Duke u ngarkuar...
2022-05-25

Mungesa e përfaqësimit nga Mbrojtësi i Viktimave

Mungesa e përfaqësimit nga Mbrojtësi i Viktimave

Rasti: Kërkesë për urdhër mbrojtje (Në bazë të nenit 5, nenit 6, par. 1 dhe 2 dhe nenit 11, par. 1.5 të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje 03/L-182).

Në një seancë gjyqësore të mbajtur në mars të vitit 2022 në Gjykatën Themelore të Prizrenit në një çështje civile të zhvilluar pranë departamentit të përgjithshëm, monitorimi ka konstatuar se në rastin e kërkesën për urdhër mbrojtje, pala e dëmtuar në këtë rast viktima, ka qenë e pa përfaqësuar nga mbrojtësi i viktimave.

Në këtë seancë lidhur me kërkesën e parashtruar nga pala mbrojtëse N.N. për urdhër mbrojtje ka munguar mbrojtësi i viktimave gjë që përbën shkelje të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në familje[1] si dhe Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje në Kosovë - PSV[2].

Sipas Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Mbrojtësi i Viktimave – është personi i autorizuar zyrtar i cili ndihmon drejtpërdrejtë palën e dëmtuar që nga kontaktet e para me organet kompetente të mbrojtjes, këshillon, inicion procedurat për caktimin e masave të mbrojtjes, është i obliguar të marr pjesë në të gjitha seancat gjyqësore, monitoron mbarëvajtjen e procesit gjyqësor në rastet kur viktimat pranojnë ndihmën nga Mbrojtësi i Viktimave, kur Mbrojtësi i Viktimës është i involuar në rast.

Ndër detyrat specifike të Mbrojtësve të Viktimave është edhe obligimi dhe përgjegjësia për pjesëmarrje në seanca gjyqësore për përfaqësimin e palëve të dëmtuara.

Sipas Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, në të gjitha rastet MV duhet tu përgjigjet pozitivisht kërkesave të policisë, të prokurorisë dhe gjykatave për pjesëmarrje në procedura duke pasur parasysh që kërkesat e tilla nuk rrezikojnë kryerjen e detyrave të MV apo nuk shkelin masat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Në rastet kur pala e dëmtuar/viktima nuk ka avokatin e vet për ta përfaqësuar atë, mbrojtësi i viktimave përfaqëson interesat e viktimës në gjykatë.

Mbrojtësit e Viktimave kanë për detyrë të asistojnë palën e dëmtuar/viktimën gjatë gjithë procesit. Viktima mund t’i përdorë shërbimet falas që ofrohen nga MV ose të marrë një avokat privat për të parashtruar kërkesën për urdhër mbrojtje. MV është i obliguar të marrë pjesë në të gjitha seancat gjyqësore, të monitorojë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor në emër të viktimës.

 

Vëmendje:

*Nga rastet e analizuara më sipër, qëllimisht nuk janë publikuar të dhënat personale si identiteti i palëve në procedurë apo çfarëdo e dhëne tjetër që do të mund të centronte privatësinë e palëve. Të gjitha këto raste dhe të dhëna janë të njohura për INJECT, por duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rasteve të monitoruara, INJECT zotohet në mbrojtjen e privatësisë së palëve, në këtë rast të viktimave të dhunës në familje.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit: Ensuring Women's property rights through institutional capacity building in Kosovo, përkrahur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, mirëpo gjetjet e raportit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e UNMIK.