjeve për mbrojtje nga dhuna e shkaktuar nga individë privatë.[9] Të Paditurit ia kanë shkelur Paditëses të drejtën në jetë private pasi që kanë dështuar të sigurojnë mbrojtje aktive nga dhuna në familje për Paditësen siç detyrohen ta bëjnë në përputhje me ligjet në fuqi dhe me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ).
*Zbërthimi i hollësishëm i argumenteve të përmbledhura këtu është përfshirë në faqe 23-27
- Paditësja më 20 qershor 2019, brenda afatit ligjor ka parashtruar Padi për konfliktin administrativ për ta kontestuar vendimin e Policisë së Kosovës për ta refuzuar si të pabazuar ankesën e saj ndaj zyrtarit policor A.H. dhe zyrtares policore R.B.. Ndërsa, me këtë parashtresë kërkon të ndryshojë padinë në përputhje me parimin e ekonomizimit të procedurës në pajtim me nenin 258, paragrafi 1 LPK, që parasheh ndryshimin e padisë pa pëlqimin e të Paditurit deri në fillim të seancës për shqyrtim kryesor të çështjes.
Palët e Paditura
Përveç Policisë së Kosovës, e cila është palë e paditur sipas Padisë fillestare për konfliktin administrativ të datës 20 qershor 2019, me këtë parashtresë për ndryshim të padisë, sipas nenit 257, paragrafi 1 LPK të paditur shtesë janë edhe këto palë:
1. Ministria e Punëve të Brendshme – sipas nenit 11, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, është përgjegjëse për koordinimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e të gjithë sistemit ministror brenda fushës përkatëse të përgjegjësisë. Duke u bazuar në nenin 5, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-076 për Policinë («Ligji për Policinë»), Policia e Kosovës funksionon nën autoritetin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndërkaq sipas nenit 53, paragrafi 2 i Ligjit për Policinë, Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për dëmet e shkaktuara ndaj personave fizik si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policor në kryerjen e detyrave policore. Vendimet diskriminuese që i kanë shkaktuar dëm Paditëses, janë nxjerrë nga organet e brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila funksionon nën autoritetin e Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Prandaj në këtë padi si palë e paditur është përfshirë edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
2. Zyrtari policor A.H., sipas nenit 24 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, me refuzimin e regjistrimit të denoncimit të Paditëses për shkelje të urdhrit mbrojtës në Policinë e Kosovës, është përgjegjës për trajtim të pabarabartë dhe shkelje të të drejtës në jetë private dhe familjare të Paditëses.
3. Zyrtari policor F.H., sipas nenit 24 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, si hetues i autorizuar i Policisë së Kosovës në procedurën disiplinore ndaj zyrtarit policor A.H. në bazë të ankesës së Paditëses në Inspektoratin Policor të Kosovës, është përgjegjës për nxjerrjen e një vendimi diskriminues nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë për Paditësen, arsyetimi i së cilës mbështetet në një dokument inekzistent.
4. Zyrtari policor V.B., sipas nenit 24 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, si kryesues i panelit të Komisionit për Ankesa në Policinë e Kosovës, është përgjegjës për refuzimin e ankesës së Paditëses dhe vërtetimin e vendimit diskriminues dhe të kundërligjshëm të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
5. Zyrtari policor T.M., sipas nenit 24 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, si anëtar i panelit të Komisionit për Ankesa në Policinë e Kosovës, është përgjegjës për refuzimin e ankesës së Paditëses dhe vërtetimin e vendimit diskriminues dhe të kundërligjshëm të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
6. Zyrtari policor A.Xh., sipas nenit 24 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, si anëtar i panelit të Komisionit për Ankesa në Policinë e Kosovës, është përgjegjës për refuzimin e ankesës së Paditëses dhe vërtetimin e vendimit diskriminues dhe të kundërligjshëm të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Baza faktike
Rrjedha kronologjike e ngjarjes
a. Paraqitja në stacion policor për denoncim të shkeljes së urdhrit mbrojtës
- Më 3 shkurt 2017, Paditësja e ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj, Bekim Krasniqin, për dhunë në familje dhe ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë lëshim të urdhrit mbrojtës. Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Gjykata me Aktvendimin C.nr.254/17 më 9 shkurt 2017.[10] Urdhri mbrojtës ishte caktuar për kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe përmes tij Gjykata ia kishte ndaluar bashkëshortit të Paditëses «kryerjen e kërcënimit ose ndonjë vepre tjetër të dhunës në familje ndaj saj, që të mos e shqetësojë, ofendojë, përulë, godasë, kërcënojë, sulmojë, ndjekë, përcjellë, të mos ia shkatërrojë apo kërcënojë pronën personale, të mos e mbaj në vëzhgim apo bllokojë lëvizjen, të mos e kontaktojë direkt apo indirekt, në çfarëdo forme si përmes telefonit, emailit, postës apo formave tjera të kontaktit.» Urdhri ishte lëshuar në mënyrë që Paditësja të jetë e qetë të jetojë, të rrisë e të edukojë fëmijët e tyre të përbashkët në shtëpinë e tyre.
