Gratë viktima të dhunës në familje vërtetë tani janë të ekspozuara ndaj dhunës si asnjëherë më parë dhe jeta e tyre është në rrezik të vazhdueshëm.
Kufizimet e lëvizjes që synojnë të ndalojnë përhapjen e koronavirusit mund të bëjnë që rastet e dhunës në familje të jenë më të shpeshta. Këtë e dëshmojnë trendet e ndryshme nëpër botë. Edhe në vendin tonë, policia ka konfirmuar se në javën e parë të masave të izolimit ka pasur një rritje të ndjeshme në raportimin e rasteve të dhunës në familje, ku pritet që numri i raportimeve të shtohet.
Përveç dhunës fizike, e cila është e pranishme në pothuajse të gjitha marrëdhëniet abuzive, mjetet e zakonshme të abuzimit përfshijnë edhe mbikëqyrjen e vazhdueshme dhe të hollësishme të sjelljeve të grave, si dhe kufizime në nevojat themelore si ushqim, veshmbathje, produkte sanitare, etj.
Duke qenë përgjegjëse për sigurimin dhe përgaditjen e ushqimit, për mirëqenien dhe pastërtinë e familjes, ngarkesa e grave shtohet. Kjo rëndohet edhe nga fakti se mbyllja e shkollave po e përkeqëson edhe më tej ngarkesën e punës të papaguar, kontributit të tyre të përditshëm dhe të pavlerësuar mjaftueshëm në mirëmbajtjen e shtëpisë dhe familjes.
Mbi të gjitha, izolimi po e bënë shumë më të vështirë për viktimat që të kërkojnë ndihmë.
Si pasojë e ndikimit të pandemisë së COVID-19, situata tek gratë dhe nënat vetëushqyese përbën një kërcënim serioz për shëndetin dhe mirëqenien e tyre, meqë kanë mungesë të mjeteve për jetesë, për veten e tyre dhe fëmijët.
Organizata Iniciativa për Drejtësi dhe Barazin INJECT, nga konktaktet me gra, viktima të dhunës në familje dhe pjesëmarrëse në seancat psikoterapeutike për gratë e traumatizuara nga dhuna, në kuadër të projektit “Një për të gjitha, të gjitha për një”, projekt ky i mbështetur me një shumë modeste nga Komuna e Prishtinës, ka marrë informacione mbi gjendjen shëndetësore, fizike dhe mbi të gjitha gjendjen ekonomike të tyre. Shumica e këtyre grave dhe vajzave, sigurisht të vetë-izoluara tashmë, nuk punojnë dhe janë nëna vetëushqyese, të cilat si pasojë e zvarritjeve të procedurave dhe seancave gjyqësore, kanë ngelur akoma pa përcaktim të alimentacionit (që paraqet kontributin financiar, obligimin e një personi që të sigurojë nevojat bazë të jetesës, edukimit dhe nevojat tjera të personit tjetër, me vendim të gjykatës), ose janë gra dhe vajza, të cilat jetojnë vetë tanimë dhe nuk kanë ndonjë burim financiar.
Shikuar nga aspekti psikologjik, gjendja e tyre e ndjeshme theksohet akoma më tepër në këtë periudhë, në radhë të parë lufta e tyre për mbijetesë, në radhë të dytë kontakti me fëmijët e tyre (për ato gra të cilat nuk e kanë fituar kujdestarinë, pikërisht për shkak të jo -mjaftueshmërisë financiare për t’i mbajtur ata), pastaj lufta e tyre për drejtësi, me gjithë procedurat e stërzgjatura dhe neglizhencën e gjykatave për natyrën prioritare për këto raste, duke bërë kështu që të humbasin dita-ditës edhe fuqinë e tyre për të këmbëngulur për të drejtat e tyre dhe duke i kontribuar edhe vetë sistemi në viktimizim sekondar përmes neglizhencës institucionale.
Italia ishte e para, bllokimi i saj filloi në javën e parë të marsit. Menjëherë pas kësaj, raportet e dhunës në familje filluan të rriteshin, strehimoret nuk mund t’i merrnin sepse rreziku i infeksionit ishte shumë i madh. Kështu që qeveria udhëzoi që autoritetet lokale mund të kërkojnë dhoma hoteli për të shërbyer si strehimore të destinuara vetëm për viktimat, ashtuqë të mund të karantinohen në mënyrë të sigurt.
Në tërë Kosovën, vetëm në muajin mars në vitin 2019 ka pasur 33 raste të raportuara të dhunës, krahasuar me marsin e këtij viti ku janë raportuar 62 raste.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha insitucioneve dhe organeve të rendit, që në listën e prioriteteve të vendosin sigurinë e grave menjëherë pas trajtimit të pandemisë. Institucionet duhet të kenë kujdes të shtuar ndaj indikacioneve për dhunë në familje dhe të jenë në gjendje gadishmërie të alarmuar për t’ju ofruar ndihmën e nevojshme, sepse gratë viktima të dhunës në familje vërtetë tani janë të ekspozuara ndaj dhunës si asnjëherë më parë dhe jeta e tyre është në rrezik të vazhdueshëm.
Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.