Duke u ngarkuar...
2022-03-10

Viktimat e dhunës në familje të pa mbrojtura nga institucionet e drejtësisë

Viktimat e dhunës në familje të pa mbrojtura nga institucionet e drejtësisë

Vështirë të kaloj ndonjë fundvit apo të filloj ndonjë vit i ri pa u shënuar me ndonjë incident me fatalitet, e që fatkeqësisht në shumicën e këtyre rasteve viktima janë gratë.

Dështimi institucional në daljen në ndihmë të atyre që kanë nevojë, ka rezultuar në rritjen e ndjeshme të rasteve të dhunës në familje.

Institucionet tona, të cilat janë të thirrura për mbajtjen e rendit dhe ligjit dhe mbrojtjen e viktimave, si duket në rastet më urgjente e të nevojshme, po janë në gjumë, në një gjumë të thellë nga i cili vështirë të zgjohen.

Rastet me fatalitet ku viktima kanë qenë gratë kanë shkuar vetëm duke u rritur, ashtu siç janë rritur edhe gabimet e atyre që do të duhej të ishin në mbrojtje të jetëve të njerëzve.

Janë shpeshtuar me të madhe rastet kur prokurorët tanë i kanë liruar në procedura të rregullta kryesit e dhunës në familje.

E nuk janë fare të pakta as rastet kur gjyqtarët tanë, në vend që të shqiptojnë dënime meritore vendosin që kryesit e dhunës ndaj grave t'i dënojnë në kundërshtim me ligjin nën minimumin e paraparë ligjor.

Dështimi institucional në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje

Si duket trajtimi i tillë i këtyre rasteve ka bërë që kryesve të dhunës të mos u trembet syri e as dora për të ushtruar dhunë ndaj grave.

I tillë është edhe rasti i fundit i vrasjes së gruas nga Llausha e Skenderajt.

Rasti i fundit i vrasjes së gruas nga Llausha ka vënë në pah dështimin institucional në daljen në ndihmë të viktimave të dhunës në familje.

Mungesa e një urdhri mbrojtës emergjent apo arrestimi dhe mbajtja e ushtruesit të dhunës, ka bërë që me fillim vit të shënohet edhe një viktimë tjetër.

Ndonëse ishte ditë pushimi për shumicën prej nesh, institucionet tona nuk do duhej të ishin në gjumë por do të duhej të kishin një reagim të menjëhershëm për të parandaluar më të keqën.

Ndonëse institucionet tona janë arsyetuar në faktin se kishte rastisur që atë ditë të ishte ditë feste, të njëjtit nuk e arsyetuan faktin se pse viktimës nuk iu lëshua  kërkesa për urdhër mbrojtje të përkohshme emergjente, e cila duhet të aplikohet në rastet e ngjashme.

Institucionet tona kanë deklaruar se e kishin rekomanduar viktimën që të shkonte në strehimore, mirëpo asnjëherë nuk u dha një përgjigje e qartë se cila është nevoja që viktimat të shkojnë në strehimore ndërsa kryesi i dhunës të lihet i lirë.

Në rastin konkret, arrestimi i të dyshuarit dhe jo lirimi i të njëjtit në procedurë të rregullt, do të mund të shërbente si preventivë për të shpëtuar jetën e viktimës.

Mosreagimi me kohë i institucioneve tona të drejtësisë dhe neglizhenca e trajtimit të rasteve të viktimave të dhunës në familje, ka rezultuar në përfundimin edhe të shumë rasteve të tjera me fatalitet.

Gjatë vitit 2021 statistikat tregojnë që 2486 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës, ndërsa janë ushtruar 579 kërkesa për urdhër mbrojtje.

Prej këtyre kërkesave, nga statistikat e pranuara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, është kuptuar se në 32 raste janë parashtruar kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente.

Këto të dhëna na tregojnë se nga kërkesat për urdhër mbrojtje të paraqitura nga mbrojtësit e viktimave, Gjykatat tona kanë aprovuar 518 kërkesa, ndërsa janë refuzuar vetëm 17 raste.

Ajo çka na bie në sy gjatë analizimit të këtyre statistikave e që  është shumë shqetësuese është fakti se përgjatë vitit 2021, Policia e Kosovës ka lëshuar vetëm 3 kërkesa për urdhra të përkohshëm emergjent.

Kjo tregon se Policia e Kosovës në raste jashtëzakonisht të rralla përdorin këtë mekanizëm, të cilin e kanë të përcaktuar me ligj, mekanizëm i cili po të përdorej në raste më të shpeshta, do të mund të shpëtonte disa jetë.

Sipas Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, jashtë orarit të punës së gjykatave, kërkesa për urdhër të mbrojtjes së përkohshme emergjente mund t’i paraqitet Policisë së Kosovës.

