Dhuna seksuale dhe ngacmimet seksuale janë bërë fenomene në vitet e fundit në Kosovë, ku çdo herë e më shumë po rritet numri i rasteve të tilla në vendin tonë, por shqetësuese mbetet që një numër i madh i viktimave të rasteve seksuale nuk e denoncojnë ngacmimet dhe dhunën seksuale tek organet kompetente për hetim të këtyre rasteve. Kemi një numër të madh të rasteve ku të shumta viktimat e dhunës seksuale janë persona të mitur e që dhunohen nga persona të moshës madhore. Në bazë të raporteve të fundit të Policisë së Kosovës për vitin 2022, vetëm në periudhën e muajit janar- korrik të këtij viti kemi 41 raste të denoncimit të dhunës seksuale.
Dhuna seksuale është vepër penale e dënueshme me Kodin penal të Kosovës, në bazë të nenit 227 paragrafi 1. Thuhet që: Kushdo që detyron personi tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet. Ndërsa në bazë të nenit 147 të Kodit penal, personi dënohet nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm për veprat penale nga paragrafi 7. dhunimi, skllavëri seksuale, prostitucion të detyruar, shtatzëni me dhunë, sterilizim të detyruar ose çfarëdo forme tjetër po aq të rëndë të dhunës seksuale; por edhe këto masa të shqiptuara nuk po janë të mjaftueshme që veprat e kësaj natyre të zvogëlohen. Këto raste të veprës penale konsiderohen ndër aktet më mizore dhe çnjerëzore që mund të kryhen ndaj një personi, andaj vetëdijesimi i shoqërisë sonë në lidhje me këtë problematikë është shumë e rëndësishme, aq sa është edhe për institucionet e vendit, ekzekutivit dhe organet e drejtësisë që rastet e tilla të merren me seriozitetin më të lartë. Organet e drejtësisë pas marrjes së ndonjë informate, se ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepra penale e tillë, duhet të ndërmerren masa të menjëhershme emergjente për hetimin e tyre. Duhet të bashkëpunojnë ngushtë me Prokurorinë Themelore kompetente, QPS dhe ti bashkërendojnë veprimet me njëra tjetrën.
Është esenciale prania e një mjekut ligjor për trajtimin e këtyre rasteve si dhe psikologut për viktimën duke e kuptuar gjendjen emocionale e mentale të viktimës. Ato shpeshherë janë të shokuara, në gjendje stresi, ankthi, frike dhe gjendje depresioni, është në dorën e institucioneve të drejtësisë që atyre të i ‘u epet trajtimi adekuat mjekësor dhe ligjor për gjendjen e tyre dhe detyrë e familjes dhe shoqërisë në mbështetjen e viktimave të dhunës seksuale.
Shpesh ndodh që mos raportimi i ngacmimit dhe dhunës seksuale të mos ndodh për shkak të kërcënimeve nga kryerësi, frikës ndaj familja dhe paragjykimeve të shoqërisë. Më problem paraqitet tek rastet e personave LGBT+, ku hezitojnë të raportojnë dhunën seksuale ndaj tyre nga frika se shoqëria do e arsyetojë dhunën ndaj tyre, në bazë të preferencës seksuale të tyre.
Ngritja e vetëdijes shoqërore në lidhje me këto raste është e domosdoshme në parandalimin dhe luftimin e akteve të dhunës seksuale, duhet të kuptohet se faji nuk qëndron te viktima por tek kryerësi, se veshja, mënyra e sjelljes, të folurit, dalja në hapësira publike nuk e arsyeton dhunimin e as dhunuesin. Në rastet e dhunës seksuale në vend të ofendimit të viktimës dhe arsyetimit të aktit duhet të dënohet dhunuesi.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.