Duke u ngarkuar...
2022-05-22

Rregullimi ligjor i mbajtjes financiare

                          Rregullimi ligjor i mbajtjes financiare

Mbajta financiare e fëmijëve (alimentacioni) dhe e bashkëshortes/it, pas shkurorëzimit rregullohet me Ligjin për Familjen. Ky ligj në nenin 285, parasheh që “shtrirja e mbajtjes financiare duhet të jetë adekuate me kushtet në të cilat ka jetuar personi që ka të drejtë në mbajtje financiare”, dhe që detyrimi për të dhënë mbajtje financiare ose alimentacion përcaktohet në Nenin 330 paragafi 1 i Ligjit për Familjen “. Në proporcion me të gjitha mjetet e të paditurit dhe brenda kufijve të nevojave të paditësit”. Një hulumtimi i kryer nga INJECT- në vitin 2020 pasqyron që gjykatat shpesh e caktojnë alimentacionin në bazë të standardit mesatar jetësor në Kosovë dhe jo në bazë të standardit martesor, diçka që cilësohet e paligjshme. Ka raste që përkundër dëshmisë që i është dhënë gjykatës për shpenzimet familjare të cilat kanë qenë me mijëra euro, gjykata ka vendosur në bazë të standardit jetësor në Kosovë dhe ka caktuar për fëmijët alimentacion në shumën prej 150 eurove. Kjo është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Familjen, sipas të cilave shtrirja e mbajtjes financiare varet nga standardi jetësor në martesë.

Njëra nga të intervistuarat nga Kosovo 2.0 thekson se “Aq jam lodhë saqë nuk e kisha ba asnjë hap hiç më. “Isha nda e knaqne edhe me 150 euro. Nëse kam pritë unë katër vjet për me e marrë një vendim të plotfuqishëm, nuk po du me e pritë edhe 14 vjet tjera derisa t’bohet çika jem n’moshë madhore edhe atëherë me thanë ‘jo s’po paguj tash se i ka bo 18 vjet’”. E intervistuara thekson që ish-bashkëshorti i saj gëzon të ardhura shumë më të mëdha në krahasim me alimentacionin që i është caktuar. Ligji për Familjen, i cili rregullon obligimet për alimentacionin, ka hyrë në fuqi në vitin 2006. Megjithatë, moszbatimi i tij dhe pasojat e shkaktuara për prindërit vetushqyes, është diçka që shumica e grave të shkurorëzuara   e ndajnë si brengë të përbashkët. Nënat vetushqyese janë në stres për të arritur punën në kohë, për të dërguar fëmijët në shkollë apo çerdhe dhe për të arritur të gjitha afatet e fëmijëve me kohë, duke përfshirë ushqimin dhe veshjen. Mundësitë e limituara për të gjetur punë me gjysmë orari dhe mungesa e fleksibilitetit në punë janë po ashtu faktorë që e diskriminojnë gruan në tregun e punës. Sëmundja e papritur e fëmijëve është një problem që mund të paraqitet në punën sepse ajo duhet të mungojë”.

Në nëntor të vitit 2017, themeluesja e Iniciativës për Drejtësi dhe Barazi INJECT, Luljeta Aliu, e kishte dorëzuar një kërkesë për ndryshimin e Ligjit për Familjen në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa për ndryshimin e ligjit bazohej në një analizë që ajo i kishtë bërë mënyrës se interpretimit të Ligjit për Familjen në dispozitat ligjore rreth pasurisë së përbashkët dhe mbajtjes financiare, duke argumentuar bindshëm rreth hapësirave dhe mangësive ligjore brenda ligjit e sidomos në praktikën gjyqësore. Pas procedurave në Komision dhe Qeveri, kjo iniciativë për ndryshimin e Ligjit për Familjen kaloi për votim në Kuvend dhe ka hyrë në fuqi që nga janari 2019. Dispozita ka ndryshuar duke i përcaktuar kontributet e bashkëshortëve të barasvlershme. Kjo nënkupton se rritja dhe edukimi i fëmijëve si dhe mirëmbajtja e shtëpisë me ligj e kanë vlerën e njejtë si të ardhurat materiale të bashkëshortit të punësuar.