Ligji përcakton se Shefi i njësitit rajonal të Policisë së Kosovës kundër dhunës në familje, mund të shqiptojë urdhrin për mbrojtje të përkohshme emergjente dhe të caktojë një ose disa prej masave për mbrojtjen e viktimave, nëse ai ose ajo vërteton se ekzistojnë baza për të besuar se kryesi ka kryer ose është kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje, nëse kryesi i dhunës paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të atypëratyshëm për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e palës së mbrojtur ose të personit me të cilin pala e mbrojtur ka lidhje familjare, të cilët duhet të mbrohen me anë të urdhërit për mbrojtje.

Shqiptimi i urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente është i domosdoshëm për të siguruar shëndetin ose mirëqenien e palës së mbrojtur ose të personit me të cilin pala e mbrojtur ka lidhje familjare, e që duhet të mbrohen me anë të urdhrit për mbrojtje.

Nga statistikat e pranuara nga Policia e Kosovës rezulton se nga 2486 raste të dhunës në familje të raportuara për vitin 2021, 1986 raste janë raportuar nga gratë. Ndërsa qyteti me më së shumti raste të dhunës në familje të raportuara për vitin 2021 është Prishtina.

Prej rasteve të vërtetuara që kanë treguar dështimin institucional në trajtimin e këtyre rasteve që ka dërguar me vrasjen e viktimës është rasti i Diana Kastratit.

Rasti i Diana Kastratit është rasti i fundit për të cilin Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se vrasja e saj erdhi si pasojë e mosveprimit të institucioneve të drejtësisë, duke neglizhuar raportimin e dhunës në familje.

Diana në prill të vitit 2011 pas kërcënimeve të vazhdueshme nga ish bashkëshorti në drejtim të saj dhe në drejtim të vajzës së tyre, pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë e kishte paraqitur kërkesën për lëshimin e urdhrit për mbrojtje emergjente.

Mosreagimi me kohë i institucioneve tona kishte bërë që tri javë më vonë, me 18 maj 2011, Diana Kastrati të vritej nga ish bashkëshorti i saj.

Me pretendimin se Gjykata Komunale në Prishtinë, me mosveprim ndaj trajtimit të rastit të vajzës së tyre Diana Kastrati, kishte bërë shkelje të nenit 25, 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe nenit 2 dhe 3 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, nene këto që përfshijnë të drejtën për jetë, të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën për mjete juridike, mbrojtje gjyqësore të të drejtave si dhe parimin që gjithkush ka të drejtë të jetoj, të jetë i lirë, dhe të ketë sigurim vetjak, prindërit e Dianës rastin e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Pas trajtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vrasja e Diana Kastratit ka ardhur si pasojë e mos veprimit të institucioneve të drejtësisë dhe neglizhimit të raportimit të dhunës në familje.

Përpos rastit të Diana Kastratit që ka përfunduar me fatalitet, rast tjetër i dhunës në familje, i cili ka përfunduar me vrasjen e viktimës së dhunës në familje është edhe rasti Valbona Ndrecajt.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj janë qëlluar për vdekje nga bashkëshorti dhe babai Pjetër Ndrecaj.

Lidhur me këtë rast ishin ngjallur dyshime për mostrajtimin e duhur të rastit nga ana e Policisë.

Më poshtë gjeni statistikat e dhunës në familje të raportuara në Polici dhe tek Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave të Dhunës në Familje.

INJECT është duke bërë monitorimin e seancave gjyqësore në të gjitha Gjykatat e Kosovës në rastet ku palë janë gratë.

 

INJECT monitorin rastet si: ndarja e pasurisë, shkurorëzim, besim i fëmijës, alimentacion, urdhër mbrojtje etj.

Po ashtu, NJECT ofron këshillim dhe përfaqësim ligjor falas në kuadër të projektit:
"Të drejtat e grave janë të Drejta të Njeriut. Mbroni ato!”, i cili financohet nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund të Shteteve të Bashkuara, dhe Ministrisë së Jashtme Norvegjeze”.

Përderisa këshillim do të përfitojë secila që kontakton organizatën tonë, përfaqësim ligjor do të përfitojnë viktimat të cilat i përmbushin kriteret e dhëna në vijim:

• Mungesa Financiare

• Shkalla e kompleksitetit te rastit

• Shkeljet ligjore procedurale dhe dispozitave ligjore

Na kontaktoni në numrin e telefonit: +383 44 600 530,

si dhe përmes mesazheve në:

Facebook - https://www.facebook.com/IniciativaPerDrejtesiDheBarazi

Instagram - https://www.instagram.com/inject_kosovo/

dhe email adresës: info@inject-ks.org