Duke u ngarkuar...
2022-05-22

Marrja e kundërligjshme në pyetje

Marrja e kundërligjshme në pyetje

Rasti: Lëndim i lehtë trupor nga neni 185, par.3 nën par.3.1 lidhur me par.1, nën par.1.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ligjvënësi ka paraparë dispozita të veçanta të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale të cilat parashohin raste në të cilat duhet të mbrohet dëshmitari nga inkriminimi i vetvetes.

Për këto të drejta, gjyqtari i çështjes është i detyruar që ta njoftoj dëshmitarin.  

“Dëshmitari nuk është i detyruara për të fajësuar veten apo të afërmin Dëshmitari nuk ka detyrim të përgjigjet në pyetje konkrete kur ka gjasa se me këtë e vë veten ose ndonjë person të afërm të tij para turpit të rëndë, dëmit të konsiderueshëm material ose ndjekjes penale. Gjykata apo prokurori i shtetit për këtë të drejtë e njofton dëshmitarin”, përcaktohet me nenin 129 të Kodit të Procedurës Penale. [1]

Po ashtu me anë të Kodit të Procedurës Penale është e paraparë edhe mënyra e marrjes në pyetje të palëve në procedurë.

Sipas KPP-së, pala e cila paraqet provën e merr në pyetje dëshmitarin me pyetje të drejtpërdrejta, ndërsa palëve të tjera më pas u jepet mundësia për marrjen e tërthortë në pyetje të dëshmitarit ose kundërshtimin e besueshmërisë së dëshmitarit.  

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor pasi nuk u pranua fajësia nga ana e të akuzuarve, gjykata vazhdoi me dëgjimin e të dëmtuarës në cilësi të dëshmitares.

Nga monitorimi i kësaj seance gjyqësore është vërejtur se gjatë parashtrimit të pyetjeve nga ana e avokatit mbrojtës të të akuzuarit, të dëmtuarës/dëshmitares disa herë i janë parashtruar pyetje të cilat kanë pasur për qëllim inkriminimin e të dëmtuarës/dëshmitares.

Mirëpo monitorimi ka shpërfaqur se gjyqtari i çështjes, nuk i ka tërhequr vërejtjen avokatit mbrojtës dhe nuk e ka udhëzuar të dëmtuarën/dëshmitaret që në pyetjet të cilat parasheh se ka rrezik të inkriminimit të vetvetes mund të zgjedh të mos përgjigjet.

Po ashtu e dëmtuara/dëshmitarja ndonëse kishte qenë e propozuar që të dëgjohej në cilësi të dëshmitares nga gjykata dhe jo nga mbrojtësi i të akuzuarit, asaj i janë parashtruar pyetje direkte nga mbrojtësi i të akuzuarit.

Në këtë rast gjykata/gjyqtari i çështjes do të duhej që pyetjet e avokatit mbrojtës t’i kundërshtonte dhe t’i tërhiqej vërejtja mbrojtësit për të ushtuar pyetje të tërthorta ashtu siç është e paraparë me nenin 332 të Kodit të Procedurës Penale, mirëpo në rastin konkret fatkeqësisht edhe pse mbrojtësi ka vazhduar që dëshmitares t’i parashtrojë pyetje të drejtpërdrejta, nga ana e gjyqtarit të çështjes nuk ka pasur asnjë reagim apo mos aprovim të pyetjeve.

 

Vëmendje:

*Nga rastet e analizuara më sipër, qëllimisht nuk janë publikuar të dhënat personale si identiteti i palëve në procedurë apo çfarëdo e dhëne tjetër që do të mund të centronte privatësinë e palëve. Të gjitha këto raste dhe të dhëna janë të njohura për INJECT, por duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rasteve të monitoruara, INJECT zotohet në mbrojtjen e privatësisë së palëve, në këtë rast të viktimave të dhunës në familje.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit: Ensuring Women's property rights through institutional capacity building in Kosovo, përkrahur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, mirëpo gjetjet e raportit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e UNMIK.