Duke u ngarkuar...
2022-03-18

DHUNA NDAJ GRAVE, PROBLEM SHOQËROR I NEGLIZHUAR NGA INSTITUCIONET

Dhuna ndaj grave, ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut, vazhdon të jetë një prej problemeve kyçe në shoqërinë tonë.

Dhuna rrezikon mirëqenien e grave dhe shkatërron dinjitetin, vetëvlerësimin e shpeshherë edhe jetën e tyre. Gratë, rezultojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje.

Realiteti po na dëshmon se çdo ditë një tjetër vajzë, grua, nënë, bashkëshorte apo motër po shënohet si viktimë e dhunës.

Dhuna ndaj grave është fenomen shumë shqetësues shoqëror dhe global. Prandaj, studiuesit përpiqen të hulumtojnë shkaqet dhe pasojat, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e saj.

Disa nga hulumtimet e kryera për dhunën në familje kanë vërtetuar se abuzimi ndaj grave është një problem shumë- dimensional.

Përgjigje për këtë duhet kërkuar tek faktorët kulturorë, shoqërorë, familjarë dhe individualë, që ndikojnë në mundësitë që gratë të bëhen viktima të dhunës. Nisur nga përmasat e këtij fenomeni, ndikimi që ka në shoqëri dhe marrëdhëniet specifike që cenohen, është e nevojshme angazhimi i shumë institucioneve shtetërore, duke përfshirë Policinë, Gjykatat, Prokurorinë dhe Organizatat jo-qeveritare e Ndërkombëtare.

Barazia gjinore, padyshim, është faktor i rëndësishëm për zhvillimin e një shoqërie. Përmirëson produktivitetin dhe rritjen ekonomike, ndikon pozitivisht në mirëqenien e grupeve të ndryshme shoqërore dhe në këtë mënyrë, kontribuon në zhvillimin e shoqërisë dhe gjeneratave të ardhshme.

Me gjithë përpjekjet e shumta për ta trajtuar barazinë gjinore, dhe përparimit të arritur në njohjen e saj formale, barazia e grave dhe burrave në jetën e përditshme ende nuk është një realitet i plotë. Në praktikë, gratë dhe burrat nuk gëzojnë të njëjtat të drejta, dhe pabarazitë shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore vazhdojnë.

Çdo vend që aspiron të ketë ekonomi të zhvilluar duhet të krijojë kushte që të gjithë qytetarët, pa dallim gjinie t’i gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre socio-ekonomike, kulturore e ligjore, në mënyrë që të kenë të kenë munësi të kontribuojnë bashkërisht në avancimin e shoqërisë dhe ekonomisë. Me fjalë të tjera,barazia gjinore është parakusht për të zvogëluar varfërinë, për të krijuar një shoqëri të drejtë si dhe një zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës.

Megjithatë, një pjesë e madhe e shoqërisë e konsideron, se dhuna në familje është çështje private, gjë që nuk është e vërtetë, sepse dhuna në familje e dëmton shoqërine dhe si vepër penale e dënuar me ligj, ajo është edhe një çështje publike.

Rezultatet e hulumtimeve tregojnë se burrat e dhunshëm janë

pro roleve dhe përgjegjësive tradicionale familjare. Bashkëshortët e dhunshëm rezulton se janë imponues në marrjen e vendimeve familjare, ndërkohë që kërkojnë nga gratë që ato ta mirëmbajnë shtëpinë, të kujdesen për fëmijët dhe tu nënshtrohen dhe binden atyre.

Një burrë mund të reagojë në mënyrë të dhunshme nëse bindet që gruaja e tij nuk e kryen si duhet rolin e saj të përcaktuar nga ai, apo i kalon kufijtë që ia ka vendosur ai. Gratë supozohet se duhet të kënaqen me rolin e tyre si bashkëshorte dhe nëna, dhe të pranojnë se duhet të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për hir të martesës.

