Duke u ngarkuar...
2020-04-16

Të Drejtat e Grave janë të Drejta të Njeriut

Mungesa e realizimit të drejtësisë vazhdon të jetë një ndër barrierat kryesore në arritjen e kualitetit të jetesës për gratë, duke e vështirësuar kështu edhe prosperimin e shoqërisë.

“Të Drejtat e Grave janë të Drejta të Njeriut” është frazë që përdoret nga levizjet feministe dhe nënkupton që gratë kanë të drejtë në të gjitha të drejtat e njeriut. Të drejtat e njeriut si grup parimesh etike që kanë një dimension juridik, lindën nga nevoja e secilit individ për të shijuar kushtet thelbësore për një jetë më të mirë. Të drejtat e njeriut, këto që sot i njohim, janë strukturuar përmes një procesi të gjatë  me shumë ndryshime.

Gratë nuk kishin qasje në këto të drejta sepse llogariteshin në nivel me të ulët se burrat. Rreth dy shekujve të fundit, në të drejtat e njeriut u përfshinë edhe gratë, kjo si meritë e ngritjes së zërit të tyre për pozicionim si individ që i’u takon çdo e drejtë që gëzojnë burrat. Ngritja e zërit të grave mbi të drejtën për të votuar (1848) ishte ndër shënimet më të rëndësishme në historinë e të drejtave të njeriut.

Shumë zëra janë ngritur duke kërkuar njohjen e të drejtave specifike kontekstuale të grave. Ato kërkojnë të drejtën për të qenë agjente dhe përfituese të zhvillimit, gjithashtu të drejtën për të qenë pjesë aktive e shoqërisë përgjatë proçeseve që çojnë drejt zhvillimit të barabartë për të gjithë. Gratë kërkojnë të kenë paga të barabarta me burrat. Kërkojnë të drejtat riprodhuese që përfshijnë të drejtën e grave për të marrë kujdes të përshtatshëm gjatë shtatëzanisë dhe lindjes së fëmiut, të kenë qasje në kontraceptivë të kontrolluar siç duhet, të vendosin kur ato dëshirojnë të kenë fëmijë dhe sa fëmijë të kenë, dhe t’u njihet e drejta për të ushtruar kontroll mbi trupin e tyre.

Kombet e Bashkuara përcaktuan që grave të ju pranohen të drejtat e njeriut ashtu sikur çdo qenie njerëzore, që përfshihet e drejta për të jetuar pa dhunë, skllavëri dhe diskriminim, e drejta për tu arsimuar, e drejta e pronës, e drejta për të votuar dhe për të fituar pagë të merituar dhe të barabartë.

Grave ju garantohen të njëjtat të drejta dhe liri si burrave, sipas:

• Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut

• Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike

• Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore

• Konventës Kundër Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese

• Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave

Në vendet që punojnë drejt arritjes së një shoqërie të drejtë dhe të barabartë, diskrimini i hapur apo institucional është eleminuar por diskriminimi i fshehur me të cilin vazhdojnë të përballen gratë është akoma shqetësues. Ndjeshëm, në Kosovë, grave dhe vajzave u mohohen ende këto të drejta për shkak të gjinisë si pasojë e sistemit patriarkal brenda të cilit funksinon shumica e shoqërisë kosovare. Mbizotërimi i praktikes zakonore nga vet zyrtaret e instiucioneve të drejtësisë po e vështirëson realizimin e drejtësisë.

Problemi kyq është respektimi i ligjeve atëherë kur janë në pyetje rastet e grave. Vazhdon të jetë problematike qasja e grave në pronë, dhuna në familje, rastet e raportuara të dhunës në familje nuk merren seriozisht nga zyrtarët, mungon siguria në vendet e punës dhe në rrugë; ato shpesh janë viktima të ngacmimit seksual, ka mungesë të hapësirave të mjaftueshme në strehimore,  përkrahja e nevojshme institucionale për viktimat e dhunës, mungon ofrimi i sigurisë për gratë kur ato kërcënohen me vdekje, si rrjedhojë ato shpesh herë detyrohen të jetojnë me dhunuesin. Çështje këto që dukshëm e pengojnë arritjen e barazisë gjinore.

Zhvillimi i vendit dhe transformimi në një shoqëri të drejtë, në të cilën çdo qytetar/e gëzon mundësinë e realizimit të vetës, janë të paarritshme atëherë kur nuk sigurohen të drejtat e njeriut njësoj për të gjithë. Mungesa e realizimit të drejtësisë vazhdon të jetë një ndër barrierat kryesore në arritjen e kualitetit të jetesës për gratë, duke e vështirësuar kështu edhe prosperimin e shoqërisë.

Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT, në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.