Duke u ngarkuar...
2020-06-23

Mbajtja Financiare dhe Ushqimia

Ushqimia është mbajtje, si detyrim financiar ndaj ish-bashkëshortit/es dhe fëmijëve. Ndërsa mbajtja financiare nënkupton detyrimin financiar dhe material ndaj ish-bashkëshortit dhe fëmijëve.

Shkurorëzimet janë një proces që në vete bartë sfida të shumta të cilat natyrisht ndikojnë jo vetëm tek ish-bashkëshortët por edhe anëtarët e tjerë të familjes, posaqërisht tek fëmijët e tyre. Numri i shkurorzimeve shënon shifra të larta edhe në vendin tonë. Sipas statistikave të fundit të paraqitura nga Instituti i Statistikave të Kosovës të siguruara nga Ministria e Drejtësisë del se për periudhën 2014-2018 janë realizuar 4240 shkurorëzime e që në përqindje përkthehet me 17.8% të martesave të lidhura gjatë kësaj periudhe. Arsyjet më të shpeshta për shkurorëzim në nivelin individual janë kryesisht të lidhura me dhunë në familje, probleme financiare, martesa shumë e re, mungesën e përkushtimit, pabesia, konflikti dhe polemika, abuzim të substancave dhe probleme të tjera, siç janë dallimet fetare, etj.

Si sfidat më të mëdha, që rrjedhin si pasojë e shkurorëzimeve janë çështjet ligjore, procedurat gjyqësore, financiare, e veçmas ato që lidhen me kujdestarinë e fëmijëve, me mbajtjen financiare dhe ushqimin. Në procesin e shkurorëzimit ata që vuajnë më shumë janë fëmijët, për të cilët jo rrallë herë zhvillohet një “luftë” e vrazhdë ligjore mes ish-bashkëshortëve për kujdestari të fëmijëve.   

Në Kosovë ende mbisundon koncepti i ndarjes sipas të cilit pas shkurorëzimit ndërpriten të gjitha mardhëniet midis ish-bashkëshortëve, ku me vendim gjyqësor vetëm njërit nga prindërit i takojnë fëmijët (zakonisht nënës) kurse prindit tjetër i takon e drejta e kontaktit dhe obligimet e mbajtjes financiare dhe ushqimisë.

Martesa konsiderohet si bashkim jo vetëm ligjor i personave por dhe si lidhje e cila kurorzohet me qëllim të mbështetjes, përkrahjes dhe ndihmës reciproke të bashkëshortëve, pikërisht këtë kanë pasur parasysh ligjvënësit kur kanë paraparë dispozitat me të cilat rregullohen çështjet e mbajtjes financiare dhe ushqimisë.

Ushqimia është mbajtje, si detyrim financiar ndaj ish-bashkëshortit/es dhe fëmijëve. Ndërsa mbajtja financiare nënkupton detyrimin financiar dhe material ndaj ish-bashkëshortit dhe fëmijëve. Këto institute sipas ligjit e sqarojnë mënyrën e përfitimit të kësaj të drejte nga personat e caktuar. Bashkëshorti i cili nuk ka mjete të mjaftueshme për mbajtje financiare, i cili nuk është i aftë të punojë ose që për arsye tjera nuk mund të punësohet, ka të drejtë në mbajtje financiare nga bashkëshorti tjetër në proporcion me mundësitë e tij financiare. Gjykata duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit mund edhe ta refuzojë kërkesën për ushqimi, nëse ushqimia është kërkuar nga bashkëshorti me keqbesim ose nëse ai e ka braktisur bashkëshortin pa ndonjë arsye të bazuar.

Detyrimin për ushqimi së pari e mban bashkëshorti i shkurorëzuar. Nëse bashkëshorti i shkurorëzuar nuk ofron ushqimi të mjaftueshëm, detyrimi kalon në të afërmit e të paditurit sipas radhës së trashëgimisë.

Personat të cilët duke marrë parasysh të gjitha detyrimet personale nuk janë në gjendje të sigurojnë mbajtje financiare pa rrezikuar mjetet e tyre financiare të arsyeshme nuk janë të detyruar të sigurojnë mbajtje financiare. Prindërit janë të detyruar të sigurojnë mbajtje financiare në mënyrë të arsyeshme për fëmiun e tyre të mitur dhe të pa martuar. Kjo gjithashtu vlen për fëmijët në moshën në mes 18 dhe 26 vjeç përderisa ata jetojnë në shtëpinë e prindërve të tyre apo njërit prind dhe janë ende në shkollim të përgjithshëm. Mbajtja përfshin të gjitha kërkesat e domosdoshme për jetë, duke përfshirë të gjitha shpenzimet e domosdoshme për trajnim dhe shkollim për të fituar profesion. Mbajtja duhet të jepet në formë paradhënie për çdo muaj.