Për shumë gra, realiteti është krejt i ndryshëm nga ëndrra e tyre për një martesë ideale. “Shumë gra ballafaqohen me problemet me strehim dhe financim, [dhe] plot prej tyre shkojnë ose te prindërit ose te të afërmit e tyre, por ka raste që edhe kthehen [te shtëpia e bashkëshortit] se nuk kanë kah me ia mbajtë”, thotë një e mbijetuar e dhunës familjare e cila jeton me prindërit e burrit, pasi e kishte kuptuar që burri i saj është i martuar me një person të nënshtetësisë së huaj.

Ajo çdo herë kishte mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj, pasi që ai nuk e kishte lënë të lirë të lëvizë, të jetë e pavarur dhe i’a kishte ndaluar edhe punësimin. Sa herë që vinte burri i saj në Kosovë ajo përjetonte dhunë fizike nga ai, për arsyen edhe më të vogël. Ajo thotë që shtëpinë asnjëherë nuk e kishte ndier si të saj, pasi çdo veprim dhe sjellje ishte e urdhëruar apo e kontrolluar nga familja e burrit të saj.

Një sfidë e jashtëzakonshme për realizimin e lirive dhe të drejtave të grave dhe të njeriut paraqet edhe sistemi i brishtë i institucioneve të rendit dhe ligjit, pra Policia, Gjykatat dhe Prokuroria. Institucionet e rendit dhe ligjit janë adresa ku gratë, por edhe të gjithë qytetarët tjerë, drejtohen për të kërkuar ndihmë në rast se përjetojnë shkelje të të drejtave të tyre. Kur këto institucione dështojnë të adresojnë drejtë dhe me profesionalizëm kërkesat për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, qytetarëve ju vështirësohet jeta edhe më tej, duke u ndier të pambrojtur nga shteti.

Humbja e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë e dëmton rëndë demokracinë dhe shoqërinë në tërësi. Qytetarët, të pasigurtë për të drejtat e tyre dhe të pakënaqur me mungesën e mbrojtjes efikase të të drejtave të tyre, çdo ditë e më shumë po zhgënjehen me jetën në Kosovë dhe po kërkojnë të largohen nga vendi.

Në rastin e grave dhe fëmijëve, trajtimi nga sistemi i rendit dhe ligjit i kërkesave të tyre legjitime, shpeshherë është diskriminues, duke i bërë grupin më të madh të diskriminuar jo vetëm nga

padrejtësitë shoqërore, por edhe nga diskriminimi institucional.

Pavarësisht që Kosova ka legjislacion të avancuar që garanton liritë dhe të drejtat e barabarta mes burrave dhe grave — përfshirë Kushtetutën e vendit që parasheh aplikimin e instrumenteve ndërkombëtare siç është Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave — sjellja institucionale shpesh udhëhiqet nga vlera kulturore të rrënjosura në sistem patriarkal.

Mendësia patriarkale brenda institucioneve dhe mbikëqyrja e dobët e profesionalizmit të institucioneve, e cila rezulton në mungesë të llogaridhënies, vazhdon ta bëjë të mundshëm diskriminimin dhe neglizhimin institucional të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

INJECT monitoron rastet si: ndarja e pasurisë, shkurorëzim, besim i fëmijës, alimentacion, urdhër mbrojtje etj.

Po ashtu, NJECT ofron këshillim dhe përfaqësim ligjor falas në kuadër të projektit "Të drejtat e grave janë të Drejta të Njeriut. Mbroni ato!”, i cili financohet nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund të Shteteve të Bashkuara, dhe Ministrisë së Jashtme Norvegjeze”.

Përderisa këshillim do të përfitojë secila që kontakton organizatën tonë, përfaqësim ligjor do të përfitojnë viktimat të cilat i përmbushin kriteret e dhëna në vijim:

• Mungesa financiare

• Shkalla e kompleksitetit te rastit

• Shkeljet ligjore procedurale dhe dispozitave ligjore

Na kontaktoni në numrin e telefonit dhe viberit: +383 44 600 530

si dhe përmes mesazheve në:

Facebook - https://www.facebook.com/IniciativaPerDrejtesiDheBarazi

Instagram - https://www.instagram.com/inject_kosovo/

dhe email adresës: info@inject-ks.org