Në ndihmë grave dhe të drejtës së tyre rol të rëndësishëm luan edhe informimi nga rrjetet sociale, televizione, radio apo edhe burimet tjera, organizime dhe tubime të komunitetit, ku gratë mund të informohen për realizmin e të drejtave të tyre.
Shërbimi juridik profesional falas nënkupton “ndihmë juridike” që ka kuptimin e dhënies së informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të vendit tonë, aktet normative që janë në fuqi, të drejtat dhe detyrimet, dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative i garantuar me Kushtetën e Republikës së Kosovës.
Ndihma jurudike i mundësohet të gjithë atyre individëve të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare sipas ligjit nr.04/L-017 7 për Ndihmë Juridike Falas. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji themelohet edhe Agjencia për ndihmë juridike falas, e cila është Agjencia e parë e krijuara për Ndihmë Juridike në regjionin e Evropës Jug-lindore në vitin 2006. Kjo Agjenci ofron dhe siguron qasje të barabartë në drejtësi për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Agjencia është institucion i pavarur publik i cili ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në pajtim me ligjin dhe ka organizimin e saj të brendshëm me drejtor ekzekutiv, zyra rajonale, dhe Këshillin e veçantë që luan rol të rëndësishëm. Kjo agjenci ofron ndihmë juridike për viktimat, të cilat gëzojnë të drejtën për këtë lloj ndihme, duke ju dhënë informacione dhe këshilla viktimave për të drejtat e tyre ligjore, përfaqësimin e tyre përpara institucioneve të drejtësisë, dhe ndihmë në hartimin e procedurave dhe dokumenteve ligjore si në procedurën civile, penale, administriative dhe atë kundërvajtëse.
Agjencia për ndihmë juridike falas në Kosovë është institucioni më i rëndësishëm në sistemin e integruar të ndihmës juridike në drejtim të ofrimit të ndihmës juridike falas, megjithëse krerët e saj janë deklaruar se janë ballafaquar me sfida të konsiderueshme si mungesa e buxhetit, shtritjen e ndihmës juridike në tërë territorin e vendit me kapacitetin prej 8 zyrave në komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës,
Në raportin e fundit nga kjo Agjenci, i vitit 2018 thuhet se kësaj agjencie i janë drejtuar 2574 burra dhe 2350 gra.
Sa ju përket grave dhe përkrahjes së tyre në aspektin e ndihmës juridike raporti që ka paraqitur Agjencia tregon se, qytetet kanë numër më të madh të kërkesës për ndihmë juridike në çështjet administrative civile, penale dhe për kundërvatjet sesa vendet rurale.
Ky raport tregon se në Prishtinë kanë përfituar 238 gra për ndihmë juridike, në Prizren 540, në Pejë 189, Gjilan 293, në Mitrovicë 360, në Ferizaj 204, në Gjakovë 346, nga zyra mobile e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas kanë përfituaar 12 gra, në Drenas 18, në Decan 12, në Istog 20, Suharek 20, Dragash 11, në Mitrovicën e Veriut 26, Zveçan 5, Leposaviç 3 dhe në Zubin Potok kanë përfituar nga ndihma juridike falas 4 gra.
Ndihmë juridik ofron edhe Qendra për Ndihmë Juridike (QNJ) që mbështetet nga fondet e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në kuadër të Programit Qasja në Drejtësi.
QNJ vëmendje të veçantë i kushton ofrimit të ndihmës juridike falas për grupet e ndjeshme në Kosovë, në gjashtë fusha: Përkrahjen juridike të grave në realizimin e të drejtave pronësore, pra, me fokus të veçantë e drejta pronësore te gratë, sepse në rast të procedurave trashëgimore, atyre të shkurorëzimit dhe ndarjes së pasurisë është esenciale që gratë të informohen saktë për të drejtën në trashëgimi, realizimin i kësaj të drejte në praktikë. Gjithashtu kjo qendër mundëson pjesëmarrjen dhe përfaqësimin gjyqësor në realizimin e të drejtave në procedurën gjyqësore, çështjet e pensioneve të ndalura nga autoritetet serbe, në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave, personave të zhvendosur brenda vendit, refugjatëve dhe azilkërkuesve, çështjet e dhunës në familje me bazë gjinore dhe kompensimin për të mbijetuarat e dhunës seksuale në kohën e luftës dhe ndihmë juridike për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.
Në publikimet nga Agjencia për Ndihmë Juridike thuhet se një e tretat e grave (32%) janë të informuara dobët ose shumë dobët për të drejtën e tyre për një avokat dhe dy të tretat (66%) të e informuara dobët ose shumë dobët për të drejtën e tyre për ndihmë juridike falas dhe gjetjet e hulumtimit nga kjo agjenci tregojnë se kërkueset e drejtësisë nuk kanë besim në aftësinë e tyre për të fituar mjete juridike përmes sistemit të drejtësisë.
Gjetjet kryesore që mund të përdoren për të përcaktuar strategjitë për adresimin e nevojave të kërkuesve të drejtësisë për individët me nevoja të veçanta janë ndikimi i problemeve juridike të përjetuara, përvojat më të shpeshta të kontesteve në përfitimet e mirëqenies socale, të punës dhe shërbimeve publike, por kontestet më serioze përceptohen dhuna në familje, niveli i lartë i mosbesimit në aftësinë e tyre për të marrë zgjidhjen dhe nevoja për ndihmë me këshillla juridike dhe informacione juridike.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) është organizatë e pavarur joqeveritare dhe jofitimprurëse, e cila merret me avancimin e së drejtës. IKD, përfshijnë këto aktivitete: hulumtim ligjor, analizë dhe ekspertizë ligjore, përfshirë përkrahjen ligjore dhe teknike për institucionet e sundimit të ligjit, monitorimin sistematik të punës së institucioneve të sundimit të ligjit, përfshirë policinë, prokurorinë, gjykatat si dhe Odën e Avokatëve, në nxjerrjen e raporteve periodike dhe atyre të veçanta që dalin nga procesi i monitorimit, përfaqësimin e komunitetit të juristëve dhe të shoqërisë civile, në proceset legjislative dhe luajtjen e rolit të urës ndërlidhëse mes sistemit të sundimit të ligjit dhe shoqërisë, etj.
Një tjetër organizatë e cila ofron ndihmë juridike falas për grupet e cenuara dhe të margjinalizuara më fokus të veçantë, viktimat e krimit dhe kompensimin e dëmit për viktimat është Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal- CLARD. Kjo qendër, përfaqëson rastet me interes publik si dhe realizon rubrikën “Koha për këshilla juridike”, dy herë në muaj çdo të mërkurë në emision e mëngjesit SOT, në kuadër të projektit “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje””.
Në ndihmë grave dhe të drejtës së tyre, Organizata joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT), së shpejti do të ofrojë mbështetje juridike falas në fushën e dhunës në familje, pasurisë së përbashkët dhe mbajtes financiare.
Ky shkrim u realizua nga Organizata joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT), në kuadër të projektit “Sigurimi i qasjes së grave në drejtësi përmes rritjes së përgjegjësisë institucionale”.