Gjykata edhe gjatë procedurave të kontesteve martesore, me vendim duke u bazuar në padi, mund të caktojë masa të përkohshme për sigurimin e ushqimisë dhe mbajtjes financiare për bashkëshortin/en. Ndërkaq nëse bashkëshorti/ja nuk e ka paraqitur kerkesën për ushqimi gjatë procesit të shkurorzimit atëherë, për shkak të bazës së arsyeshme mund të paraqes kërkesën e tillë në një kontest të ndarë gjyqësorë brenda një afati prej 2 viteve dhe vetëm nëse i plotëson kushtet e caktuara me ligj, nëse kushtet për dhënien e ushqimisë kanë ekzistuar para shkurorëzimit dhe kanë vazhduar deri në mbylljen e seancës gjyqësore në kontestin për ushqim ose nëse brenda këtij afati është shkaktuar paaftësia për punë, si pasojë e lëndimit trupor ose shëndetit të dëmtuar nga koha parashkurorëzimit.

Ligji për Familje i Kosovës në nenin 70 pika 2 theksohet se: së bashku me propozimin për shkurorëzim (në rast të shkurorëzimit me marrëveshje të dyanshme), bashkëshortët janë të detyruar të parashtrojnë marrëveshjen me shkrim për përkujdesje, edukim dhe ushqim të fëmijëve të tyre të përbashkët si dhe propozimin me shkrim mbi atë se si kontaktet personale mes fëmiut dhe të dy prindërve do të garantohen në të ardhmen.

Çështja e ushqimisë nuk ka për qëllim dëmtimin e bashkëshortëve andaj gjykata në rastin e caktimit të saj duhet të ketë parasysh gjendjen financiare të të paditurit, aftësinë për të punuar, mundësinë faktike për punësim, kushtet shëndetësore, nevojat personale, detyrimet ligjore dhe të gjitha kushtet tjera relevante, kur kërkohet për fëmijët, gjykata merr parasysh moshën e fëmijut dhe të gjitha nevojat për edukimin dhe arsimimin.

Gjykata mund të refuzojë kërkesën për ushqimi edhe nëse kërkuesi është fajtor për fyerje të rëndë të paramenduar kundër partnerit. Edhe pasi gjykata të vendos për mbajtje ky vendim gjyqësorë mund të ndryshojë ne rast se ndryshojnë rrethanat që kanë sjellë vendimin e tillë.

Fëmijët e personave të shkurorëzuar me aftësi fizike dhe mendore, të aftë për punë, janë të parët për nga detyrimi që kanë për mbajtje financiare për prindërit e tyre nëse prindërit e tij nuk nuk janë të aftë për punë dhe nuk kanë të ardhura minimale për të jetuar.

Kërkesëpadia për ushqimi do të jetë e paarsyeshme nga gjykata nëse: 1. Periudha e kohëzgjatjes së martesës apo periudha për të cilën është ofruar mbajtja për fëmijën e përbashkët ka qenë shumë e shkurt dhe për faktin e martesës ose mbajtjes për çka kërkohet ushqimia; 2. Paditësi është fajtor për krim apo sulm të rëndë të paramenduar kundër bashkëshortit tjetër; 3. Paditësi me qëllim shkakton nevojshmërinë e tij.

Bashkëshortët e shkurorëzuar janë të detyruar t’i paraqesin njëri tjetrit të hyrat dhe gjendjen financiare sipas kërkesës. Ushqimia së pari duhet të bëhet në të holla.

Në praktikë këto dispozita ligjore është e vështirë të aplikohen, duke marrë parasysh faktin se në Kosovë është i pranishëm niveli i lartë i ekonomisë joformale, niveli i lartë i papunësisë, problematika të çështjeve pronësore, dhe mungesa e kontratave të punës, pagesa në kesh e shumë të tjera, të cilat krijojnë problematika të ndryshme, sepse ndikojnë në administrimin e fakteve nga gjykata, e ka raste kur merren vendime jomeritore, ekziston mundësia që ushqimia e fëmijës të paguhet në mënyrë jo të rregullt ose kohë pas kohe, ushqimia ndaj grave të ndahet në shumën minimale, duke qenë se ka qenë e papunësuar, ose duke jetuar në banesë me qira, problematika të cilat i kemi hasur në rastet e ndryshme ku organizata INJECT ka komunikuar.

Ky shkrim është realizuar nga Organizata joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, INJECT, në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.