Ligj i familjes i jep shumë mundësi si dhe një rol aktiv gjykatës që të zhvillojë hetime në rastet kur vendoset për besimin e fëmijëve dhe alimentacionin. Në këtë kontekst, Gjykata, bazuar në dispozitat respektive të Ligjit për Procedurën Kontestimore, është e autorizuar që të kërkojë nga bankat dhe institucionet tjera financiare që të zbulohet realisht se sa janë mundësitë dhe cilat janë kushtet reale të prindërve, andaj edhe mbi bazën e të dhënave të fituara nga këto hetime të gjykatës, gjykata vendosë edhe mbi lartësinë e pagesës së alimentacionit. Kodi Penal i Kosovës  , Neni 245 Shmangia nga sigurimi i mjeteve të jetesës sqaron që ”Kushdo që i shmanget sigurimit të mjeteve të jetesës për personin për të cilin është i detyruar të kujdeset në bazë të vendimit të plotfuqishëm të gjykatës, marrëveshjes së plotfuqishme gjyqësore ose vendimit të organit tjetër kompetent, me anë të shmangies së punësimit, raportimit të rrejshëm të punësimit apo të të ardhurave, ndërrimit të vendit të punës, ndërrimit të vendbanimit apo vendqëndrimit, tjetërsimit të pasurisë ose në ndonjë mënyrë tjetër i shmanget sigurimit të mjeteve të jetesës për personin e tillë, dënohet me burgim deri në një (1) vit”.

Pasiguria financiare limiton mundësitë për planifikim të aktiviteteve siç mund të jenë festimi i ditëlindjes, blerja e lodrave apo pajisjeve shkollore, vijimi i kurseve, ose realizimi i pushimeve verore e të cilat më pas prodhojnë ndjenja të pakujdesit, braktisjes, dhe të qenit i padashur nga prindërit. “Nuk   muj me e marrë asnjë kredi, as kurrgjo për me e pasë jetën pak ma të lehtë për me ble një veturë ose një banesë”, thotë një nënë e divorcuar, e intervistuar nga Kosovo 2.0 “Nuk guxoj se dikund 100 euro mu më shkojnë [vetëm për] terapi për vajzën”. Kom pasë edhe psikoterapi, prej stresit e kam pasë, prej ankthit që e kam pasë se çka do të bohet. Unë tash qysh me e majtë çikën?”, thotë ajo me lot në sy. Përderisa sistemi gjyqësor po dështon që t’i mbrojë nënat vetushqyese pagesa e alimentacionit po mbetet kryesisht në vullnetin e ish-bashkëshortëve të tyre. E përderisa në raste të shumta ata po zgjedhin të mos kontribuojnë te mirëqenia e fëmijës së tyre, barra kryesore po mbetet te vetë nënat vetushqyese. Gjykatat kosovare duhet të sigurojnë respektimin e kornizës ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë dhe mbajtjen financiare. Gjykatat duhet të inicojnë procedura të reja për mashtrimet ekonomike në martesë, të cilat duhet të jenë në shërbim të së drejtës. Gjykatat duhet të mirren vetë, ex officio, me ndjekjen e veprave penale të mashtrimit financiar/ekonomik në martesë, duke inicuar procedurën penale përmes gjykatës sikurse është e kërkuar për veprat penale. Pavarësisht që Kosova ka legjislacion të avancuar që garanton liritë dhe të drejtat e barabarta mes burrave dhe grave — përfshirë Kushtetutën e vendit që parasheh aplikimin e instrumenteve ndërkombëtare siç është Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave — sjellja institucionale shpesh udhëhiqet nga vlera kulturore të rrënjosura në sistem patriarkal.

INJECT, ofron këshillim dhe përfaqësim ligjor falas në kuadër të projektit "Të drejtat e grave janë të Drejta të Njeriut. Mbroni ato!”, i cili financohet nga Balkan Trust for Democracy, dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd.”. Përderisa këshillim do të përfitojë secila që kontakton organizatën tonë, përfaqësim ligjor do të përfitojnë viktimat të cilat i përmbushin kriteret e dhëna në vijim:

• Mungesa Financiare

• Shkalla e kompleksitetit te rastit

• Shkeljet ligjore procedurale dhe dispozitave ligjore  

Na kontaktoni në tel & viber: + 383 44 600 530 FB https://www.facebook.com/IniciativaPerDrejtesiDheBarazi Insta https://www.instagram.com/inject_kosovo/