Provat nr.1:
1.1. Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, Aktvendim C.nr.254/17, 09 shkurt 2017.
1.2. Kërkesë për lëshim të udhrit mbrojtës, Zyra për Mbrojtësit e Viktimave, Luljeta Aliu Krasniqi, 06 shkurt 2017.
- Në mars 2017, bashkëshorti ia ndërpret Paditëses të ardhurat për mbulimin e shpenzimeve të përditshme dhe shpenzimeve për rritjen e dy fëmijëve të mitur. Kështu, më 31 mars 2017, Paditësja shkon në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë për ta denoncuar shkeljen e urdhrit mbrojtës nga bashkëshorti. Intervistimin e saj në Polici e fillon zyrtarja policore L.N., të cilës Paditësja ia dërgon aty-për-aty përmes postës elektronike Aktvendimin C.nr.254/17 të Gjykatës Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit mbrojtës. Në ndërkohë, atyre i bashkëngjitet edhe zyrtari policor A.H..[11] Pasi që zyrtari policor A.H. njoftohet për identitetin e bashkëshortit të Paditëses, i drejtohet me fjalët «(…)Nuk të marr deklaratë se nuk ka dhunë dhe nuk ka pasur as atëherë (…)». Përkundër insistimit të Paditëses, zyrtari policor A.H. kishte refuzuar të përpilojë deklaratë për raportimin e rastit, duke e urdhruar të largohet nga stacioni policor. Emaili i dërguar nga Paditësja dëshmon se zyrtarët policorë kanë qenë të njoftuar se fjala është për një denoncim të shkeljes së urdhrit mbrojtës sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prova nr.2: Emaili i dërguar nga Luljeta Aliu Krasniqi (…) për Zyrtaren Policore L.N. në email adresën (…), me 31 mars 2017, [16:03].
- Dhuna në familje dhe trajtimi diskriminues i Paditëses nga Policia kanë shkaktuar ankth, shqetësim, frikë, ndenjë të pasigurisë së vazhdueshme te Paditësja. Prandaj, në muajin prill 2017 ajo ka kryer tre vizita mjekësore tek Neuropsikiatri Dr. S.R.. Vizita e saj e parë te Neuropsikiatri ka qenë më 6 prill 2017, pra 6 ditë pas rastit kur zyrtari policor A.H. ka refuzuar ta regjistrojë denoncimin e saj. Ndërkaq dy vizitat tjera, Paditësja i ka zhvilluar më 12 prill dhe 24 prill 2017. Në Raportin Specialistik, Dr. S.R. konstaton se Paditësja ka «stres pas traumatik dhe çrregullim të gjeneralizuar të ankthit».[12]
- Një vit më vonë, më 26 prill 2018, Paditësja ishte paraqitur në Polici për ta raportuar kunatin e saj, D.K. për kanosje.[13] Kunati kishte ardhë në kopshtin e shtëpisë ku jeton Paditësja, dhe derisa ajo po qëndronte aty me disa mysafirë, ai i ishte drejtuar me fjalët: «Largohuni nga këtu sa nuk është bërë më e madhe», i kishte fotografuar ata dhe i kishte thënë «tash keni me pa».[14] Paditësja e kishte thirrur Policinë, të cilët kishin ardhur në shtëpinë e saj dhe më pas kishin vazhduar bashkë me të në Stacion Policor. Intervistimin në stacion policor e kishte filluar zyrtarja Policore R.B., të cilës më pas i ishte bashkëngjitur zyrtari policor A.H..[15] Zyrtarja Policore R.B. e kishte përpiluar deklaratën e Paditëses dhe ia kishte paraqitur asaj kopjen për nënshkrim, mirëpo Paditësja ka refuzuar ta nënshkruaj,[16] meqë nuk e përmbante deklaratën e saj të saktë. Më konkretisht, në procesverbal shkruan se Paditësja kishte deklaruar «(…) Kunati filloi të na fotografojë të gjithëve dhe na tha se do ta shihni ju tash keni me pasë punë me Gjykatë dhe është larguar.»[17] Ndërkaq, Paditësja ka deklaruar që kunati i ka fotografuar por, ajo nuk ka deklaruar që kunati i saj i ka thënë do të kesh punë me gjykatë. Në fakt, i është drejtuar me kërcënimin duke i thënë «tash keni me pa».[18] Te pjesa e nënshkrimit të procesverbalit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë shkruan «Nënshkrimi i deklaruesit: REFUZON», pa ndonjë sqarim të mëtutjeshëm për arsyet e refuzimit.[19] Zyrtarja policore R.B. e kishte njoftuar Paditësen se ishin konsultuar me prokuroren kujdestare dhe sipas udhëzimeve të saj nuk do të hapin rast.[20] Kjo përkundër faktit se Paditësja kishte deklaruar se kërcënimi i Kunatit i ishte drejtuar jo vetëm asaj, por edhe mysafirëve të saj të cilët kishin qenë të pranishëm dhe do të mund ta verifikonin deklaratën e saj.
b. Ankesa për shkelje disiplinore të zyrtarit policor
- Ditën e njëjtë me raportimin e kunatit në stacion policor, pra më 26 prill 2018, Paditësja i drejtohet Inspektoratit Policor të Kosovës («IPK») dhe ushtron ankesë për dy raste, ndaj të dy zyrtarëve policorë: (1) për shkak se me 31 mars 2017, kur kishte shkuar ta raportojë shkeljen e urdhrit mbrojtës nga bashkëshorti i saj, zyrtari policor A.H. i kishte thënë «(…)Nuk të marr deklaratë se nuk ka dhunë dhe nuk ka pasur as atëherë (…)» dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim e as nuk e kishte regjistruar deklaratën e saj për shkeljen e urdhrit mbrojtës nga bashkëshorti i saj; dhe (2) ndaj zyrtarit policor A.H. dhe zyrtares Policore R.B., për shkak të dyshimit se më 26 prill 2018 nuk ia kishin përcjellë të gjitha informatat me rëndësi prokurores kujdestare lidhur me denoncimin për kanosje kundër kunatit të saj.
Prova nr.3: Ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës nga Luljeta Aliu Krasniqi kundër punonjësve të Policisë A.H. dhe R.B., 26 prill 2018.
- IPK pasi e shqyrton ankesën, konstaton se nuk ka elemente të veprës penale dhe kështu e dërgon atë në Drejtorinë e Standardeve Profesionale të Policisë së Kosovës për trajtim administrativ. Kjo Drejtori konstaton se nuk ka shkelje të rënda disiplinore dhe ankesën e dërgon për procedim në nivel lokal. Në kohën e trajtimit të ankesës ka qenë i aplikueshëm Udhëzimi Administrativ 05/2017 për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës («Udhëzimi Administrativ për Procedurat Disiplinore në Polici»)[21], i cili është i papublikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ky dokument mund të sigurohet vetëm përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. Hetuesi i autorizuar zyrtari policor F.H. nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, Stacioni Policor Jugu, ankesën e Paditëses e ka trajtuar si ankesë për «shkelje të lehta diskredituese». Ndërkaq, njëra nga shkeljet në bazë të të cilave e ka ekzaminuar ankesën është shkelje e rëndë diskredituese, përkatësisht shkelja nga pika 1.4. «Nuk ndërmerr ose dështon në marrjen e masave të duhura gjatë kryerjes së detyrës.» dhe pika 1.6 «Sillet në mënyrë imponuese apo autoritare si dhe të pahijshme ndaj qytetarëve gjatë kryerjes së detyrës.» e Udhëzimit Administrativ për Procedurat Disiplinore në Polici.[22] Shkeljen e dytë: «Sillet në mënyrë imponuese apo autoritare si dhe të pahijshme ndaj qytetarëve gjatë kryerjes së detyrës.», përcaktohet si shkelje e rëndë disiplinore sipas nenit nenit 14, paragrafi 1.4 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat Disiplinore në Polici. Për shkak të kategorizimit të gabuar të shkeljes si shkelje e lehtë diskredituese, procedura e shqyrtimit të ankesës është zhvilluar në seancë jo-dëgjimore sipas nenit 48, paragrafi 8 i Udhëzimit Administrativ për Procedurat Disiplinore në Polici. Rrjedhimisht, Paditësja nuk është ftuar për të dëshmuar në seancën e procedurës disiplinore, megjithëqë kjo e drejtë i ka takuar në bazë të nenit 53, paragrafi 1 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat Disiplinore në Polici, pasi që ankesa në fakt është trajtuar për shkelje të rëndë diskredituese.
- Më 8 mars 2019, Hetuesi i autorizuar zyrtari policor F.H. nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, merr vendim për ankesën me të cilin, e shpallë të pafajshëm zyrtarin policor A.H., duke konstatuar se dyshimet ndaj zyrtarit të akuzuar për shkelje kanë rezultuar «të paargumentuara». Në Vendim theksohet si vijon:
«Zyrtari policor A.H. kishte kontaktuar me palën por duke parë se ajo ishte veshur (me një fustan tejet të shkurtër me një maice me rripa) në kundërshtim me kodin e etikës dhe veshjes për zyrtar dhe për palët në institucionet zyrtare dhe meqenëse rasti nuk ishte i natyrës shumë urgjente për këtë arsye i kishte thënë:
‘zonjë me këtë veshje nuk lejohet të hyni brenda në stacion sipas rregullave dhe kodit të policisë, por nëse nuk është urgjente mund të shkoni të visheni ndrysh edhe mund të vini të bisedojmë dhe do ta shqyrtojmë rastin tuaj’».[23]
Prova nr. 4: Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, zyrtari policor F.H., Vendim Nr.MDNL-PR-167/18, 21 mars 2019.
- Kodi i Etikës për Veshje për Zyrtar dhe për Palët në Institucione Zyrtare nuk ekziston! Këtë na e ka konfirmuar me shkrim Zyra për Informim e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pas ankesës së deponuar te Institucioni i Avokatit të Popullit:
«Sa i përket dokumentit ”Kodi i Veshjes për Zyrtar dhe për Palët në Institucione Zyrtare”, e kemi informuar znj. C. se Policia nuk posedon dokument me atë titull. E kemi njoftuar që në Policinë e Kosovës, sa i përket veshjes/dukjes dhe sjelljes, zbatohen aktet e brendshme të Policisë (Rregullorja e Personelit, Udhëzimi administrativ për marrëdhënie të punës në Polici dhe Kodi i Etikës). Si dhe faktin se për të punësuarit në Shërbimin Civil të Kosovës, zbatohet Rregullorja (QKR) – Nr. 04/2015 për Kodin e mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.»[24]
- Pra,«Kodi i Veshjes për Zyrtar dhe për Palët në Institucione Zyrtare» nuk ekziston! Ndërkaq, në aktet tjera të përmendura në përgjigjen e Policisë: 1) Rregullorja për Personel dhe Administratë; 2) Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2012 për Mënyrën e Kryerjes së Detyrave dhe Autorizimeve Policore; 3) Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2012 për Përdorim të Forcës nga Zyrtarët Policorë; 4) Udhëzimi Administrativ për Marrëdhënie të Punës në Polici; 5) Kodi i Etikës së Policisë; dhe 6) Rregullorja (QKR) – Nr. 04/2015 për Kodin e mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, nuk rregullohet veshja që duhet ta mbajnë palët e dëmtuara kur paraqiten në stacion policor për të denoncuar rast. Këto akte përcaktojnë rregulla për veshjen e zyrtarëve policorë gjatë ushtrimit të detyrës, por jo për palë të treta. Prandaj, Vendimi i zyrtarit policor F.H. për refuzimin e ankesës mbështetet në një akt inekzistent dhe shpikë rregulla për atë se si duhet të vishet një viktimë e dhunës në familje kur vie në stacion policor për ta denoncuar një rast të dhunës në familje.
Prova nr. 5: Përgjigje përmes postës elektronike nga Zyra për Informim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës (zimp@kosovopolice.com), dërguar si përgjigje ndaj Ankesës për mos-lejim të qasjes në dokumente publike parashtruar te Institucioni i Avokatit të Popullit, 08 maj 2020, [03:02pm].
- Më tej, në Vendim thuhet: «sipas gjendjes së vërtetuar faktike rrjedh se në veprimet e zyrtarit policor nuk janë gjetur elementet e shkeljes për të cilat dyshohet dhe ato kanë qenë në pajtim me legjislacionin pozitiv që rregullon këtë fushë – dhunën në familje në përgjithsi dhe rastin konkret në veçanti.»[25] Këtë konstatim zyrtari policor F.H. e bën duke mos iu referuar e duke mos e elaboruar as edhe një dispozitë të vetme të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje të Agjencisë për Barazi Gjinore, e as edhe të Procedurave Standarde të Veprimit për Hetim të Dhunës në Familje të Policisë së Kosovës.
