Duke u ngarkuar...
2020-04-08

Drejtësia Sociale Duhet të Jetë Parimi Kryesor i Shtetit

Sa më të kënaqur që të jenë të gjitha grupet e ndryshme shoqërore, pra edhe ata më të varfërit dhe më të pambrojturit, aq më pak do të ketë konflikte mes njerëzve dhe rrjedhimisht aq më të mëdha do të jenë shanset për një paqe në shtet dhe mes shteteve.

Shkruajnë: Luljeta Aliu dhe Valmira Gashi

Në Kosovë, gratë vazhdojnë të jenë të shtypura në forma të ndryshme nga shoqëria, nderkohë që mundësitë ekonomike dhe privilegjet në një shtet arrihen përmes institucioneve ose politikave, që formohen për të siguruar që njerëzit të mund të përdorin në mënyrë të barabartë përfitimet e bashkëpunimit shoqëror dhe të mbrohen nga pabarazia socio-ekonomike. Ligjërisht, burrat dhe gratë supozohet se kanë të drejta të barabarta. Megjithatë, jeta shoqërore dhe përditshmëria në shumë shtete, e sidomos në Kosovë është e rregulluar asisoji që burrat kanë më shumë të drejta, më shumë përfitime dhe liri sesa gratë.

Për më tepër, përpos mohimit të qasjes në drejtësi dhe mundësi të barabarta për gratë, shoqëria kosovare krijon praktika, të cilat e forcojnë sistemin shtypës ndaj grave. Mjafton të marrim shembullin me eklatant, atë të dhunës në familje. Gratë vazhdojnë të përjetojnë dhunë në shifrën rreth 40%, ndërsa ndëshkimi i dhunuesve shpeshherë nuk bëhet fare apo edhe është në shpërputhje me veprën, duke qenë ndëshkim aq i vogël, saqë bëhet qesharak. Në këtë rast kemi të bëjmë me qasje në drejtësi të barabartë, e cila ju mohohet grave. Pra, në Kosovë, gratë nuk kanë të drejtë as në të drejta të barabarta, sepse sistemi shoqëror dhe gjyqësor e bagatelizon shtypjen ndaj grave. Kjo pasqyron më së miri gjendjen tonë shoqërore. Të mos flasim pastaj për qasje në pasuri e pronë, në punë, në role vendimmarrëse e në politikë. Të gjitha këto pabarazi kontribuojnë në krijimin e hendekut mes burrave dhe grave, megjithëse si parim themelor për bashkëjetesë paqësore dhe të prosperuar brenda shoqërisë është arritja e drejtësisë sociale. Mbështetja e këtij parimi arrihet kur promovojmë, përveç tjerash, edhe barazinë gjinore duke hequr barrierat me të cilat përballen njerëzit për shkak të gjinisë.

Është e nevojshme që shteti të krijojë korniza për të arritur “një shoqëri për të gjithë” dhe për të promovuar drejtësinë sociale në nivel kombëtar. Por që drejtësia sociale të ketë sukses, përveç shtetit dhe institucioneve, të gjitha palët duhet të përfshihen, ngase të gjithë janë përgjegjës për aplikimin dhe ruajtjen e barazisë sociale. Kjo përgjegjësi bazohet në idealet etike dhe morale të personave me ndërgjegje shoqërore.

Për ta aplikuar drejtësinë sociale, së pari duhet ta kuptojmë dhe pranojmë bazën e tij filozofike dhe politike. Prandaj, në paragrafët në vijim do ta diskutojmë konceptin e drejtësisë sociale dhe rëndësinë e tij. Por, fillimisht duhet të pyesim se çfarë nënkupton për ne drejtësia? Çfarë është drejtësia?

Se çfarë është e drejtë në një rast të caktuar, shpeshherë është e paqartë. Njerëzit mund të kenë perceptime të ndryshme rreth asaj se çfarë është e drejtë dhe çfarë e padrejtë, varësisht prej pikënisjes së tyre filozofike, historike apo edhe thjeshtë personale. Prandaj edhe i gjithë angazhimi rreth organizimit të shoqërive si pikë kryesore, si thelb dhe esencë të organizimit shtetëror, e ka pikërisht ndarjen e drejtësisë. Kjo për arsye se harmonia e bashkëjetesës në një shoqëri gjithmonë bazohet në rregullimin e drejtë të marrëdhënieve mes pjesëtarëve të asaj shoqërie dhe rrjedhimisht edhe të shpërndarjes së të drejtave të tyre.

Meqë njerëzit në një shoqëri nuk mund të jenë asnjëherë të gjithë të njejtë në posedimin e resurseve qoftë intelektuale, shoqërore apo ekonomike, pjesëtarët e një shoqërie duhet të sigurohen se si të rregullohet sistemi i tyre shtetëror në një mënyrë, e cila do të ishte e favorshme për zhvillim e një bashkëjetese paqësore dhe pa konflikte. Pra, shoqëritë kanë pasur dhe do të kenë gjithmonë pabarazi sociale. Mirëpo, stabiliteti i shoqërisë apo shpërthimi i konflikteve sociale varet nga ajo, se sa të drejtë e percepton shoqëria ndarjen e të drejtave mes pjesëtarëve të saj.

