Strehimi i viktimave të dhunës në familje paraqet fazën fillestare dhe pothuajse më të rëndësishme drejt rehabilitimit të viktimës. Me vendosjën e viktimës në strehimore nënkuptohet largimi i viktimës nga ambienti i dhunshëm dhe ofrimi i ndjenjes së sigurisë fizike dhe psikike. Strehimi i viktimave mund të jetë afatgjatë dhe afatshkurtër dhe varet nga shumë faktorë. Shumica e viktimave të dhunës në familje kërkojnë strehim të përkohshëm, ndërkaq disa të tjera mund të qëndrojnë deri gjashtë muaj brenda strehimores. Nëse viktima është referuar në Polici, Policia e Kosovës ka për obligim të shoqërojë viktimën në strehimore ose në ndonjë vend tjetër të sigurtë sipas pëlqimit të viktimës. Pasi të vendoset viktima në strehimore, strehimorja iu ofron ushqim, veshmbathje, siguri, kujdes dhe shërbime tjera sociale përgjatë gjithë procesit të rehabilitimit dhe reintegrimit.
Nëse viktima refuzon të vendoset në strehimore, pasi të caktohet menaxheri i rastit nga Qendra për Punë Sociale dhe të njoftohet Mbrojtësi i Viktimave, duhet të hartohet plani individual për viktimën për të ofruar shërbime dhe për të referuar viktimën në shërbime tjera si pjesë e procesit të rehabilitimit dhe reintegrimit. Programe të strehimit duhet të jenë në dispozicion në çdo komunë për personat të ndjeshëm nën skemën e asistencës sociale. Çdo komunë duhet t’i japë prioritet viktimave të dhunës në familje në mënyrë që t’i ofrojë mundësi të strehimit këtyrë viktimave.
Është obligim i Policisë të largojë të pandehurin/kryesin e dhunës nga banesa ku kryesi e ka vendbanimin ose vendqëndrimin, apo të sigurojë vendosjen e viktimës sipas Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.
Para se të përfundojë kontakti i parë me viktimën, policia duhet të sigurojë që viktima ose përfaqësuesi i saj ligjor të kontaktojë me hetuesit në kuadër të Policisë së Kosovës. Nëse ai mungon, atëherë ndonjë hetues tjetër i Policisë së Kosovës duhet t’i ndihmojë viktimës. Gjithashtu, viktimës i caktohet menaxheri i rastit nga Qendra për Punë Sociale si dhe me dëshirën e saj/tij, edhe mbrojtësi i viktimës.
Banesat sociale janë në dispozicion në disa komuna. Menaxheri nga qendra për Punë Sociale vlerëson dhe jep rekomandime për nevojën e vazhdimit të përfshirjes së viktimës në ndihmë sociale, në pajtim me legjislacionin në fuqi. Në momentin që viktima e dhunës në familje kualifikohet për ndihmë sociale, ai/ajo duhet të aplikojë në programin për banesa sociale në komunën ku e ka vendbanimin. Menaxheri i rastit nga Qendra për Punë Sociale duhet të koordinojë me Njësinë për Ndihmë Sociale (brenda QPS-së) në mënyrë që të ndihmojë viktimën të aplikojë për programin e banesave sociale.
Në bazë të kësaj Organizata Joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi-INJECT, është angazhuar në promovimin e të drejtave të grave, mbështetjen e tyre psikilogjike dhe informimin e të drejtave të tyre. Ky angazhim bëhet në bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare, policinë, institucionet gjyqësore, drejtoritë komunale të cilat i mirëmbrajnë strehimoret, institucionet vendim marrëse dhe akterët e tjerë.
Mungesa e strehimoreve, mosfunksionimi i tyre, apo kushtet e vështira në to, janë disa prej arsyeve kryesore pse gratë vazhdojnë të mbeten në kthetrat e martesave abuzive, duke mos pasur mundësi të largohen nga martesa për shkak të vështirësive për të siguruar një vendbanim të sigurtë.
Gjatë fillimit të vitit 2019 në strehimoren “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë sipas Sakibe Dolit, e cila është konsulente në këtë institucion, numri i grave që kërkojnë strehim ka qenë 10 përqind më i madh nga viti i kaluar, për shkak se gratë kanë filluar vetëdijësimin si dhe raportojnë dhunën në familje e më pas zgjedhin strehimoret për të qenë më të sigurta.
Kurse strehimorja e Prishtinës, posedon afër 19 shtretër, ku gratë gjejnë strehim, akomodim, ushqim, veshmbathje, shërbime shëndetësore, vizita në gjenekologji, këshilla psiko-sociale, po ashtu edhe aktivitete kulturore e arsimore.
Këto janë strehimoret në komuna të ndryshme të Kosovës dhe numrat kontakues të tyre. Strehimorja në Prishtinë +3/3 44 425 111, strehimorja në Gjilan +383 44 125 729, strehimorja në Gjakovë +383 44 840 151, strehimorja në Mitrovicë +383 44 815 749, në Pejë +383 44 278 809, në Prizren +383 44 380 345, në Ferizaj +383 44 779 799, strehimorja në Artanë +383 44 893 584 si dhe strehimorja për fëmijë +383 44 200 353.
Ky shkrim u realizua nga Organizata joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT), në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.