Duke u ngarkuar...
2022-11-21

18 VITE NË PROCEDURA GJYQËSORE, RASTI I PADITËSES ENDE PA NJË EPILOG LIGJOR

Në të shumtën e rasteve ndodh që lënda në gjykata të vonohet e të zvarritet dhe kështu të pritet me vite për të përfunduar një lëndë gjyqësore e kontestit civil, e kështu është edhe rasti i znj. Shukrije Berisha e cila tashmë që nga viti 2005 e ka iniciuar procedurën e saj gjyqësore për njohje të së drejtës së saj në pronësi, e që atëherë lënda e saj është në procedura gjyqësore pa marr ndonjë epilog ligjor, por që kalon nga Gjykata Themelore në Gjykatën e Apelit dhe anasjelltas por që procedura në këto gjykata është tejet e stërzgjatur.
Sipas ligjit të procedurës kontestimore neni 10 thotë se “Gjykata ka për detyrë të përpiqet që procedura të zhvillohet pa zvarritje dhe me sa më pak shpenzime, si dhe të bëjë të pamundur çdo shpërdorim të së drejtave procedurale që u takojnë palëve sipas këtij ligji.” Nen ky i cili nuk është zbatuar në këtë rast, pasi që është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut zvarritja e procedurës gjyqësore, e sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me qasjen në pronë.
Zonja Shukrije është në procedura gjyqësore kundër kunetëve të saj, për vërtetimin e pjesës së saj në pronësinë e palujtshmërisë me të cilën ka jetuar me bashkëshortin e saj.
Burri I znj, Shukrijes, vdesë në vitin 2003, kunati i saj pas vdekjes së nënës së tij në vitin 1996 e ka ndarë trashëgiminë në mes 4 vëllezërve dhe motrave por duke përjashtuar vëllaun e tij Z.B që ka qenë bashkëshorti I znj. Shukrije.
Znj.Shukrije me bashkëshortin e saj kanë jetuar në bashkësi martesore nga viti 1987 duke lidhur kurorë në vitin 2002 e kanë jetuar së bashku deri në vdekjen e tij në vitin 2003. Gjatë gjithë kohës së martesës znj. Shukrije është përkujdesur për bashkëshortin, shtëpinë dhe familjarët e tij, si dhe duke treguar një kujdes të lartë në mirëmbajtjen e shtëpisë, ushqimin dhe të gjitha punët e tjera. Por sa vlerësohet puna e shtëpisë, kujdesi ndaj bashkëshortit, ushqimi dhe pastrimi si punë që kontribuon në shtëpi e në familje, pasi që në shumë raste puna e amvisërisë nuk vlerësohet. E njëjta përpos punës në shtëpi ka kontribouar edhe në vlera monetare dhe ka financuar së bashku me bashkëshortin e saj në rregullimin e shtëpisë.
Pas vdekjes së bashkëshortit, në vitin 2005, znj. Shukrije, inicion procedurën me anë të padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e shfrytëzimit të shtëpisë ku kanë jetuar së bashku me të ndjerin bashkëshortin e saj.
Gjykata në vitin 2008, në këtë çështje kontestimore që ka nr e lëndës C.nr.2476/05, ka marr aktgjykim me anë të së cilës E ka aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditëses- Shukrijes ku është vërtetuar se paditësja në bazë të trashëgimisë dhe mbajtjes me mirëbesim e ka fituar të drejtën e pronësisë në ½ e shtëpi-ndërtesës në sipërfaqe 57 m2. Ndërsa është refuzuar si e pa bazuar pjesa e kërkesëpadisë të paditëses për vërtetimin e të drejtës së pronësisë në ½ e paluajtshmërisë për shtëpinë-ndërtesën në sipërfaqe prej 130 m2.
Lënda është rikthyer në rigjykim, dhe Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykimi C.nr. 362/11, i datës 26.04.2016 ka vendosur që pjesërisht të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditëses Shukrije Berisha ku vërtetohet se paditësja në bazë të trashëgimisë është pronare 1/10 apo 1/5 e paluajtshmërisë që identifikohet me kulturë oborr në sipërfaqe 0.03.76 ha dhe vërtetohet se paditësja është pronare 1/6 (apo ½ se 1/3) së shtëpisë, së ndërtuar në këtë ngastër, e cila ka sipërfaqe prej 255.45 m2.
Kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor janë bërë ankesa të veçanta nga e paditura dhe paditësja. Paditësja ka parashtruar ankesën e saj me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshoj pjesërisht aktgjykimin e atakuar vetëm sa i përket vendimit për njohjen e së drejtës së pronësisë në shtëpi.
Gjykata e Apelit më dt 06.10.2021 në nr e lëndës AC3414/16 mori Aktvendim, ku aprovon si të themelta, ankesa e paditëses, prishet Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr.362/11 i datës 26.04.2016 dhe çështja kthehet në rigjykim. Që nga ky aktgjykim nuk është mbajtur asnjë seancë që në fakt paditësja ende nuk e di se cili është gjyqtari i lëndës pasi që përgjigjet e administratës së gjykatës janë që ende nuk dihet se tek cili gjyqtar është dhe se duhet të pres.
Znj. Shukrije ende është në pritje të fillimit të seancave gjyqësore dhe shpreson që lënda kësaj here në gjykatën themelore do të marr një epilog ligjor dhe më në fund që pas gjithë atyre viteve në procedura gjyqësore do të mund të fitoj të drejtën e saj pronësore në shtëpinë e saj.
Për publikimin e këtij artikulli është marrë pëlqimi nga ana e vetë paditëses dhe që të publikohet me emër dhe mbiemër të saj. Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e INJECT dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSFsë, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.