Drejtësia definohet si tërësia e rregullave morale dhe të kodifikuara të sjelljes dhe shpërndarjes, të cilat nevojiten për të shmangur konflikte që do të lindnin po të mos aplikoheshin këto rregulla. Ndërsa kur flasim për shpërndarjen e të mirave dhe obligimeve nga institucionet shoqërore të një shteti, atëherë kemi të bëjmë me drejtësinë sociale. Pra, drejtësia sociale është në një mënyrë qasja filozofike dhe ligjore e shtetit ndaj parimit të drejtësisë, meqë varësisht nga konstelacioni dhe orientimi politik i saj.

Për ta kuptuar drejtë konceptin e drejtësisë sociale, duhet të bëhet dallimi i dimenzioneve të konceptit, sepse ky koncept i referohet çështjeve të ndryshme. Duhet ta kemi parasysh se koncepti përshkruan së pari një botëkuptim, qasje apo teorie ndaj drejtësisë dhe mënyrës së rregullimit shoqëror. Së dyti, aplikimi i parimeve të teorisë së drejtësisë sociale nëpër nivelet e institucioneve shoqërore prapë i referohet drejtësisë sociale. Dhe së treti, manifestimi i rregullave të drejtësisë sociale në shoqëri, si përshembull pjesëmarrja politike e të gjitha grupeve (gjë që nuk ka qenë njejtë gjithmonë, duke kujtuar së gratë është dashur të luftojnë shumë për të pasur të drejtën e votës).

Drejtësia sociale është pra edhe teori politike dhe filozofike, e cila potencon se ekzistojnë disa dimenzione të ndryshme të konceptit të drejtësisë përtej atyre të rregulluara me ligjet penale apo civile dhe se rregullimi i drejtësisë vetëm për individë nuk siguron paqe sociale. Përkundrazi, drejtësia sociale e vën theksin në marrëdhëniet e drejta mes grupeve shoqërore në dallim prej drejtësisë mes individëve apo drejtësisë të veprimeve individuale. Parë nga ky këndvështrim, mund të thuhet se drejtësia sociale është në një mënyrë teoria politike e drejtësisë, pra teoria e rregullimit të rendit shoqëror mbi parimet e drejtësisë, kur drejtësia është e mira e përgjithshme më e çmuar për tu shpërndarë.

Si teori, drejtësia sociale trajton parimet se të gjithë njerëzit duhet të kenë qasje të barabartë në mirëqenie, pasuri, shëndet, drejtësi, privilegje dhe mundësi. Si koncept, drejtësia sociale është përmendur në fillim të shekullit të 19-të pas revolucionit industrial dhe revolucioneve qytetare pasuese, të cilat qëllim të tyre kishin organizimin në baza egalitariane të shoqërisë, sepse e shihnin si të padrejtë dhe jo-human shfrytëzimin kapitalist të fuqisë punëtore. Gjatë asaj periudhe, punëtorët vërtetë përballeshin me kushte shumë të vështira pune, pa organizim sindikal, pa siguri në punë dhe pa ndonjë të drejtë të punëtorëve. Klasa e pronarëve të industrisë dhe kapitalit kryesisht i trajtonin punëtorët thuajse si skllevër. Për shkak të krijimit të shtresave me dallime të mëdha të kushteve të jetesës, në të pasur dhe të varfër, drejtësia sociale në atë periudhë ishte e fokusuar në kapital, pronë dhe shpërndarje të pasurisë. Në shekullin e 20-të, drejtësia sociale zgjeroi fokusin për të përfshirë në debat të saj edhe racën, gjininë, moshën apo edhe arsye tjera të padrejtësive.

Koncepti i drejtësisë sociale rrjedhimisht përshkruan instalimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi politikash dhe procedurash të cilat do të garantonin të drejtat e të gjithë njerëzve në bazë të barabartë, pa favorizime, po përdorim të pushtetit apo autoritetit. Drejtësia sociale ndërlidhet me të drejtën për pjesëmarrje në politikë dhe shoqëri dhe të drejtën në mundësi të barabarta për të gjithë njerëzit, duke u munduar që të eliminojë pabarazitë sociale dhe ekonomike mes tyre në mënyrë që të kenë të drejta dhe detyrime të njejta. Drejtësia sociale nuk e kërkon këtë për shkak të lakmisë apo smirës ndaj njerëzve të pasur, por për arsye se beson që të gjitha konfliktet shoqërore dhe njerëzore e kanë zanafillën në pikëpamjet e ndryshme rreth asaj se çfarë është e drejtë dhe çfarë e padrejtë, dhe se sa më të kënaqur që të jenë të gjitha grupet e ndryshme shoqërore, pra edhe ata më të varfërit dhe më të pambrojturit, aq më pak do të ketë konflikte mes njerëzve dhe rrjedhimisht aq më të mëdha do të jenë shanset për një paqe në shtet dhe mes shteteve.

Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi INJECT në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.