Mos arsyetimi i mungesës së prokurorit në seancë
Rasti: Dhunë në Familje nga neni 248, par.1 dhe 2 i KPRK-së.
Përkundër rëndësisë së madhe të trajtimit të kësaj çështje penale e cila ka qenë e natyrës së dhunës në familje, për shkak të mungesës së palëve në procedurë është pamundësuar zhvillimi i mëtejmë i procedurës dhe trajtimi i çështjes.
Dështimi i mbajtjes së seancës gjyqësore erdhi si rezultat i mungesës së përfaqësimit nga ana e Prokurorisë së Shtetit.
Pas hapjes së seancës gjyqësore, gjyqtari i rastit ka konstatuar se nuk ka kushte për zhvillimin e procedurës, për shkak të mungesës së palëve në procedurë.
Nga konstatimi i gjyqtarit të çështjes, të gjitha palët ishin ftuar në mënyrë të rregullt.
Në mënyrë të rregullt ishte ftuar edhe prokurori i shtetit, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në sallë të gjykatës, e as mungesën nuk e ka arsyetuar.
Kodi i Procedurës Penale përcakton se parakusht për mbajtjen e një shqyrtimi gjyqësor është pjesëmarrja e të gjitha palëve në procedurë.
Neni 306 i KPP-së parasheh veprimet që duhet të ndërmerren nga gjyqtari i çështjes në rast të mosparaqitjes së prokurorit të shtetit në shqyrtim gjyqësor.
“Kur prokurori i shtetit nuk paraqitet në shqyrtim gjyqësor të caktuar në bazë të aktakuzës së prokurorit të shtetit, shqyrtimi gjyqësor shtyhet dhe për këtë gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues e njofton kryeprokurorin e prokurorit të shtetit”, përcaktohet në Kodin e Procedurës Penale.
Mirëpo në rastin konkret, në bazë të monitorimit është konstatuar se për mungesën e prokurorit të shtetit nuk është ndërmarrë ndonjë masë e cila është në dispozicion të gjyqtarit të çështjes, mirëpo vetëm është konstatuar mungesa e palëve në procesverbal dhe është caktuar data për mbajtjen e seancës së radhës.
Vëmendje:
*Nga rastet e analizuara më sipër, qëllimisht nuk janë publikuar të dhënat personale si identiteti i palëve në procedurë apo çfarëdo e dhëne tjetër që do të mund të centronte privatësinë e palëve. Të gjitha këto raste dhe të dhëna janë të njohura për INJECT, por duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rasteve të monitoruara, INJECT zotohet në mbrojtjen e privatësisë së palëve, në këtë rast të viktimave të dhunës në familje.
*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit: Ensuring Women's property rights through institutional capacity building in Kosovo, përkrahur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, mirëpo gjetjet e raportit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e UNMIK.