Duke u ngarkuar...
2021-03-02

Shërbimet e strehimoreve në Kosovë, çka ofrojnë ato për viktimat e dhunës, aspekte krahasuese me vendet tjera

Strehimoret i ofrojnë viktimave një vend të sigurtë për të jetuar pas përjetimit të rastit të dhunës në familje. Viktimat mund të kërkojnë ndihmë nga një strehimore drejtpërdrejtë ose mund të referohen nga institucionet përgjegjëse për mbështetjen e tyre. Strehimi i viktimave mund të jetë afatshkurtër ose afatgjatë – zakonisht deri në 6 muaj. Nëse viktima është referuar në Polici, Policia e Kosovës ka për obligim të shoqërojë viktimën në Strehimore ose në ndonjë vend tjetër të sigurtë sipas pëlqimit të saj.

Për shkak të shërbimeve të ofruara për të cilat do të diskutohet në vijim, vendosja në strehimore përpos mbrojtjes ka rol kyç edhe në rehabilitimin e viktimave dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

Sipas Procedurave Standarde të Veprimit shërbimet e ofruara nga strehimoret në raport me viktimat e dhunës në familje janë:

  1. Ambient i sigurt dhe përkrahës 24h;
  2. Ushqim e veshmbathje,
  3. Shërbime mjekësore dhe medikamente;
  4. Këshillimi i viktimës për pasojat potenciale në rast se refuzon strehimin;
  5. Këshillimi i viktimës për kontakte në rast se ka rrezik;
  6. Hapja e dosjes se rastit;
  7. Informimi i viktimës për rregullat dhe shërbimet e strehimores;
  8. Ruajtja e konfidencialitetit të të dhënave të viktimës;
  9. Hartimi i planit individual;
  10. Këshillim psikosocial dhe ligjor;
  11. Kontaktimi i Mbrojtësit të Viktimave për këshillim ligjor për viktimën;
  12. Plotësimi i kërkesës për urdhër mbrojtje,
  13. Shoqërimi dhe përfaqësimi i viktimës në procedura gjyqësore;
  14. Referimi për trajtim mjekësor;
  15. Referimi në QPS për çështje administrative;
  16. Shoqërimi i viktimës në polici, spital dhe forenzikë;
  17. Mundësimi i kontaktit të monitoruar të viktimës me familjarët;
  18. Kontaktimi i menjhërshem i policisë kur ka rrezik për jetë;
  19. Ofrimi i trajnimeve;
  20. Aktivitete rekreative;
  21. Trajtim special/ hapesirë e veçantë për viktimat me nevoja të veçanta;
  22. Njoftimi i familjes, QPS , policinë dhe MV kur viktima del nga strehimorja;

Strehimoret ofrojnë ambient të sigurtë për viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre. Fillimisht këto institucione plotësojnë nevojat elementare të viktimës përfshirë ushqimin veshmbathjen si dhe kujdesin mjekësor primar. Për kujdes të mëtejshëm mjekësor viktimat referohen tek insitucionet shëndetësore publike.

Nëse viktima refuzon qëndrimin në strehimore i shpjegohen pasojat dhe rreziqet nga qëndrimi jashtë strehimores dhe me tutje udhëzohet për veprimet parandaluese. Të njëjtës i bëhet me dije se ajo mund të kërkojë ndihmë edhe në të ardhmen dhe i ipen numrat kontaktues të organeve në rast rreziku.

Nëse viktima pranon të qëndrojë në strehimore hapet dosja e rastit dhe informohet për rregullat e strehimores, shërbimet e ofruara, orarin dhe masat e sigurisë në strehimore. Strehimoret obligohen të sigurojnë që identiteti dhe të dhënat e viktimës, nuk do të zbulohen pa pëlqimin e saj.

Për viktimat e sapo referuara aplikohet periudha 48 orëshe e reflektimit.  Pasi të përfundojë kjo periudhë strehimorja harton planin individual për viktimën në bashkëpunim me menagjerin e rastit nga QPS. Shërbimet ofrohen në bazë të këtij plani.

Disa nga shërbimet e ofruara janë këshillimi psikologjik dhe ligjor. Strehimoret janë të obliguar të ofrojnë mbështetje psikosociale bazuar në planin individual, përmes sesioneve individuale dhe grupore të trajtimit psikologjik. Këshillimi psikologjik ofrohet edhe për fëmijët e viktimave.

Tutje strehimoret mund të plotësojnë kërkesën për urdhërmbrojtje si dhe ta shoqërojnë dhe përfaqësojnë viktimën në procedurë gjyqësore. Këto institucione janë po ashtu të obliguara të ftojnë Mbrojtësit e Viktimave për ofrimin e shërbimeve të mbrojtjes e këshillimit ligjor

Strehimoret obligohen të referojnë në QPS rastet kur viktimat e strehuara kanë nevojë për shërbime administrative apo nxjerrjet e dokumenteve personale. Personeli i strehimores e shoqëron viktimën gjatë vizitës në spital, forenzikë dhe në polici apo institucionet tjera ku e njëjta është referuar.

