Dhuna institucionale duhet të parandalohet përmes krijimit të mekanizmave dhe procedurave të koordinuara dhe të integruara mirë, sepse dhuna institucionale e bën shtetin bashkëfajtor në kryerjen e dhunës ndaj grave.
Forma të ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave kanë qenë dhe ende janë të toleruara në shumë vende të botës, veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara. Dhuna, si një mënyrë për të demonstruar fuqinë dhe për të mbajtur marrëdhëniet e pushtetit të ruajtura në marrëdhëniet familjare, sferat sociale, ekonomike, kulturore dhe politike që formojnë normat ligjore, të cilat ndikojnë në jetën dhe rolin e grave në shoqëri. Dhuna e përjetuar nga gratë dhe vajzat operon si në nivelin personal, poashtu edhe në atë strukturor e institucional përmes legjislacionit, procedurave dhe praktikave të prodhuara nga institucionet shtetërore.
Ka akoma shumë vende që nuk i njohin të gjitha format e dhunës me bazë gjinore në legjislacionin e tyre. Dhuna institucionale është njëra nga ato. Dhuna institucionale nuk është doemos dhunë fizike. Në përgjithësi dhuna shprehet në forma të ndryshme, si përshembull në rastin e dhunës në familje, kur dhuna mund të merr forma fizike, psiqike, ekonomike apo seksuale. Dhuna institucionale është një formë e dhunës, e cila përdoret nga institucionet apo zyrtarët institucionalë, të cilët përmes mohimit të qasjes në resurse apo të drejta të garantuar me ligj, ua shkelin të drejtat qytetarëve. Dhuna institucionale pra ka të bëjë me mospërfilljen e të drejtave, izolimin ose kufizimin e burimeve zhvillimore ndaj personave të caktuar më të cenueshëm e më të pambrojtur, siç mund të jenë të varfërit, fëmijët, minoritetet, e veçanërisht gratë. Dhuna institucionale është dhunë, e cila shprehet përmes diskriminimit të qëllimshëm ndaj këtyre personave nga zyrtarët e institucioneve. Diskriminimi shpien në kufizim të mundësive për qasje në drejtësi, në arsimim, në punë e shëndet, dhe rrjedhimisht është dhunë e shprehur përmes akteve dhe veprimeve të institucioneve. Dhuna institucionale është pra diskriminimi institucional.
Dhuna institucionale ndaj grave është më e zakonshme nga sa mund të mendohet, dhe ajo ka ndikuar në kulturën tonë që nga themelimi i këtij vendi. Diskriminimi që ju bëhet grave, mund të ndodhë në çdo fazë të procesit të kërkimeve e përpjekjeve të tyre për realizimin e të drejtave, si në polici, në prokurori, në gjykata, në vende pune, në pjesëmarrje politike etj. Sidoqoftë, disa raste nuk janë aq të dukshme, pikërisht për shkak të mosnjohjes së këtyre shkeljeve nga ana e viktimave, ngase dhuna institucionale shpesh mund të jetë e vështirë për tu zbuluar dhe mbi të gjitha, si koncept, nuk është i njohur në shoqërinë tonë.
Kjo lloj dhune shprehet nga institucionet përmes pabarazisë gjinore, racizmit, ligjeve diskriminuese, rregullave, dhe madje edhe ideologjive fetare. Nisur nga informacionet e përditshme, të cilat i marrim qoftë nga mediat, nga gazetat, kontaktet me palët e prekura nga dhuna, si dhe organizatat e të tjera që merren me të drejtat e grave, vlerësojmë se dhuna institucionale meriton të trajtohet me fokus më të detajuar, ashtuqë nga këto vështrime dhe reagime të potencojmë nevojën për ndryshim.
Mund të ndodhë gjithashtu në raste si tek caktimi i detyrave të pafavorshme ose të pakëndshme që u caktohen vazhdimisht anëtarëve të një grupi të caktuar, grave, vajzave, pikërisht për shkak të gjinisë, pastaj, paga jo e barabartë midis punëtorëve burra dhe gra, të cilët ndajnë të njëjtat përgjegjësi, e cila mund të rezultojë në mosmarrëveshje mbi pagën, vështirësi ose pengesë në përdorimin e të drejtave të siguruara shëndetësore, familjare dhe sociale. Meqë kjo formë e dhunës apo diskriminimit fshehet shpeshherë në procedura e praktika formale, dhuna institucionale është shumë e vështirë të zbulohet dhe dëshmohet.
