Viktima të dhunës në familje zakonisht janë gratë, ndërsa abuzues burrat. Kur kryesi i dhunës është bashkëshorti apo partneri, atëherë kjo formë e dhunës hyn në kategorinë e dhunës në familje.
Përveç dhunës fizike dhe psiqike në familje, ekziston edhe dhuna ekonomike, që është më vështirë të identifikohet, edhe pse është ndër shkaktarët kyç të dhunës psikologjike. Vështirësia për ta identifikuar dhunën ekonomike rrjedh nga faktorë të ndryshëm siç janë gjetja e fakteve të mjaftueshme për ta dëshmuar atë formë të dhunës, por edhe për shkak që si formë e veçantë e dhunës në familje është njohur tek vitet e fundit dhe prandaj edhe vet institucionet shpeshherë dështojnë në trajtimin e drejtë të kësaj forme të dhunës.
Në rastet me të shpeshta, dhuna ekonomike bashkekziston si formë unike e dhunës, përmes seciles abuzuesi e detyron viktimen të qëndrojë në marrëdhënie për shkak të varësisë ekonomike. Dhuna ekonomike në marrëdhëniet bashkëshortore, ekziston atëherë kur partnerët ushtrojnë kontroll mbi burimet financiare. Kjo ndodh kur, kryesisht burrat, refuzojnë të pranojnë faktin së gratë, në këtë rast bashkëshortet e tyre, duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë përbrenda familjes edhe në aspektin ekonomik.
Disa nga elementet e dhunës ekonomike në familje, e që nuk kufizohet vetem në to, janë: fshehja e resurseve financiare familjare apo investimi i tyre në llogari private, kërkimi i llogarisë për secilin mjet/cent të shpenzuar, aplikimi i standardeve të dyfishta në raport me shpenzimet që mund t’i bëjnë bashkëshortët për nevojat e tyre, fshehja dhe tjetërsimi i pronës, mospërmbushja e obligimeve për alimentacion etj.
Përmes dhunës ekonomike në bashkëjetesë kontrollohet aftësia e bashkëshortes për të punuar dhe fituar dhe për të pasur pasuri apo pronë në emër të saj. Një nder elementet abuzive ndaj grave që kategorizohet në dhunë ekonomike, është kur atyre u kufizohet mundësia për të punuar; i kufizohet vendi i punës, orari i punës, zgjedhja e profesionit apo nuk u lejohet fare të punojnë jashtë shtepisë. Ndërkohë që brenda shtepisë, rrallë herë mund të punojnë dicka që krijon të ardhura, edhe pse shumica prej tyre angazhohen plotësisht në udhëheqjen e punëve të shtepisë dhe edukimit të fëmijeve, punë që konsumon shumë kohë, por që nuk paguhet. Dhuna ekonomike mund të ndodh edhe te rastët kur të dy partnerët punojnë, por që njëri dominon në kontrollimin e të ardhurave të familjes, duke e përjashtuar tjetrin nga vendimet financiare.
Dhunë ekonomike konsiderohet edhe kur obligimet e alimentacionit dhe ushqimisë nuk kryhen as atëherë kur është përcaktuar nga gjykata. Gjatë periudhes së proceseve të stërzgjatura të divorcit bëhët edhe fshehja e pronës së përbashkët apo tjetërsimi i pasurisë, në mënyrë që të ikin nga mbajtja financiare (alimentacionit dhe ushqimisë), por edhe që pasuria e fituar gjatë marteses të fshihet, rrjedhimisht të mos ndahet ashtu siç ligji e përcakton, 50% për secilin.
Dhuna ekonomike ndihmon që abuzuesi ta kontrollojë viktimen. Si pasojë e kontrollit financiar, krijohet varësia ekonomike, shkaktohet ndjenja e frikës, e pasigurisë personale dhe cenimi i dinjitetit. Viktimat e dhunës ekonomike gradualisht shkojnë duke e humbur besimin se mund të dalin nga kjo gjendje, prandaj edhe shpesh qëndrojnë në lidhje abuzive. Besimi i ulet në institucionet e drejtësisë, përkrahja e vogel e shtetit, bënë që gratë të ndjehen të pafuqishme për të raportuar dhunën apo për të kërkuar ndihmë përmes veprimeve juridike. Dhuna ekonomike përben shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut në pronë.
Dhuna ekonomike është vepër penale sipas legjislacionit të Kosovës, Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Ky ligj momentalisht është duke u ndryshuar në bazë të kërkesës për amandamentim që është dërguar në vitin 2018 nga organizata INJECT te Komisioni për të Drejta të Njeriut në Kuvendin e Kosovës. Ndryshimi do të specifikojë më detajisht dhunën ekonomike dhe psiqike, por do të rregullojë edhe çështje tjera relevante në lidhje me dhunën në familje.
--------------------------------
Ky shkrim u realizua në kuader të projektit “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Mbroni ato!” përkrahur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Trustit Ballkanik për Demokraci dhe Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara.
Opinionet e shprehura në këtë botim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.