Dhuna fizike ndaj gruas, papunësia si dhe përfaqësimi i ulët i grave në pozita vendimmarrëse janë problemet thelbësore me të cilat përballen gratë në Kosovë. Në shoqërinë tonë, akoma vazhdon dhuna në familje. Sipas shifrave zyrtare të Policisë së Kosovës, gati çdo vit në Kosovë evidentohen mbi 1 mijë raste të dhunës në familje, por që thuhet se jo çdo herë këto shifra janë të sakta, pasi që shumë raste nuk raportohen.
Papunësia, vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha tek gratë në Kosovë, pasi që ato, po vazhdojnë të mbesin të varura ekonomikisht nga burrat e tyre, gjë e cila paraqet një problem mjaft të madh në pavarësimin e tyre në aspektin ekonomik. Sipas të dhënave të agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia tek femrat është 41.6 për qind derisa tek meshkujt është 33 për qind.
Kosova që nga viti 2004 ka të miratuar Ligjin për Barazi Gjinore. Ligji ky, i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore. Sipas këtij ligji, barazia ndërmjet gjinive është vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovë, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore.
Dhunë ekonomike konsiderohet edhe kur obligimet e alimentacionit dhe ushqimisë nuk kryhen as atëherë kur është përcaktuar nga gjykata. Gjatë periudhës së proceseve të stërzgjatura të divorcit bëhët edhe fshehja e pronës së përbashkët apo tjetërsimi i pasurisë, në mënyrë që të ikin nga mbajtja financiare (alimentacionit dhe ushqimisë), por edhe që pasuria e fituar gjatë martesës të fshihet, rrjedhimisht të mos ndahet ashtu siç ligji e përcakton, 50% për secilin.
Nuk ka ndonjë përkufizim universal të dhunës në familje, megjithatë, në Kosovë përkufizohet si: veprim apo mosveprim i qëllimshëm që rezulton me abuzim, kur kryhet nga një person që është apo ka qenë në marrëdhënie familjare me viktimën, siç është:
Keqtrajtimi fizik: përdorimi i çfarëdo lloji të forcës fizike; çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë apo kanosë të shkaktojë dhembje fizike; sulm fizik pa marrë parasysh pasojat; hyrja apo largimi me dhunë nga banesa e përbashkët apo banesa e viktimës; shkaktimi i ndjenjës së frikës, rrezikshmërisë personale apo cenimin e dinjitetit; rrëmbimi. Keqtrajtimi i tillë përfshin goditjen, djegien, goditjen me shuplakë, si dhe prerjen e viktimave.
Keqtrajtimi psikologjik: ushtrimi i trysnisë psikologjike; çdo veprim që mund të shkaktojë apo të kanosë të shkaktojë dhembje psikologjike; provokimi i ndjenjës së frikës, rrezikut personal, apo kërcënimit të dinjitetit; ofendimi, sharja, thirrja me emra ofendues, si dhe forma të tjera të frikësimit të dhunshëm; sjellja e përsëritur me qëllim të degradimit të viktimës; kufizimi i paligjshëm i lirisë së lëvizjes së viktimës, shpesh me shprehje të xhelozisë së tepërt dhe kontrollit; shkaktimi i ndjenjës së frikës për mirëqenien emocionale.
Keqtrajtimi seksual: Veprat seksuale pa pëlqim si dhe keqtrajtimi seksual, si përdhunimi dhe sulmi seksual. Keqtrajtimi ekonomik: përjashtimi nga ekonomia e përbashkët familjare, dëmtimi i pronës, shkatërrimi apo kërcënimi për ta shkatërruar atë; shkaktimi i ndjenjës së frikës për mirëqenien ekonomike. Kërcënimet dhe detyrimi e që shpesh ndërlidhen me fëmijët.
Organizata Iniciativa për Drejtësi dhe Barazin INJECT, nga konktaktet me gra, viktima të dhunës në familje dhe pjesëmarrëse në seancat psikoterapeutike për gratë e traumatizuara nga dhuna, ka marrë informacione mbi gjendjen shëndetësore, fizike dhe mbi gjendjen ekonomike të tyre. Shumica e këtyre grave dhe vajzave, sigurisht të vetë-izoluara tashmë, nuk punojnë dhe janë nëna vetëushqyese, të cilat si pasojë e zvarritjeve të procedurave dhe seancave gjyqësore, kanë ngelur akoma pa përcaktim të alimentacionit (që paraqet kontributin financiar, obligimin e një personi që të sigurojë nevojat bazë të jetesës, edukimit dhe nevojat tjera të personit tjetër, me vendim të gjykatës), ose janë gra dhe vajza, të cilat jetojnë vetë tanimë dhe nuk kanë ndonjë burim financiar.
Institucionet e Kosovës dhe ofruesit e shërbimeve kanë për obligim të parandalojnë dhunën në familje, të referojnë rastet e dhunës në familje tek Policia e Kosovës, të mbrojnë viktimat e dhunës në familje, të hetojnë aktet e dhunës dhe t’i ndjekin penalisht. Dispozitat që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga dhuna në familje në Kosovë, janë paraparë me Kodin Penal, Ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Drejtësisë për të Miturit dhe Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Ne jetojmë në një shoqëri, ku dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore është e pranishme, ku gratë dhe vajzat në një masë të madhe, dhunohen dhe abuzohen nga bashkëshortët, ose partneret e tyre, ku anëtarë të familjes për shkak të situatës së tyre të veçante sociale dhe shëndetësore dhunohen dhe keqtrajtohen nga kujdestaret ose anëtarë të tjerë.
A është e mundur të shpresojmë një shoqëri më ndryshe nga kjo? Një shoqëri ku gratë dhe vajzat të mund të realizojnë veten e tyre nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe kulturore? Gruaja në Kosovë nuk është në pozitë të favorshme, ashtu çfarë do të meritonte, pozita e grave në proceset e vendimmarrjes në Kosovë, ende nuk është në nivelin e duhur.
Është mëse e rëndësishme që siguria e femrave të jetë përparësia kryesore nga policia dhe nga institucionet e tjera të drejtësisë.
Me iniciativën e organizatës INJECT në vitin 2019 është ndryshuar Ligji për Familjen. Me avokim dhe lobim nga INJECT, dhe u ndal procedimi për votim i Kodit civil, i cili nuk kishte përfshirë ndryshimet e arritura ligjore për ndarje të pasurisë dhe alimentacion.
Ky shkrim u realizua në kuader të projektit “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Mbroni ato!” përkrahur nga Balkan Trust for Democracy dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd.
Opinionet e shprehura në këtë botim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Jashtme Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara.
==