Emancipimi i grave dhe vajzave në shoqërinë kosovare vlerësohet si proces i lidhur tejet ngushtë me emancipimin e shoqërisë në tërësi. Vetëm një shoqëri e vetëdijshme për të drejtat e grave dhe nevoja e respektimit të tyre do të arrijë të mirëmbajë një sistem ku gratë dhe burrat janë të barabartë në çdo sferë.
Barazia gjinore është parim fundamental në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Përkushtimi për barazi gjinore thekson domosdoshmërinë për zhvillimin dhe zbatimin e politikave, përmes strategjive dhe programeve, kornizës ligjore, dhe ofrimin e të mirave dhe shërbimeve për të arritur qëllimin e përcaktuar për barazi gjinore. Në Kosovë, barazia gjinore është ende një standard i paarritur, ku gratë vazhdojnë të ballafaqohen me sfida dhe me diskriminime të shumta.
Gjatë edukimit dhe rritjes së vajzave, u jepen përgjegjësi shtëpiake më idenë se në pjekurinë e tyre do të varen ekonomikisht nga burrat dhe se vajzat duhet të përgatiten për punët rreth shtëpisë, përderisa djemtë këshillohen dhe përgatiten për një të ardhme e cila u mundëson sigurimin financiar dhe një jetë me të përmbushur. Kjo shtynë në përparimin e burrave në profesionet fitimprurëse dhe ngecjen e grave në këto fusha.
Ligji për Barazi Gjinore garanton, mbron dhe promovon barazinë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Sipas këtij ligji, barazi gjinore do të thotë “pjesëmarrje e barabartë e femrave dhe meshkujve në të gjithat fushat e jetës, pozitë të barabartë, mundësi të barabarta për të gëzuar të gjithat të drejtat e tyre dhe për të vënë në shërbim potencialet e tyre individuale në zhvillimin e shoqërisë, si dhe të kenë përfitim të barabartë nga të arriturat e këtij zhvillimi”.
Kur flitet për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë, kryesisht nënkuptohet avancimi i pozitës së gruas në shoqëri, e në veçanti në jetën publike dhe në pozita vendimmarrëse. Shoqëria kosovare vazhdimisht bënë përpjekje për arritjen e barazisë gjinore, e në veçanti avancimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe jetën publike. Pas luftës së fundit në Kosovë, janë rritur përpjekjet jo vetëm për emancipimin e gruas, por edhe për vlerësimin e kontributit në shoqërinë kosovare dhe për avancimin e pozitës së saj.
Legjislacioni në Kosovë ofron një bazë të mirë për inkurajimin dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së gruas në procesin e punës, por edhe në pozita vendimmarrëse. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, akti më i lartë juridik dhe politik i vendit, përveç se në gjuhën dhe strukturën e saj ka një balancë gjinore, ajo respekton dhe promovon parimet e barazisë gjinore, që janë të pranuara edhe ndërkombëtarisht.
Për më tepër, Kushtetuta ndalon çdo formë të diskriminimit përfshirë edhe diskriminimin në baza gjinore. Një parim i tillë është më tej i sanksionuar me Ligjin NR. 05/L -021, për Mbrojtjen nga Diskrimiminimi.
Fusha e zbatimit të këtij ligji mbulon jo vetëm institucionet publike, por edhe ato private, duke përfshirë veprimet apo mosveprimet edhe të personave fizikë, Ligji Nr. 05/L -020 për Barazi Gjinore 2015). Ligji përcakton një sërë masash ligjore për arritjen e barazisë së plotë të femrave dhe meshkujve në shoqëri, të cilat japin përparësi specifike në mënyrë që pjesëtarëve të gjinisë së caktuar t’u mundësohet qasje e barabartë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe të mënjanohet pabarazia gjinore ekzistuese.
Sipas vlerësimeve nga analiza e realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe trupat e tij, funksionin mbi mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, e kanë përmbushur në shkallë minimale. Raportet dhe rekomandimet nga mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve që miratohen në Kuvend nuk e kanë marrë vëmendjen dhe as trajtimin e duhur, madje as komisionet parlamentare kësaj përgjegjësie nuk i kanë dhënë prioritet dhe as resurset e duhura.
Autoritetet kanë për detyrë ligjore, eliminimin e diskriminimit të paligjshëm, avancimin e mundësive të barabarta dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira në baza gjinore, racore etj. Barazia gjinore është një e drejtë themelore dhe faktorë i rëndësishëm për rritje ekonomike, zhvillim dhe stabilitet dhe dihet që një grua e arsimuar krijon familje të shëndoshë dhe të arsimuar.
Arritja e barazisë gjinore duhet të jetë synim i secilit, jo vetëm i grave, andaj edhe emancipimi medoemos duhet të jetë i dyanshëm. Mungesa e realizimit të drejtësisë vazhdon të jetë një ndër barrierat kryesore në arritjen e kualitetit të jetesës për gratë, duke e vështirësuar kështu edhe prosperimin e shoqërisë.
Ky shkrim u realizua në kuader të projektit “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Mbroni ato!” përkrahur nga Balkan Trust for Democracy dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd.
Opinionet e shprehura në këtë botim nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Jashtme Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara.