
Alimentacioni dhe Ushqimia
Shkurorëzimi, përpos që ka për pasojë prishjen e martesës, gjithashtu sjell si nevojë edhe ndarjen e pasurisë së përbashkët dhe vendimet për alimentacion (pagesat fëmijë) dhe mbajtje financiare të bashkëshortit/es (ushqimia).
Mbështetja financiare për fëmijë, alimentacioni, është pagesë që realizohet nga njëri prind tek prindi tjetër me qëllim të sigurimit të mirëqenies së fëmijës apo fëmijëve.
Qëllimi i ushqimisë është të sigurojë mbështetje financiare për bashkëshortin/en me të ardhura më të ulëta për t'i mundësuar atyre që të përkujdeset për fëmijën e përbashkët, ose për shkaqe tjera të specifikuara me legjislacion.
Zakonisht alimentacioni paguhet nga prindi jo-kujdestar tek prindi kujdestar. Prind kujdestar quhet prindi, të cilit nga gjykata i’u ka besuar kujdestaria e fëmijëve, pra rrijta dhe edukimi i tyre në shumicën e kohës. (prindi të cilit i`u është besuar kujdestaria, rritja dhe edukimi I fëmijëve)
Ndërsa termi prind jo-kujdestar, i referohet prindit që në shumicën e ditëve nuk jeton me fëmijët apo nuk është prezent fizikisht në pjesën me të madhe të kohës së tyre, megjithëse ai/ajo ka për obligim moral dhe ligjor që të kujdeset për ta edhe financiarisht edhe moralisht.
Qëllimi i mbështetjes financiare për fëmijë, është që prindërit të ndajnë përgjegjësinë që lidhet me shpenzimet e rritjes së fëmijëve të tyre. Kjo zakonisht i bie që prindi jo kujdestar bën pagesa në baza mujore që kalojnë nën menaxhimin e prindit kujdestar, për të ndihmuar në mbulimin e nevojave të fëmijëve.
Ushqimia, e referuar gjithashtu si mbështetje bashkëshortore, është një detyrim ligjor që një bashkëshort duhet t'i sigurojë tjetrit (mbështetje financiare) gjatë dhe/ose pas shkurorëzimit.
E drejta për të kërkuar mbajtje financiare është e drejtë e garantuar me ligj dhe si e tillë paraqitet si detyrim ligjor për palën e cila sipas ligjit është e detyruar të ofrojë mbajtje.
Mbajtja dhe përkujdesja për fëmijët është detyrim ligjor i prindërve. Detyrimi ligjor i prindërve për t’i mbajtur fëmijët vazhdon deri sa fëmija të ketë arritur moshën madhore. Mirëpo, nëse fëmija është në shkollim, ky detyrim vazhdon deri sa fëmija të arrin moshën 26 vjeçare.
Çiftet që fillojnë procedurat e shkurorëzimit mund të vijnë në një marrëveshje mbi shumën aktuale dhe kohëzgjatjen e kohës që duhet të paguhet alimentacioni. Kjo është përgjithësisht opsioni më i mirë, sepse kështu menjanohet nevoja për tu përballur me seanca dhe shpenzime gjyqësore në njërën anë, dhe në anën tjetër bashkëshortët në mënyrë paqësore arrijnë deri te marrëveshja, gjë që kontribuon edhe në mirëqenien emocionale të tyre dhe të fëmijëve.
Sidoqoftë, nëse ata nuk mund të arrijnë një marrëveshje për kushtet e alimentacionit, një gjyqtar do të duhet të vendosë atë. Por, lejimi i një gjykatësi të përcaktojë kushtet e alimentacionit do të kërkojë që të ketë një gjykim, i cili, për të dy palët, do të jetë i kushtueshëm për sa i përket kohës dhe parave.
Alimentacioni është një urdhër gjykate dhe është po aq i zbatueshëm sa çdo urdhër tjetër gjykate. Nëse pagesa e alimentaconit dhe ushqimisë nuk zbatohet sipas vendimt të gjykatës, atëherë kjo mund të ketë pasoja për prindin që nuk e ka zbatuar vendimin gjyqësor, duke dërguar në përmbarim lëndën ose edhe përmes padive për mosrespektim të vendimit gjyqësor, që mund të definohet edhe si vazhdim i dhunës psiqike dhe ekonomike në familje.