Gjatë qëndrimit të viktimës në strehimore, duhet t’iu mundësohet kontakti me familjarët të afërmit dhe miqtë. Kur viktimat me rrezikshmëri të lartë kontaktojnë me familjarë duhet të monitorohen nga personeli i strehimores, ndërsa takimet me familjarë duhet të bëhen në përcjellje policore.

Si pjesë e planit individual, strehimoret janë të obliguar të ofrojnë trajnime për viktimat. Këto trajnime ndihmojnë në ngritjen profesionale të tyre, në lehtësimin e mundësive për punësim dhe integrimin e tyre në shoqëri

Në rastet kur ka fëmijë plani duhet të përfshijë edhe shkollimin e mëtutjeshëm. Kjo pjesë e planit përgatitet në marrëveshje në mes të MASHT-it, strehimoreve, QPS-së dhe viktimës. Menagjeri i rastit nga QPS dhe strehimorja duhet t’i kontaktojë Drejtoratet Komunale të Arsimit në komunën ku banon viktima, në mënyrë që të sigurojë regjistrimin e viktimës dhe fëmijëve në shkollë.

Gjatë qëndrimit në strehimore në rast se stafi i strehimores vlerëson kërcënimin e sigurisë se viktimës, stafit dhe të tjerëve menjëherë kontakton Policinë dhe organet tjera përkatëse. .

Krejt në fund vendimi i lëshimit të viktimës nga Strehimorja bëhet me pëlqimin e viktimës nga punonjësit e Strehimores. Më këtë rast duhet të njoftohet Policia, Mbrojtësit e Viktimave dhe QPS, ashtu që të vazhdohen ofrimi i shërbimeve nëse është e nevojshme. Mbi lëshimin njoftohen edhe familjarët e viktimës nëse është e nevojshme apo kërkohet nga viktima.

Nëve viktima refuzon të vendoset në strehimore, apo pas kalimit të periudhës prej 6 muajsh, ajo mund të përfshihet në skemën e ndihmës sociale në pajtim me ligjin dhe si përfituese e ndihmës mund të aplikojë për programin e banesave sociale në komunën ku e ka vendbanimin. Komuna duhet tu jap prioritet viktimave të dhunës në familje me rastin e aplikimit në këtë program.

Sa i përket gjendjes aktuale sipas një hulumtimi të OSCE të vitit 2019 kushtet në strehimoret e vizituara ishin të mira ose tejet të mira, si dhe të gjitha ofrojnë shërbimet e përmendura në PSV-në. Dallime ka sa i përket trajnimeve e aktiviteteve të ofruara ku në Gjakovë ofrohen kurse që shkojnë nga gjuha bazike angleze e deri tek kompjuterët, po ashtu strehimorja prodhon mjaltin e vet dhe pjek e shet bukën e vet. Strehimoret tjera, si për shembull ato në Prishtinë, Prizren e Mitrovicë të Jugut, kanë zhvilluar aftësime profesionale në floktari, kozmetikë, rrobaqepësi dhe/ose gatim, por nuk shesin shërbime apo produkte të vetat.

Sipas hulumtimit të OSCE-së, shumica e strehimoreve janë gjysmë të hapura, gjë që i lejon fëmijëve të viktimave të ndjekin shkollën dhe viktimave të angazhohen në aftësim profesional, apo edhe të gjejnë punë me gjysmë orari. Situata qëndron ndryshe me strehimoret e mbyllura ku fëmijët ndjekin mësim vetëm brenda objektit.

Si sfidë aktuale është mungesa e fondeve dhe mungesa e strehimit për fëmijët djem mbi moshën 12-vjeçare meqë strehimoret, sipas rregullave të MPMS-së, nuk lejojnë strehimin e tyre bashkë me nënat viktima pas kësaj moshe.

Sa i përket fondeve mund të merret shembulli i Finlandës që me ligj ka garantuar sigurimin e fondeve për të gjitha strehimoret në baza vjetore. Kurse sa i përket strehimit të nënave me djem mbi 12 vjeç Turqia ka aplikuar një praktikë të mirë, ku të njëjtat vendosen në një shtëpi me qira dhe shpenzimet paguhen nga strehimorja, për më tepër ofrohen të gjitha shërbimet sikurse për viktimat me qëndrim në strehimore. Kjo vlen edhe për nënat që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.

Në Zvicër është aplikuar një sistem tjetër, më konkretisht janë themeluar strehimore të veçanta për fëmijët e të dy gjinive prej 6 deri në 17 vjec. Në këto strehimore ofrohen shërbime për fëmijët të cilët janë ndikuar drejtpërdrjetë ose tërthorazi nga dhuna në familje, kanë përjetuar dhunë psikologjike,fizike a seksuale ose fëmijët prindërit e të cilëve nuk mund të kujdesen për ta.

Ky shkrim u realizua nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi- INJECT të financuar nga European Endowment for Democracy- EED