- Më 8 prill 2019, Paditësja parashtron ankesë ndaj këtij vendimi para Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime të Policisë së Kosovës («Komisioni i Ankesave të Policisë»).[26] Me ankesë Paditësja kërkon që të anulohet vendimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë për shpalljen e pafajshme të zyrtarit policor A.H., të ndërmerren masa ligjore për shkelje të rënda ai dhe të procedohet rasti sërish në Inspektoratin e Policisë për hetim të veprave penale.[27] Argumentet kryesore të ankesës janë: 1) Vendimi është nxjerrë në shkelje të parimit të transparencës pasi që i referohet akteve nënligjore jo-publike të paqasshme për palët, me theks të veçantë Udhëzimin Administrativ 05/2017 për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës (i cili as sot në ditën e paraqitjes së kësaj padie nuk është i qasshëm as në Gazetën Zyrtare të RKS-së as në webfaqen e MPB-së, e as në web faqen e Policisë) dhe Kodit të Etikës për Veshjen për Zyrtar dhe për Palët në Institucionet Zyrtare; 2) Nuk është e vërtetë se zyrtari policor A.H. e ka larguar Paditësen nga stacioni policor për shkak të veshjes së saj dhe nuk është e vërtetë që i ka thënë të kthehet më vonë ta raportojë rastin; 3) Edhe po të ishte e vërtetë që Paditësja ka qenë e veshur me «një fustan tejet të shkurtër dhe maice me rripa», zyrtarët policorë kanë pasur për obligim ta marrin deklaratën e saj për dhunë në familje dhe shkelje të urdhrit mbrojtës nga bashkëshorti në pajtim me Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje; 4) Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike është vepër penale sipas Kodit Penal; dhe 5) Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e urdhrit mbrojtës, Paditësja ia kishte dërguar përmes postës elektronike më datë 31 mars 2017 zyrtares Policore L.N., që e dëshmon se zyrtarët policorë kanë qenë të njoftuar që bëhej fjalë për shkeljen e një urdhri mbrojtës të lëshuar nga gjykata.
Prova nr.6: Ankesë ndaj Vendimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, Vendimi MDNL-PR-167/18 i datës 21 mars 2019 dhe Vendimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, Vendimi MDNL-PR-168/18 i datës 18 mars 2019, parashtruar nga Luljeta Aliu Krasniqi, për Komisionin për Ankesa dhe Shpërblime të Policisë së Kosovës, 8 prill 2019.
- Më 10 maj 2019, Komisioni për Ankesa i Policisë, i përbërë nga Kryesuesi zyrtari policor V.B. dhe anëtarët zyrtari policor T.M. dhe zyrtari policor A.Xh., në emër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, merr vendim me të cilin e refuzon si të pabazuar ankesën e Paditëses dhe e vërteton vendimin e zyrtarit policor F.H., për shpalljen e pafajshme të zyrtarit policor A.H..[28] Në vendim thuhet se në seancën jo-dëgjimore paneli i Komisionit për Ankesa ka vlerësuar një numër provash materiale (duke përfshirë ankesat e Paditëses, procesverbale të intervistimit të zyrtarëve policorë të akuzuar për shkelje disiplinore, e me radhë).[29] Sipas Komisionit të Ankesave, Paditësja me asnjë provë nuk ka argumentuar pretendimet e saj, provat e paraqitura në ankesë nuk paraqesin dëshmi të mjaftueshme dhe nuk çojnë në konstatimin e një gjendje tjetër faktike nga ajo që është konstatuar nga vendimi i ankimuar.[30] As në këtë vendim nuk përmendet as edhe një dispozitë e vetme e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, e as edhe të Procedurave Standarde të Veprimit për Hetim të Dhunës në Familje.
Prova nr. 7: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Komisioni për Ankesa dhe Shpërblime, Vendim Nr.145-KA-2019, 10 maj 2019.
- Pas pranimit të këtij vendimi, Paditësja parashtron Padi për Konfliktin Administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 20 qershor 2019, me të cilën i konteston vendimet e Policisë në lidhje me ankesën dhe shpalljen e pafajshme të zyrtarëve policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë.[31] Me anë të kësaj parashtrese për ndryshim të padisë, kërkojmë që Gjykata të vendosë sipas petitumit të kësaj padie për diskriminim dhe t’i mbajë përgjegjës institucionet përkatëse dhe zyrtarët e përfshirë, për shkelje të të drejtave themelore të njeriut të Paditëses.
- Këtë parashtresë për ndryshim të padisë, Paditësja e parashtron vetëm sa i përket pjesës së Vendimit Nr.145-KA-2019 të