Duke u ngarkuar...
2022-05-24

Këshillimi i kundërligjshëm i palëve në procedurë

Këshillimi i kundërligjshëm i palëve në procedurë

Rasti: Kërkesë për Urdhër mbrojtje

Sipas Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, palë e mbrojtur konsiderohet personi ndaj të cilit është ushtruar dhuna në familje dhe vartësit në dobi të të cilit është kërkuar urdhri për mbrojtje, urdhri për mbrojtje emergjente ose urdhri për mbrojtjen e përkohshme emergjente.

Ndonëse me nenin 3 të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje[1] është e paraparë që masat mbrojtëse shqiptohen me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera, nga monitorimi është arritur të konstatohet se ka pasur rast kur gjyqtari i çështjes palën e cila është paraqitur pranë gjykatës për të caktuar urdhër mbrojtje e ka pyetur se a është në gjendje e njëjta që për hir të familjes t’ia fal gabimin bashkëshortit dhe të njëjtit të ribashkoheshin.

Një veprim i tillë i gjyqtarit, qartazi bie ndesh me Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtar.[2]

Sipas Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtar, gjyqtari duhet të ketë profesionalizëm dhe përgjegjësi në punë. Gjyqtari duhet që të mbajë nivel të lartë të aftësive profesionale, të ushtroj funksionin e tij në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efikase.

Ndonëse komente të tilla të gjyqtarëve nuk hyn në procesverbal dhe është vështirë që të provohen në një seancë të mbyllur gjyqësore, nga monitorimi është arritur të konstatohet se ka pasur këso raste, kur gjyqtarët në një farë forme i kanë “këshilluar” apo “inkurajuar”, viktimat e krimit që të njëjtat ta shqyrtojnë mundësinë e kthimit në familje e faljes së dhunës së ushtruar ndaj tyre.

Mos reagimi me kohë i institucioneve tona të drejtësisë dhe neglizhenca e trajtimit të rasteve të viktimave të dhunës në familje, ka rezultuar në përfundimin e shumë rasteve me fatalitet.

 

Vëmendje:

*Nga rastet e analizuara më sipër, qëllimisht nuk janë publikuar të dhënat personale si identiteti i palëve në procedurë apo çfarëdo e dhëne tjetër që do të mund të centronte privatësinë e palëve. Të gjitha këto raste dhe të dhëna janë të njohura për INJECT, por duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rasteve të monitoruara, INJECT zotohet në mbrojtjen e privatësisë së palëve, në këtë rast të viktimave të dhunës në familje.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit: Ensuring Women's property rights through institutional capacity building in Kosovo, përkrahur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, mirëpo gjetjet e raportit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e UNMIK.