Nevojiten katër gjenerata që të rikuperohet një akt i dhunës tek një grua.
Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve përfaqëson formë më të përhapur të dhunës në Kosovë, ku kryesit e veprave penale më së shumti janë partnerët meshkuj, bashkëshortët ose ish-bashkëshortët. Si pasojë e problemeve të shumta që lindin nga dhuna në familje, viktimat kanë nevojë për shërbime të këshillimit gjatë gjithë procesit të rehabilitimit, dhe më tej. Ashtu siq shprehet aktivistja e të drejtave të gruas, themeluese dhe ish-drejtoreshë e organizatës First Peoples Worldwide, Rebecca Adamson “nevojiten katër gjenerata që të rikuperohet një akt i dhunës tek një grua”.
Nevoja për këshillim psikologjik dhe trajtim psikik, është mjaft e madhe, mirëpo gratë viktima të dhunës mund të ju referohen insitucioneve shëndetësore për përkujdesje psikiatrike. Në rast se është e nevojshme viktimat e dhunës në familje, duhet të referohen te psikologu i fëmijëve apo psikiatri në Qendrat e Mjekësisë Familjare, Qendrat e Shëndetit Mental, ose Qendrën e Shëndetit Mendor për Fëmijë dhe Adoleshentë, në kuadër të institucioneve vendore. Referimi i fëmijëve bëhet në prani të menaxherit të rastit nga Qendra për Punë Sociale, i cili caktohet pasi policia e ka marrë viktimën në intervistim dhe ka bërë vlerësimin e rrezikut, ku rezulton se viktima ka nevojë për trajtim psikologjik dhe strehim.
Këshillimi brenda strehimores, duhet të bazohet në planin individual nga menaxheri i strehimores, si dhe duhet të bëhet me pëlqimin e viktimës.
Një mbështetje të tillë psikologjike e ka ofruar edhe organizata Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT, në projektin “Një për të gjitha, të gjitha për një”, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sociale dhe terapeutike, përmes organizimit të seancave në grup, të udhëhequra nga një psikologe. Seancat janë të organizuara me 10 gra, nëna vetëushqyese të divorcuara, me moshë në mes 25-50 vjeçare, ku si pasojë e dhunës në familje kanë përjetuar momente traumatike. Këto pjesëmarrëse e gjejnë fillimisht mbështetjen tek psikologia, por edhe tek njëra tjera duke ndarë përvojat e tyre me njëra tjetrën. Ky projekt është i mbështetur nga Komuna e Prishtinës, me një buxhet modest, ku seancat mbahen në zyret e organizatës. Gjatë seancave grupore psikoterapeutike është evidentuar nevoja që pjesëmarrëset kishin për një shërbim të tillë.
Gjatë kohës së pandemisë, ka pasur interesim të shtuar të grave tjera, të cilat po ashtu kanë përjetuar trauma, dhunë psikologjike e fizike, që të jenë pjesë e seancave psikoterapeutike të organizatës INJECT. Kjo ka ardhur si rezultat i grave pjesëmarrëse në seanca dhe efekteve pozitive që kanë përjetuar dhe përvojen e tyre gjatë seancave e kanë ndarë me tek gratë tjera. Edhe studime të shumta në botë kanë dëshmuar që terapia grupore është një ndër format më të qëlluara për rimëkëmbjen, stabilizimin dhe fuqizimin e grave pas një periudhe të dhunës në familje.
Historitë e tyre janë të ngjashme sa i përket dhunës në familje, por shumë të ndryshme ngase secila prej tyre e ndien ndryshe dhimbjen, ndryshe sfidën, dhe secila grua ka modelin e saj të veçantë të menaxhimit të situatave stresuese e traumatike. Duke i ndarë rrëfimet e tyree me njëra–tjetrën ato marrin energji të reja, metoda dhe teknika relaksuese e motivuese nga një psikologe profesioniste e pajisur me teknika efektive që mund të ndikojë drejtëpërdrejtë në jetën e tyre, pavarësisht vështirësive. Edhe pse numri i seancave është i limituar në këtë projekt, gratë do të vazhdojnë të shoqërohen në mes vete, të fitojnë besimin tek njëra-tjetra, të shprehin lirshëm mendimet e tyre dhe të gjejnë mbështetjen emocionale aq të nevojshmë për to.
Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.