Duke u ngarkuar...
2020-04-16

Stereotipet Gjinore çojnë në Diskriminim, Abuzim dhe Dhunë në Baza Gjinore

Nga gratë shpeshherë pritet që mendojnë e veprojnë në përputhshmëri me stereotipet e dëmshme. Por kjo duhet të ndryshojë. Gratë kanë të drejtë të kundërshtojnë.

Stereotipet janë përcaktime e parafytyrime që njerëzit i krijojnë në lidhje me atributet dhe karakteristikat, ose rolet që duhet të zotërohen nga gratë dhe burrat. Janë përshkrime të thjeshtësuara e jo reale, të reduktuara dhe të besuara si tipike për grupin e caktuar dhe bazohen në normat shoqërore të një periudhe historike. Për gratë, më herët është menduar se duhet të merren vetëm me rritjen e fëmijëve, gatimin në kuzhinë, gjë që ka zhvilluar stereotipin e gruas amvise, e cila nuk ka qasje në jetë publike shoqërore, por funksionon rreth punëve të shtëpisë dhe i shërben përkujdesjes ndaj nevojave të anëtarëve të tjerë të familjes. Për burrat është menduar se vetem ata kanë aftësinë që të sigurojnë të ardhurat apo të mirat materiale. Këto role të paracaktuara dhe të pranuara si të mirëqena nga një pjesë e madhe e shoqërisë, pritet të respektohen nga gratë e burrat.

Stereotipet janë të dëmshme sepse kufizojnë aftësinë e grave për t’u zhvilluar në sferën personale sipas zgjedhjes së tyre individuale dhe jashtë normave kufizuese të shoqërisë, i pengojnë individët të ndjekin karrierën e tyre profesionale të bazuar në vullnetin e lirë, pa marrë parasysh gjininë. Kjo ngurtësi e kufizon zhvillimin e talenteve dhe aftësive të natyrshme të vajzave dhe djemve, përvojat e tyre arsimore dhe profesionale dhe mundësitë e jetës në përgjithësi.

Vajzat pengohen apo nuk stimulohen që të ndjekin arsim më të lartë, atyre i’u është detyruar roli në sferën shtëpiake dhe familjare. Gjatë edukimit dhe rritjes së vajzave, u jepen përgjegjësi shtëpiake më idenë se në pjekurinë e tyre do të varen ekonomikisht nga burrat dhe se vajzat duhet të përgatiten për punët rreth shtëpisë, përderisa djemtë këshillohen dhe përgatiten për një të ardhme e cila u mundëson sigurimin financiar dhe një jetë me të përmbushur. Kjo shtynë në përparimin e burrave në profesionet fitimprurëse dhe ngecjen e grave në këto fusha.

Përjetësimi i murit gjinor, me vajza që më pak ndjekin karrierë në profesione tradicionalisht të mbizotëruara nga burrat, minon zhvillimin e shoqërisë. Vetëvlerësimi, ambicia dhe pritjet e vajzave qysh herët në moshë, pësojnë më së shumti nga stereotipet gjinore. Krijimi i një shoqërie të shëndoshë varet nga përkushtimin e shoqërisë për të punuar drejtë eleminimit të çdo ndarjeje apo dallimi në bazë të stereotipeve gjinore.

Stereotipet për gratë e burrat ekzistojnë shkaku i qëndrimeve, vlerave, normave dhe paragjykimeve të gdhendura thellë prej kohësh. Këto paragjykime janë një ndër faktorët që çojnë në dhunë në baza gjinore diskriminim dhe abuzim ndaj vajzave dhe grave.  Gratë janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren për të justifikuar dhe ruajtur marrëdhëniet historike të pushtetit dhe kontrollit të burrave mbi gratë dhe për të mirëmbajtur qëndrimet seksiste që pengojnë përparimin e grave dhe përmbushjen e së cilës grua sipas zgjedhjes së lirë individuale.

Asimetria ekzistuese në mes gjinive që rrjedhimisht rezulton nga stereotipet, sjell dhunën në baza gjinore që pasqyron marrëdhëniet e pushtetit midis burrave dhe grave dhe që përjetëson nënshtrimin dhe zhvlerësimin e grave në krahasim me burrat. Kjo dhunë qëndron përbrenda kornizës së patriarkalizmit si sistem që krijon një sërë praktikash të përditshme, të cilat u mohojnë grave të drejtat e tyre dhe riprodhojnë çekuilibrin ekzistues dhe pabarazinë midis gjinive. Dallimi midis kësaj lloj dhune dhe formave të tjera të agresionit qëndron në faktin se faktori i rrezikut ose burimi i cenueshmërisë është thjesht fakti e të qenurit grua. Format e dhunës me bazë gjinore të vlerësuara si akte kriminale përfshijnë dhunë në familje (fizike, ekonomike apo psiqike), dhunimin, incestin, ngacmimin seksual në vendin e punës dhe institucionet arsimore, dhunën seksuale dhe trafikimin e grave.

Gratë kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut kur janë në pyetje gratë. Ky proces u intensifikua gjatë përgatitjeve për Konferencën Botërore të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, të mbajtur në Vjenë në Qershor 1993. Në atë Konferencë, lëvizja e grave propozoi që Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të përfshijë referenca specifike për dhunën në baza gjinore dhe që Deklarata të riformulohet nga perspektiva gjinore. Kjo njohje në rritje ndërkombëtare e këtij problemi është për shkak të ndërgjegjësimit më të madh në nivel botëror për të drejtat e grave në përpjekje për të eliminuar diskriminimin ndaj grave dhe vajzave.

Në mënyrë që të eleminohet dhuna në baza gjinore dhe të rrëzohet muri ekzistues në mes gjinive, është duke u punuar në zhdukjen e stereotipit gjinor, tashmë i identifikuar si gjurmë që dëmton funksionimin e drejtë të shoqërisë. Shohim shumë iniciativa ku promovohet edukimi apo rritja e barabartë ose e njëllojtë e fëmijëve, duke mos i dalluar në dy tabore përmes lodrave, përrallave, ngjyrave e të tjera, por duke i shkrirë një një edukim i cili çon drejtë një marrëdhënjeje gjinore me paqësore, me të drejtë dhe me të barabartë.

Falë këtyre përpjekjeve, situata gjinore po ndryshon gradualisht, megjithatë nga gratë shpeshherë pritet që mendojnë e veprojnë në përputhshmëri me stereotipet e dëmshme. Por kjo duhet të ndryshojë. Gratë kanë të drejtë të kundërshtojnë.

Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT, në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.