Institucionet supozohet të jenë vende të sigurta sikurse shtëpitë, një vend të cilin mund ta quajnë të sigurtë. Mbi të gjitha institucionet mendohen të jenë ato mekanizma, të cilat e mbrojnë qytetarin nga dhuna e diskriminimi. Mirëpo shpesh edhe në këto institucione ekziston një tendencë për të larguar nga puna gratë me aftësi të kufizuara, ose gratë të cilat presin një fëmijë, me arsyetimin se janë të paafta për t’u kujdesur për të gjitha punët dhe sepse nuk mund t’i paguajnë kur ato marrin pushimin.
Ndërsa kur evidentojmë dhunën institucionale në sistemin juridik dhe drejtësi, këto shpeshherë janë të verbër ndaj autorëve të dhunës. Kryesit e dhunës tolerohen duke mos u bërë asnjë pengesë ose veprim për të parandaluar sjelljet e tyre dhe dëmet që këto sjellje i shkaktojnë viktimës. Mungesa e ndëshkueshmërisë, sanksionimi i vogël i veprave dhe kompenzimi i vonshëm i viktimave janë disa nga arsyet pse gratë dhe vajzat, viktimat e dhunës, nuk ankohen ndaj këtyre zyrtarëve ose vet institucioneve, të cilët ia kanë mohuar këto të drejta, ia kanë mbajtur të fshehura ato të drejta.
Gratë, riviktimizohen nga ana e institucioneve për shkak të mungesës së koordinimit të burimeve dhe reagimeve të akterëve në proces të trajtimit të dhunës ndaj tyre. Edhe vetë koha e humbur gjatë procedurave të stërzgjatura dhe komplekse nëpër institucionet e rendit dhe ligjit shkakton shpeshherë pasoja të rënda te viktimat, të cilat përjetojnë degradim social dhe jetojnë në kushte të rënda financiare për shkak të procedurave shumëvjeeçare dhe me një kosto të lartë.
Ligji i Kosovës për Barazi Gjinore përkufizon integrimin gjinor si “përfshirje e perspektivës gjinore në çdo fazë të procesit, të planifikimit, miratimit, zbatimit, përcjelljes dhe vlerësimit të legjislacionit, politikave ose programeve dhe buxheteve, në të gjitha sferat politike, ekonomike dhe shoqërore, duke pasur parasysh promovimin dhe avancimin e mundësive të barabarta mes meshkujve dhe femrave”. Por kur e analizojmë këtë kërkesë me shifrat reale të përfshirjes së grave në shoqëri, kemi para vetes një pikturë krejtësisht tjetër. Nëse flasim, ta zëmë për punësimin, aktualisht, të dhënat e kufizuara në dispozicion në Kosovë tregojnë se punësimi te meshkujt 45.9%, ndërsa punësimi te femrat është vetëm 13.7%. Vetëm 15% të grave kanë pronë në emër të tyre. Dhe vetëm 3 % e kredive për bizneset ju jepen grave. Ndërsa dhuna fizike në familje sillet rreth shifrës 40%.
Poashtu Kodi Penal i Republikës së Kosovës në nenin 190 (Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës) parasheh në paragrafin 1 që „Kushdo që për shkak të përkatësisë kombëtare apo etnike, racës, fesë, apo për shkak që nuk i përket ndonjërës përkatësi, apo për shkak të bindjeve politike ose bindjeve të tjera, gjinisë, invaliditetit, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, arsimit, pozitës shoqërore, prejardhjes sociale, gjendjes materiale, apo ndonjë karakteristike tjetër personale, tjetrit ia mohon ose kufizon të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë, ligj ose dispozita të tjera, akte të tjera të përgjithshme ose marrëveshje të ratifikuara ndërkombëtare, apo i jep privilegje apo favore bazuar në këto dallime, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet. Në paragrafin 4 të po këtij neni është përcaktuar se „kur vepra penale nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni kryhet nga personi zyrtar me keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.“
Ky nen shumë qartë e bën të dënueshëm shkeljen e të drejtave të qytetarëve në bazë të diskriminimit për arsye të ndryshme, edhe diskriminimin gjinor. Sidomos kur shkeljet ndodhin nga zyrtarët, neni 190 i Kodit Penal parasheh dënimin me burgim. Megjithatë, për shkak të funksionimit zinxhiror të hallkave institucionale, realisht është gati e pamundur që të fitohet një rast kundër ndonjë zyrtari, aq më shumë kur pala e dëmtuar është grua dhe ka resurse të limituara për ta realizuar të drejtën e saj.
Organizata Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT i është përkushtuar në formë ekskluzive trajtimit të rasteve të diskriminimit institucional, pra zbulimit dhe luftimit të dhunës institucionale. Dhuna institucionale duhet të parandalohet përmes krijimit të mekanizmave dhe procedurave të koordinuara dhe të integruara mirë, sepse dhuna institucionale e bën shtetin bashkëfajtor në kryerjen e dhunës ndaj grave.
Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.