Të drejtat e grave në trashëgimi apo edhe në pronë, gjatë zhvillimit të shoqërisë sonë ka pasur sfida dhe probleme të ndryshme. Kjo edhe më shumë për shkak të mentalitetit të shoqërisë shqiptare se gruaja tek familja e gjinisë së saj nuk trashëgon. Ky fenomen ka ndikuar që gratë të mos kenë një zhvillim shoqëror pasi që nuk iu është mundësuar të kenë të drejtë në trashëgimi por prioriteti iu është dhënë zakonisht burrave .
Edhe pse e drejta për të trashëguar është një e drejtë themelore e njeriut e garantuar me ligj, në praktikë, kjo e drejtë nuk gjen zbatim të barabartë për burrat dhe gratë. Të drejtat pronësore të grave përbëjnë një problematikë të madhe në shoqërinë tonë, si rrjedhojë e traditës së mëhershme të shoqërisë e të shoqëruar deri në ditët e sotshme.
Me vite të tëra, gruaja nuk trashëgonte në radhët e familjes së saj të gjakut, për arsye të ruajtjes së raporteve familjare me anëtarët e familjes, edhe pse ky koncept ka filluar që të ndryshohet ku gruaja po konsiderohet e barabartë me pjesëtarët e tjerë të familjes, megjithatë ende jo në nivel të kënaqshëm.
Pozita e gruas në shoqëri ka ndryshuar edhe me anë të ligjit të trashëgimisë së Kosovës ku konsiderohet e barabartë në trashëgimi. Ligji për Trashëgiminë në dispozitat ligjore që i përmban, rregullon të drejtën e trashëgimisë, marrëdhëniet pasurore në rast të vdekjes së titullarit të pasurisë - trashëgimlënësi dhe kalimin e pasurisë së tij te trashëgimtarët. Gjithashtu në Kushtetutën e Republikës së Kosovës përcakton qartësisht rolin e barabartë të grave dhe burrave në shoqëri, duke përjashtuar çdo mundësi diskriminimi.
Paragrafi 1 i nenit 3 të Ligjin për Trashëgiminë e Kosovës përcakton se, “Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”, duke definuar qartësisht se ndarja e trashëgimisë bëhet në mënyrë të barabartë mes anëtarëve të familjes pa përjashtuar trashëgimtarë në baza gjinore. Kur flitet për pjesën e trashëgimisë nuk do të thotë vetëm pjesa e trashëgimisë tek familja e saj e gjinisë por edhe trashëgimi tek pasuria e bashkëshortit. Bashkëshortja, në bazë të ligjit, është trashëgimtare e radhës së parë, ndaj ajo thirret në radhë të parë, në trashëgim, së bashku me fëmijët. Të gjithë trashëgimtarët e radhës së parë trashëgojnë në pjesë të barabarta. Gjithashtu ligji ka cekur edhe mjetet ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë së vajzave duke cekur pjesën e domosdoshme, ku në rast të mohimit të saj në pjesën e domosdoshme mund të paraqesë padi pranë gjykatës kompetente dhe të kthejë pjesën e saj të domosdoshme që i takon nga trashëgimia si trashëgimtare ligjore e trashëgimlënësit.
Pasojat e mos trashëgimisë së gruas në familje janë të theksuara në ekonominë e jetës së çdo gruaje, kjo vjen si rezultat i pabarazisë së trashëgimisë pronësore. Shumë gra të Kosovës nuk mund të jenë të pavarura ekonomikisht, ato janë të privuara nga mundësia për të qenë të pavarura nga meshkujt në aspektin ekonomik dhe kanë shumë më vështirësi në kyçjen në tregun e punës. Pikërisht sepse nuk kanë pasuri të trashëguar sikurse gjinia e kundërt. Në këtë mënyrë kemi fuqizim vetëm të një 50% të shoqërisë sonë ndërsa e përjashton 50% e shoqërisë tjetër si të pa fuqizuar dhe i lë më të dobët nga ana ekonomike. Nëse fuqizimi ekonomik dhe risocializimi i grave në shoqërinë tonë është duke dështuar kjo rezulton edhe në ngecjen e zhvillimit të shtetit tonë. Me të drejtë është në interes të shtetit që fuqizimi ekonomik të prek të gjitha grupet e shoqërisë në mënyrë që të kemi zhvillim në 100% e popullatës e jo vetëm në 50% e saj.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut..