Duke u ngarkuar...
2020-04-24

Roli i Policisë në Raport me Viktimën e Dhunës në Familje

Në dritën e dukshmërisë së tyre dhe rolit lidhës me pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë penale, zyrtarët e zbatimit të ligjit, duhet të aftësohen edhe më shumë, për të identifikuar dhunën në familje dhe të veprojnë në përputhje me ligjin dhe rrethanat.

Në nivel global, zyrtarët për sigurimin e zbatimit të ligjit, zyrtarët policorë, janë personat e parë që një viktimë e dhunës në familje ka të ngjarë të takojë. Zbatuesit e ligjit, policët, janë një autoritet i njohur dhe shumë i dukshëm i komunitetit, të cilët ofrojnë shërbime falas, dhe në përgjithësi janë një nga akterët e paktë të sistemeve që mund të ofrojë ndihmë të shpejtë ditore 24-orëshe për qytetarët.

Si reagues të parë, ata luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e sigurisë së viktimave dhe rritjen e përgjegjësisë të shkelësve. Mirëpo zbatimi i ligjit mund të jetë i mangët kur shkeljet nuk adresohen apo nuk raportohen incidentet e dhunës në familje, të cilat mund të përfundojnë me pasoja për viktimën.

Në çdo orë, në të gjitha vendet, dukshmëria dhe autoriteti i policëve vazhdon të rritet, me rritjen e numrit të personave të cilët përjetojnë dhunë në familje, në çastin kur vihet në kontakt me zyrtarët e zbatimit të ligjit. Kështu, policia luan një rol vendimtar në adresimin dhe zvogëlimin e incidenteve të dhunës në familje.

Sipas Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, nr. 03/L-182, neni 24,  i cili cakton përgjegjësit e Policisë së Kosovës, ndër të cilat: Policia ka për obligim t’i përgjigjet secilit njoftim për veprat ose kërcënimet e dhunës në familje ose shkeljes së urdhërit për mbrojtje apo të urdhërit për mbrojtje emergjente, pa marrë parasysh se kush e bën njoftimin. Nëse ekzistojnë faktet të cilat i mbështesin dyshimet e arsyeshme se është kryer një vepër penale, posaçërsisht që ka të bëjë me dhunën në familje, policia e arreston kryerësin e supozuar në pajtim me ligjin.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit veprojnë si gardianë ose mbrojtës të drejtësisë penale. Mirëpo, problemet lindin kur akuzat që bëhen për dhunën e ushtruar ndaj një personi ose disa personave, nuk merren seriozisht nga policia, nuk trajtohen me prioritet, nuk u ipen informacionet e domosdoshme madje konsiderohen një problem familjar dhe rrjedhimisht, të papërshtatshëm për veprime policore.

Sipas ligjit, Policia ka për obligim të informoj viktimën, përfaqësuesin ligjor ose mbrojtësin e viktimës për të drejtat e tij, por edhe me të drejtën për të kërkuar urdhrin për mbrojtje të përkohshme. Gjithasthu policia duhet të informoj viktimën lidhur me shërbimet e ndihmës ligjore, psikologjike dhe ndihmave të tjera në dispozicion nga institucionet qeveritare si dhe prej rrjetit të autorizuar të organizatave joqeveritare të cilat ofrojnë shërbime për viktimat. Policia mund të bëjë largimin e të pandehurit (dhunuesit) nga banesa ku e ka vendbanimin ose vendqëndrimin e palës së mbrojtur (viktima) apo ndonjë pjese të saj në rastin kur me anë të urdhrit për mbrojtje ose urdhrit për mbrojtje emergjente caktohet kjo masë. Të bëjë sigurimin e kontaktit zyrtar për viktimën ose përfaqësuesin e saj ligjor me nëpunësin hetues në kuadër të Policisë së Kosovës nëse kërkohet ndihma e mëtejshme.

Në dritën e dukshmërisë së tyre dhe rolit lidhës me pjesën tjetër të sistemit të drejtësisë penale, zyrtarët e zbatimit të ligjit, duhet të aftësohen edhe më shumë, për të identifikuar dhunën në familje dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat.

Në momentin kur një viktimë kontakton policinë, qytetari duhet të trajtohet me dinjitet dhe t’i respektohen të drejtat bazike gjatë identifikimit e poashtu edhe në fazat tjera të procedurës. Intervista për identifikim është një fazë kritike në proces për të ndërtuar besimin e viktimës, për t’i ofruar siguri dhe ndihmë atyre, duke pasur gjithnjë në konsideratë traumat e marrura tek viktima si pasojë e dhunës. Pasi të merret deklarata e viktimës ajo dërgohet tek prokurori për inicim të procedurës.

Viktima ka të drejtë për t’u informuar rreth procedurave ligjore nga policia, të kërkojë mbrojtje, të sigurojë dëshmi dhe fakte për hetimet kriminale për atë se çfarë ka ndodhur.

Sigurimi i viktimave dhe informacioni mbi të drejtat e saj/ tij ligjore reflektojnë standardet më të mira të praktikës. Viktima e dhunës në familje duhet të trajtohet me dinjitet dhe mos të vikitimizohet përsëri. Angazhimi i akterëve në taktika dhe sjellje që do të riviktimizonin personin e intervistuar – viktimën e dhunës në familje konsiderohet shkelje e të drejtave të viktimës.

Për të ju siguruar viktimave të drejtat e njeriut, atyre duhet ofruar mundësia e kontaktit me anëtarët e familjes, tek të cilët ajo/ai ka besim të plotë se do t’i ofrohet ndihma dhe mbështetja e duhur. Viktimës duhet t’i ofrohet mundësia e komunikimit të drejtë në gjuhën e vet amëtare ose gjuhën që ai/ ajo e kupton. Për të adresuar më mirë nevojat e viktimës, zbatimi i ligjit duhet të funksionojë si pjesë e një qasje më të gjerë multi-sektoriale.

Policia, mund të shqiptojë urdhërmbrojtje të përkohshme emergjente, i cili është urdhri i lëshuar jashtë orarit të punës së gjykatave nga Shefi i njësitit Rajonal të Policisë së Kosovës. Masat mbrojtëse e ndalojnë kryesin e dhunës në familje që të mos kryejë disa vepra, të cilat mund të ndikojnë në dëm të viktimës edhe pas kryerjes së veprës penale të dhunës në familje.

Në rast se Policia nuk ka arritur të kryej obligimet e saj të përcaktuara me ligj atëherë ndaj tyre viktimat mund të paraqesin ankesa në Inspektoratin Policor. Ky inspektorat merret me parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin e veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë,pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj, përfshirë edhe hetimet mbi incidentet e profilit të lartë disiplinor si dhe hetimin disiplinor të zyrtarëve policor me gradën më të lartë të nivelit të lartë të menaxhimit dhe zyrtarëve të lartë të nivelit ekzekutiv. Nëse pretendoni se ju janë shkelur të drejtat tuaja nga zyrtarët policorë atëherë mund të lajmëroheni në këtë numër: 080003333.

Është tejet e rëndësishme që siguria e viktimës të jetë përparësia kryesore nga policia dhe që nga institucionet e tjera të drejtësisë të respektohen të drejtat dhe nevojat e viktimës.

Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECTT në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”