Një numër i konsiderueshëm i grave të divorcuara kanë theksuar dhunën fizike si një ndër shkaktarët kryesorë të divorcit. Shpeshherë gratë janë të papunësuara dhe nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një banesë. Edhe nëse gruaja ka përjetuar dhunë në familje, ajo në të shumtën e rasteve detyrohet të largohet nga shtëpia apo banesa e përbashkët, që është shumë e dëmshme për situatën e saj.
Policia, prokuroria dhe gjykatat i udhëzojnë gratë të shkojnë në strehimore të grave, edhe pse në këto raste do të duhej që kryesi i dhunës në familje të largohet nga shtëpia apo banesa.
Bazuar në hulumtimin e vitit 2019 të organizatës joqeveritare INJECT “Pasuria e Përbashkët dhe Mbajtja Financiare”, lidhur me të drejtat e grave të shkurorëzuara, 70% e grave të intervistuara kishin vendim të gjykatës për alimentacion, por vetëm 25% prej tyre kishin deklaruar se e marrin alimentacionin me rregull.
Për më tepër, prej të intervistuarave në këtë hulumtim, INJECT kishte nxjerrë që në 70% të këtyre rasteve gratë kanë qenë viktima të mashtrimit ekonomik kur vjen puna te pagesa e alimentacionit.
Kjo praktikë përpos që e diskriminon skajshmërisht gruan dhe e dëmton atë materialisht dhe emocionalisht duke ia shkelur të drejtat e saj, në këtë formë edhe përbën shkelje të ligjit.
Ligji për Familjen i Kosovës, çështjes së ushqimisë i kushton një kujdes të veçantë, përcakton parimet lidhur me mbajtjen financiare dhe e rregullon të drejtën e mbajtjes financiare, respektivisht alimentacionin (për fëmijët) dhe ushqiminë (për bashkëshorten/ in e papunë).
Njëra nga palët e cila kishte kërkuar ndihmë nga INJECT, deklaroi se ish-bashkëshorti i saj asnjëherë nuk paguan me rregull alimentacionin: “Para se djali t’i mbushte 18 vjeç, ish-burri i ka thënë që po i mbledh paratë për shkollim, si arsye e mospagesës së alimentacionit, por edhe pasi djali ka filluar studimet, ai nuk i ka paguar asnjëherë paratë. Edhe pse unë ankohem vazhdimisht, ai fillon të paguajë dhe pas një kohe prapë i ndalë“.
Në shoqërinë kosovare, ende mbizotëron një kulturë patriarkale, e cila funksionon sipas stereotipeve gjinore. Si pasojë grave i’u pamundësohet e drejta për vendimmarrje në çështjet familjare, biznesore apo politike.
Gjendja e grave në shoqëri është edhe më alarmante në zonat rurale të Kosovës, ku ndodhë që atyre ju mohohet shkollimi dhe mundësia e pjesëmarrjes në tregun e punës. Kjo është shkelje e rëndë ndaj grave dhe ndaj ligjit dhe si e tillë një praktikë e papranueshme dhe e dëmshme për shoqërinë.
Alimentacioni nuk ka vetëm funksion monetar, por siguron një mjedis të qëndrueshëm për zhvillim kognitiv, emocional e social të fëmijës, duke mundësuar vazhdimësinë e mirëqenies të cilën fëmija e ka pasur para shkurorëzimit të prindërve”.
INJECT, ofron këshillim dhe përfaqësim ligjor falas në kuadër të projektit "Të drejtat e grave janë të Drejta të Njeriut. Mbroni ato!”, i cili financohet nga Balkan Trust for Democracy, dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd.”. Përderisa këshillim do të përfitojë secila që kontakton organizatën tonë, përfaqësim ligjor do të përfitojnë viktimat të cilat i përmbushin kriteret e dhëna në vijim:
• Mungesa Financiare
• Shkalla e kompleksitetit te rastit
• Shkeljet ligjore procedurale dhe dispozitave ligjore
Na kontaktoni në tel & viber: + 383 44 600 530 FB https://www.facebook.com/IniciativaPerDrejtesiDheBarazi Insta https://www.instagram.com/inject_kosovo/